Mohsen Mohamed: Një natë në shoqërinë e saj është më e mirë

Poezi nga Mohsen Mohamed

O e ëmbla ime që mbështjell një lëmsh,
dredhoje rrugën tënde rreth zemrës sime.
Unë të kurorëzoj sovrane të saj.
Gishtat tu janë nektar i ëmbël.
Ti që e shndërron istikamin e dashurisë në fortesë
dhe kupolën në qiell të pafund.
Oh, sa flirtuese që më je, oh!

Sa e lezetshme je derisa pjek kahk,
Egjiptian me rrënjë, me temperament dhe me të qeshura.
Kam humbur rrugën për shkak të bukurisë sate.
Vij duke çaluar deri te dera jote
ama me qëndrim.
Jam pelegrin, flas, këndoj
dhe vallëzoj –
valle orientale, samba, mazurka, ose dabka.
Për çdo të dashuruar – je Mekë.

Oj, loçka ime,
ti je Qabe
unë sillem,
kthehem, vrapoj, eci, dhe qëndroj –
jam dervish,
dhe zemra ime do si sufi
derisa ti më tjerr si leshin.
Lirshëm
ndërsa afrohesh,
unë kam frikë nga sytë e të huajve.

Egjipti ynë
i lartësuar në sytë
e grave të reja.
Egjiptianët,
e adhurojnë këtë Egjipt
dhe i përgjërohen.
Nga fytyrat e vajzave të tij,
mësojnë të lexojnë e të shkruajnë.
Egjipti shfaqet në joshjen
e tyre të nxirë
dhe jehonës në sllengun e tyre.
Një e qeshur e tyre
krijon gëzim,
ndërsa ti,
sall me buzëqeshjen tënde,
ma plas shpirtin.

O e ëmbla ime,
një organo kumbon në timbrin tënd.
Qeshjen tënde e jep me dashuri.
Heshtja jote është tunduese,
e folura jote, mëkatare.
Heshtjet tuaja tingëllojnë
si poezi
në zemrën time,
ndërsa fjalët tua më ngrohin.
Erdhi mëngjesi
dhe zemra ime nuk ka fjetur fare,
sepse nata është më e mirë
në praninë tënde

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

JIM MOORE: VARIACION MBI NJË POEZI TË DU FUSË