Moikom Zeqo dhe fluturat poetike

Nga: Natasha Lako

Nuk do të kisha veçuar nga krijimtaria e Moikom Zeqos, “Golgotën e fluturave”, po të mos kisha ndjerë se për një grua, është fat të rrëmbejë nga një libër poetik, atë që pret më tepër prej botës mashkullore.

Më të paparën dhe më të pambarueshmen. Dhe si përjashtim të zbulosh, ashtu si bën poeti edhe delikatesën e pasardhësve të Adamit. Por Moikom Zeqo po turbullon gjithnjë e më tepër botën letrare në përgjithësi.

“Këta zogj lajmës të bukurisë që popullojnë honet”

E nuk është rastësi që aleanca e Moikom Zeqos me lexuesin, të ketë kaluar nëpërmjet kalvarit të gjithë shoqërisë njerëzore, që absorbon gjithnjë e më tepër prej të kaluarës së vet.
Dhe prapë se prapë si lexues a lexuese të bëhesh pjesmarrës në këtë botë poetike duhet të pranosh Golgotën individuale të vetë poetit. Kështu fillon një dialog i madh kthjellës, që shpaloset mes autorit dhe lexuesit, ku një botë e tërë e zbuluar nuk është e asnjërit as tjetrit, e kthyer gati si një pasuri e vuajtur universale. Kështu krijohet një nga mardhëniet më të rralla të letërsisë shqipe. Dhe janë pikërisht poezitë e vëllimit “Golgota e fluturave “, “Këta zogj lajmës të bukurisë që popullojnë honet.“ siç thotë autori.

Gjendemi përpara një bote, të cilën Moikom Zeqo e ka mbledhur të gjithën për vete. Aq sa duket sikur e ka hedhur përsëri pavetësinë eternale, në madhështinë e vet, të larguar po se po nga veta e parë e unit, për t’iu drejtuar me ty, vetëm botës së dashurisë. Dhe për të gjithë të tjerët, kjo botë poetike gjendet edhe më larg, si fari i vetës së tij të tretë.
Kështu kanë lindur edhe fluturat e tij të vogla, edhe Golgota e tyre, si mundim i një bote që krijon pafundësisht një botë tjetër. Dhe kjo pafundësi është vetëm e Moikom Zeqos.
Dhe vetëm kështu hyjmë në artin e shekullit XXI, që për Moikomin ka filluar prej kohësh.
Kjo është golgota, siç është edhe vetë krijimi, ku vetvetiu gjithçka zë vend. Deri te fjala e vogel “Ah” që shfaqet diku papritur dhe që shpreh brymën e një bote përtej largësive por aq pranë nesh.

Gostia e madhe e forcës dhe triumfit

Me “Golgotën e fluturave” Moikom Zeqo do që t’i thotë lexuesit: -Eja ta ndajmë këtë hapësirën time të beftë dhe këtë përpjekje gati hyjnore, së bashku me pemët, me zogjtë, me yjet, që gjithçka të bëhet më e lehtë! Ose në vend të tyre, së bashku me Homerin, Witmanin, Ricosin, Majakovskin, madje edhe me Poul Claudel.

Atëherë duhet ta pranojmë se jemi në një gosti si thotë vetë poeti. Dhe Moikom Zeqo na tregon të vetmen kishe fluturuese. Në këtë univers të njeriut në vetminë e tij, por me materien dhe shpirtin e të gjithëve, poeti herë zë vendin e luanit, herë Krishtin e bën tigër, herë lëshon kuajt në vend të zemrës së tij. Dhe pas një Meduze të dashuruar, që ka vënë syze dielli, një luan lexon me syze ungjillin e Matheut. Deri sa shfaqet edhe luani i klonuar që lexon vargjet e Majakovskit. Ndjesia e forcës njerëzore gjendet në këtë vazhdimësi të madhe përtej historisë, ku njeriu zbërthen misterin e vet. Dhe delikatesë do të thotë të gjendesh atje ku nuk ka më mbretër. Por vetem “gjilpërë e ankthit në gramafonin që gërryen historinë.”

Kështu lindin fluturat. Por a mund të mos ketë mbretër? Një tjetër dilemë. Sepse mbretër mund të ketë edhe në letërsi. Dhe kjo është një forcë imponuese. Poetit me një botë gati të paarritëshme zotëruese i duhet ‘tigri i ballit të tij dhe nga ana tjetër në dialog ujqërit superborealë.

E pranojmë më në fund se jemi në botën e njeriut, ku vetëm sendet janë laike.

Në këtë kuptim bota, si gjithësi dhe si e tërë që nga nerënxat buzë detit, deri te yjet, nga Redoni deri te drita kuantike, vrapon pa mundur të shkëputet prej forcës niçeane, në kalvarin e trajtave të mbinjeriut që nënkupton edhe ndjeshmërinë më delikate, që në rastin e Moikom Zeqos nuk kishte ku ta vinte frymën tjetër, vetëm në Durrësin që deri sot mbledh gjithë kohërat së bashku.Dhe në të gjithë rrënojat shqiptare.

Në këtë botë poetike duket sikur edhe spiralja e dëshirave nuk egziston. Sepse si thotë autori, gjithçka atje ku jeton e ka marrë me qera. Dhe rezultati është i dhënë. Vetëm krijohet rivendosja e cila vë gjithçka në lëvizje …

“Ç’janë këto ëndrra sa të rënda dhe të pafuqishme “

Kthimi drejt të kaluarës dhe lashtësisë i ka munduar gjithnjë krijuesit e mëdhenj.

Moikom Zeqo e sjell të kaluarën të jetojë, duke tejkaluar kohën e Karducit të mahnitur me paganizmin, sepse nuk mund t’i mjaftojë vetëm paganizmi i Zarathustrës. Ky është tipar i çdo shoqërie të trazuar deri në thellësitë e veta.Dhe si për të shpëtuar prej saj poetit i intereson historia e trëndafilit, me të cilën mund të krijohet një univers i ri. “Ç’gishto i ka këta trëndafilë në pyllin e mrekullive” thotë poeti që krijon këtë botë të tij.

Dhe të krijosh një realitet nga e para është gjë madhështore. Por për këtë nevojitet edhe revolta, një revoltë e shtruar, si ajo e kuajve të egër në zbutje e sipër. Nuk është thjesht një realitet i krijuar prej kujtesës, por prej ëndrrave si thotë poeti.

Bota e Moikom Zeqos është një botë e krijuar kaq vertikalisht që nga Hadi deri te yjet. Nuk ka asnjë paralele, madje kund asnjë lloj shoqërizimi me të tjerë bashkëkohës sepse ata nuk egzistojnë.
Kjo është një përballje letrare me botën e konsumit, ku edhe vdekjet e poetëve janë si vdekjet në teatër, me zgjim në amëshim.

Dhe pyetjet janë edhe më munduese.

Ç’është ky shekull i XII, në të cilin i zgjohet poetit në duar një aromë trëndafili dhe njëkohësisht dhe më pastaj kush është enigma e tij në një ditë janari të vitit 1995.

Duket sikur pas mijra vjetësh jemi zgjuar në një periudhë të re, deri sa ky shekull na kujton se rifillon të flitet për arbër.

Në këtë botë shndërrimesh dhe mutacionesh poeti nuk pranon shndërrimin e grave në peshq. Por pranon vetë abstraksionin, këtë element poetik po aq real si ai që shndërron edhe barin në qumësht.

A mund ta quajmë poetin fitimtar? Ndoshta mund të jetë fitimtar ndoshta dhe jo. Përderisa lumbardha e përbashkët e De Radës dhe Moikom Zeqos ka ngritur fole në kafkën e Adamit. Nuk dihet se sa fitimtar është një yll, me nje bri, si i njerëzuar, por edhe i mangët, edhe me shkëlqim. Densiteti i tillë është jo vetëm i rrallë, por edhe i shumfishtë. Njëkohësisht fitimtare dhe humbëse, me një dyzim të përhershëm, shpaloset kësisoj vetmia e poetit, vetmia e shekujve, e atyre që nuk kthehen më, vetmia e përjetësisë. Por njeriu i Moikom Zeqos, që futet si në një shtrat në një libër e ka kapërcyer edhe fitoren.

Të pranosh botën në formën e mutacionit ose të shndërrimit, apo të bashkëjetosh me një botë të ikur që ngjit shkallët, sipas një kalvari të ri për të egzistuar po aq e paprekëshme dhe e mahnitëshme, nuk ka dilema se mund të udhëtosh vetëm po të të marrë për dore Moikon Zeqo.

“Zeusi nuk ka ditëlindje, por jaseminët kanë” thotë poeti.

Dhe herë pas here, po me aq delikatesë, kjo botë që nuk ka moshë shfaqet me një nerënxë të vetme.