Skenaristi i njohur Bashkim Zadeja ka bërë thirrje qeverisë që të ndihmojë aktorin e njohur shqiptar Guljelm Radoja pasi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore nga Covid-19.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zadeja shkruan se aktori është shtruar në spitalin e Durrësit ku po merr mjekim. Por gjendja e tij është shumë e rënduar dhe nevojitet që të dërgohet jashtë vendit për të një shërbim më të specializuar.
Kjo u diskutua edhe nga Rudina Magjistari në Tv Klan.
Rudina Magjistari: Çfarë mund të themi për lajmet më të fundit përsa i përket gjendjes së tij shëndetësore?
Monika Lubonja: Këta aktorë kanë ngelur të varfër dhe mendoj që kemi kaq pak aktorë. Na kanë ngelur aq pak kolosë të atyre viteve sa mendoj që duhet t’i bëjmë një thirrje shtetit që të nxjerrë ca paketa për këta aktorë. Sepse po t’i numërojmë me gishtat e dorës, nuk bëhen dot as 10. Le të krijohet një paketë për ta. Mesa di unë ai nuk ka asnjë pension të veçantë. Janë disa gjëra që neve nuk duhet të na humbasin në vëmendje. Jo vetëm ne artistëve, por edhe duke ngritur këtu zërin me juve. Duhet patjetër Ministria e Kulturës, duhet të jenë drejtorët ata që t’i çojnë dhe t’i ngrejnë sa më shumë këta pak aktorë, thesarë që kemi.
Rudina Magjistari: Dua të di pak më tepër për situatën, vazhdon ende të jetë i shtruar në spital?
Monika Lubonja: Vazhdon të jetë ende i shtruar në spital sa mora vesh, më thotë edhe Mimoza një aktore e Durrësit që i kanë vajtur disa mjekë në spitalin e Durrësit. Nuk ka pranuar, do të rrijë të kurohet pranë mjekëve të spitalit të Durrësit. Nuk dëshiron të lëvizë në Tiranë. Gjendja është kthyer në një normalitet, dje kanë provuar t’i heqni intubimin dhe thonë që deri tani trupi ka reaguar mirë. Ky është lajmi i fundit deri më sot, në këto momente. Shpresa e tyre thonë që ne Guljelmin duam ta shohim me atë biçikletën që udhëtonte.