Mos lejo që një shitës rrepe të përcaktojë vlerën tënde

Foto ilustrim

Në qytetin e Samarrës, Irak, i cili ndodhet në veri të Bagdadit, jetonte një pedagog, Ebul Hasen, një nga intelektualët e rrallë të Irakut. Mes shumë studentëve, ai kishte dhe një student të varfër dhe nevojtar, por shumë të zgjuar dhe ambicioz.
Një ditë të vështirë, studenti vajti të blejë diçka për të ngrënë. Me vete kishte vetëm 150 cent, ndërkohë që një vakt ngrënie me rrepë kushtonte 200 centë. Me njëqind centë ai bleu një bukë dhe me pjesën e mbetur vajti të blejë ca rrepë. Iu afrua një shitësi dhe i tha: “Kam vetëm pesëdhjetë cent.”
Shitësi iu përgjigj: “Por një racion rrepë kushton njëqind.”
Student i tha: “Do të të tregoj diçka rreth shkencës në këmbim të pesëdhjetë centëve.”
Shitësi iu përgjigj me ironi: “Nëse shkenca jote do të të kishte bërë dobi, do ta kishe fituar me djersë atë 50 centsh e s’do të vije tek unë. Tani shko fute në një gotë me ujë atë shkencën tënde dhe pije në vend të rrepës!”
Fjalët e shitësit i ranë si shpatë e mprehtë studentit, i cili me vete tha: “Po, e vërtetë, nëse do më bënte dobi shkenca që studioj, do t’i kisha siguruar paratë e ushqimit, por kam dhjetë vite studime dhe as një 50 centsh se siguroj dot. Do të heq dorë nga studimet e larta.”
Pas disa ditësh mungesë, pedagogu u interesua për studentin e tij ambicioz dhe fisnik. Studentët e tjerë i treguan se ai i kishte lënë studimet dhe kishte filluar punë për të përballuar jetesën e vështirë.
Profesori e mori adresën e studentit të tij dhe i vajti në shtëpi. Pasi e gjeti dhe hyri brenda, e pyeti përse kishte vendosur të heqë dorë nga studimet.
Student ia rrëfeu fije për pe historinë me shitësin e rrepës, ndërkohë që lotët i rridhinin faqeve çurg.
Pedagogu, pasi e dëgjoi i tha: “Nëse të duhen para, merre unazën time dhe shite, me ato para plotëso nevojat e tua.” Studenti iu përgjigj: “E urrej shkencën dhe dijen sepse nuk më kanë sjellë asnjë dobi material.”
Nën presionin e nevojës dhe nën insistimin e profesorit, studenti e pranoi unazën dhe vajti tek argjendari ta shesë. Me ta parë, argjendari e pyeti: “Ku e ke marrë këtë unazë?”
“Ma ka dhuruar profesori im, Ebul Hasen”, iu përgjig.
Argjendari dyshoi dhe mori studentin dhe të dy vajtën tek pedagogu në fjalë, i cili e siguroi se ia kishte dhënë ai.
Mandej, argjendari e vlerësoi unazën dhe i dha paratë sipas vlerës.
Të nesërmen u takuan dhe profesori e pyeti: “Ku vajte për ta vlerësuar dhe shitur unazën?”
Studenti:”Tek argjendari.”
Profesori: “Përse vajte tek argjendari dhe jo tek shitësi i rrepës?”
Student: “Sepse vetëm atje e dinë vlerën e vërtetë të arit dhe sendeve të çmuara.”
Profesori: “Po përse pranove që dijen tënde ta vlerësojë shitësi i rrepëve dhe të të thotë se çfarë ke mësuar e mëson nuk vlen fare? Dijen tënde nuk e vlerëson veçse një i ditur dhe ti je nga studentët e mi më të ditur. Kurrë mos lejo që ta përcaktojë vlerën tënde akademike dikush që s’të njeh dhe se vlerëson dijen. Njerëzit janë si metalet dhe metalet e shtrenjtë nuk i vlerëson dot kush veçse një argjendar. Prandaj, kthehu sërish në auditor dhe vazhdo studimet!”

Perktheu nga arabishtja: Elmaz Fida

ObserverKult


Lexo edhe:

KUR MÁRQUEZ FLISTE PËR ROMANIN “NJËQIND VJET VETMI”: TËRË FRIKË PYETA SE ÇFARË DREQIN DO TË VINTE MË PAS…