
Jetët e humbura të njerëzve të pafajshëm të Kosovës, si pasojë e ushtrimit të gjenocidit serb, vazhdojnë të jenë një plagë që djegin dhe dhembin ende në ditët e sotme. Në mënyrë të vazhdueshme kërkohet të zbardhet e vërteta se ku prehen eshtrat e tyre, cili është fati i jetës së tyre. Mes tyre është dhe një nënë që kërkon fëmijët e saj, tashmë e sjellë në monodramën “Engjëjt” të dramaturgut Odise Plaku, i cili me këtë vepër shënon një tjetër premierë në skenën shqiptare. E veçanta e saj është pasi kjo vepër bashkon tre artistë, dramaturgun Odise Plaku nga Shqipëria, aktoren Vefi Redhi, që për këtë shfaqje vjen nga Greqia dhe regjisorin Naser Shatrolli nga Kosova. Dramaturgu Odise Plaku thotë se është një vepër e fuqishme, që do të flasë shumë në interpretimin e fortë të aktores Vefi Redhi që vjen në skenë si Hana.
“Aktorja Vefi Redhi vjen, me një vepër të sajën të plotë, me një dëshirë të madhe pas shumë vjetësh mungesë në skenën shqiptare, pasi ajo jeton në Greqi, ku luan në teatër dhe kinematografi. Në këtë vepër trajtohet gjenocidi serb ndaj popullsisë së pafajshme në Kosovë, fati i zhdukurve. Një nënë, që kërkon fëmijët e saj”, thotë dramaturg Plaku. Dramaturgu Odise Plaku tregon se regjisori Shatrolli ka punuar në mënyrën më të mirë të mundshme si në adaptimin e tekstit origjinal, por ka shfrytëzuar potencialin e mrekullueshëm të aktores Vefi Redhi.
“Ajo do të mishërojnë fuqishëm në skenë figurën e nënës kosovare, që nuk ndalet në rrugëtimin e saj të gjatë të lodhshëm, të mbushur me plot sakrifica për të zbuluar fatin e fëmijëve të tyre”, shprehet Plaku në prononcimin e tij. Pas shumë javësh bashkëpunimi mes autorit Odise Plaku, aktores së njohur Vefi Redhi, që aktivitetin e saj skenik dhe kinematografik e zhvillon në Greqi dhe regjisorit nga Kosova Naser Shatrolli po afrojnë ditët kur vepra teatrore “Engjëjt” të jetë e pranishme për spektatorin në skenën e teatrit “Metropol” në kryeqytet.
Do të jetë pikërisht Tirana nga do të nisë rrugëtimin skenik dhe artistik kjo vepër për të udhëtuar më pas si brenda vendit dhe jashtë tij. Shfaqja do të jetë në datat 7, 8 dhe 9 mars në sallën “Çehov” të teatrit Metropol në Tiranë. Asistent regjisor Shend Tejeci, skenografia dhe kostumografia Arife Veselaj dhe muzika Hajrush Fazliu.
Mbi monodramën “Engjëjt”
Hana, një nënë kosovare, është në ditët më të vështira të jetës së saj. Bën vite që kërkon t’u dëgjojë edhe një herë zërin fëmijëve të saj, Verës dhe Diellit, që ia rrëmbyen barbarisht ushtarët serbë gjatë bastisjes së shtëpisë së tyre. Jeta e saj ka humbur kuptimin. Nga përballja çdo ditë me të njëjtat gjëra: mediet, institucionet, gjykatat, policinë e deri te kalimtarët e rastit, i duket vetja si një robot, që kryen lëvizje mekanike. Edhe vetë ajo është lodhur nga kërkesa e përsëritur për të mësuar fatin e fëmijëve të saj. Të pagjeturit është një temë e nxehtë në jetën e Kosovës dhe të qytetarëve të saj, pjesë e së cilës është vetë Hana. Ajo ndien neveri për njerëzit e veshur me pushtet të çdo ngjyre politike, pasi përdorin emrat e të pagjeturve për të marrë vëmendje për të ngritur nivelin e pozitës së tyre. Ajo është në dilemë se kujt duhet t’i besojë e kujt jo, madje arrin deri aty sa vë në dyshim besimin ndaj Zotit. I duket se edhe ai po i bën padrejtësi me heshtjen e tij në këto momente të vështira të jetës së saj.
Shkrimi i monodramës
Veprat e autorit Odise Plaku janë vënë në skenat tona, duke përcjellë emocione te publiku. Por ai shprehet i lumtur që arriti të kurorëzohej një vepër e re në skenë dhe ajo që e bën akoma dhe më të dashur këtë arritje, sipas tij është fakti se në këtë bashkëpunim janë tre artistë shqiptarë që jetojnë në tre shtete të ndryshme Shqipëri, Kosovë dhe Greqi. “Kur jam vendosur në kontakt me aktoren Vefi Redhi, me të cilën kemi pasur një miqësi të hershme, por jo të drejtpërdrejtë, dhe kam mësuar dëshirën e saj për të realizuar një ardhje në skenën shqiptare pas kaq vjetësh, mendja më shkoi drejt e në “Tirana, kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut”. Bëja vite që kisha nisur një tekst dramatik mbi fatin e të zhdukurve në Kosovë, por në mënyrë të veçantë të fëmijëve. Shkëndijat krijuese m’u ndezën sërish dhe shkrova monodramën “Engjëjt””, thotë dramaturgu. Pas Tiranës monodrama “Engjëjt” do të shfaqet në Vlorë në datat 11 dhe 12 mars. Padyshim që ajo do të rrugëtojë dhe në Kosovë dhe në vende të tjera.
ObserverKult

Lexo edhe:






