Moikom Zeqo: Ti ikën, ikën… ti mbase s’kishe ardhur

Ti efemera ime (e imja?),
Vetëm një çast të putha dhe e kuptova
Se emri yt s’ishte pavdekësia,
Vetëm një çast
Dhe ti ishe e tëra ky çast!
E ç’është një kometë e panjohur,
Që duke dashur të shkëputet nga e panjohura
Bëhet i njohur,
Por prapë ikën
Tek e panjohura!
Një kometë,
Që përplaset në polin e dashurive tona,
Bjen, thërmohet
E shpërthen në shira mirazhesh –
Ishte dhe s’është më!
Eja, eja, eja!
Herë toka do të zhveshë stinët
Në garderobën e muzgut,
(Kinkalerinë e yjeve,)
Herë unë
Në gjendjen time ambivalente dhe kaotike
S’jam unë siç isha në fillim
Kur vjen vjeshta e moshës.
A s’janë pranvera dhe vjeshta
Si pozitivi dhe negativi
I së njëjtës fotografi ?
Ti ikën, ikën. Ti mbase s’kishe ardhur,
Ndaj s’kishe dhe si të ikje!
Se nëqoftëse në të vërtetë s’erdhe tek unë
Çdo ikje s’ka kuptim!

Durrës, 2 korrik 1971

*Titulli i origjinalit: “Ti efemera ime”

——————

Lexo edhe:

Shkrimi i fundit i Moikom Zeqos

ObserverKult