Mos u dorëzo, Ines!

Në moshë të re, në Beograd, Arsen Dediq u takua me Ines Barezi nga Spliti. Ata u lidhën për një kohë, por dashuria e tyre nuk zgjati përgjithmonë. Ines u shpërngul në Milano, ku u martua me dikë tjetër.
Në vazhdim gjeni një variant përkthimi përgatitur nga ObserverKult, të poezisë antologjike “Mos u dorëzo Ines” (Ne daj se Ines), që kantautori kroat Dediq ia kushtoi të dashurës së zemrës
, si dhe videon ku në origjinal e interpreton Rade Serbedzija.

Mos u dorëzo Ines

Mos u dorëzo Ines, mos ju dorëzo moshës, Inesi jem!
As plogshtisë s’pleqënisë, se dhomën e ke hala t’nxehtë, me mobilje t’kandshme, dekor mahnitës.

Ke pasë ma shumë shije se unë. Dhoma jote – mrekulli.
T’zojën e ke n’spital…

Ke dallu gjithë prej grave që kam njoftë edhe për nga ngjyra e lapsave për me i qitë ndjenjat n’letra. Për nga dhuratat.

M’përcjelle n’nantë t’mëngjesit te stacioni e u rrokullis autobusi i gjelbër si nji gjethe letre nga stuhia e vjeshtës n’rrëpirën e Beogradit.

Jam i veshun me kostum t’mbramjes dhe i rrethuem prej vështrimeve plot kurreshtje t’kalimtarëve t’rastit.
Mos u dorëzo rinia jem, mos u dorëzo Ines!

Shumë kohë përpara u bo gati njohja jonë,  
E pastaj rastësisht me ka nji raki t’nxehtë, e mas nji muhabeti – edhe n’realitet.
I kotë ish tentimi me i strehu epshet e njipasnjishme mjaltore pas bebzave t’lshume përtokë, qepallave lozonjare gjysëm t’mbylluna.

Po natyra jote prej zoje, faqet e skuquna katundare, ah çapkënja dhe fisnikja jem.
Po gjinjtë e amël plot nektar?
Po krevati e dhoma ime e varun n’ajër si portokall zjermi?
Si një llambë portokalli mbi lumin e gjelbër t’Zagrebit,
Brigada e Proletarëve 39 tek Gërkoviq.

N’rrugën e përmbytun prej shiu,
N’ jehonën e tramvajve t’mbramjes,
N’çastet hyjnore t’nostalgjisë, dashnisë e varfnisë,
Përdorimi i banjos s’ përbashkët dhe, ” t’lutem nëse dikush m’lypë”

Mos u dorëzo, Ines!

Qe po çohna n’kambë për me e ndrru pllakën e gramafonit. Por, mos nashta asht’ mëkatar çasti? Mocart, Rekuem, Agnus Dei… mua m’duket i duhun. Kam miliona ndjenja magjike, kujtime t’shkëmbyme n’rini që para syve na tradhtojnë, vjedhin dhe ikin.

Mos u dorëzo, Ines!

Shkyje ftesën, shtyje darkën, tradhëtoje burrin me kujtimin për mua.
Ik krehu në nji hotel ma t’ mirë, lakuriq para pasqyrës, me  flokë të lëshume deri n’bel. Përkdhelëm nër tavolinë me gjunjtë  e djersitun prej nektarit t’dashnisë.

Moshatarja jem, dashnorja jeme.
E di që s’ka me u nalë rinia, por as s’ka me i përngja asaj t’1938 –tës.
Edhe sikur t’mbetesha përgjithmonë i ri, çka kish me mu dashtë rinia pa ty.
E çka m’duhet rinia n’ishullin e braktisun prej njomësisë s’rinisë tande.

Prap ka me ra shi, qysh bjen gjithë n’tetor n’kta ishuj t’bekumë bregdetar.
Deti ngjyrë plumbi, qielli ngjyrë pishe, jehona e zanave t’largët,
Zani i nanës, mikut, vashës, dashnorës, vëllaut, anijes,
Teshat e mbledhuna me shpejtësi para shiut,
Edhe pak shëtitje buzë detit n’bardhësi t’mbramjes dhe mori fund…
 
Mos u dorëzo, Ines!/ ObserverKult