Muhamedin Kullashi: A ishte kritika e Nietzsches mbi Etikën e Kantit e qëlluar

Nga Muhamedin Kullashi

Friedrich Nietzche (Niçe,1844-1900) shquhet edhe si kritik i ashpër i etikës së Kantit (1724-1804). Kjo kritikë është zhvilluar në veçanti në veprat “Përtej së mirës dhe së keqes” (1886) dhe “Gjenealogjia e moralit”(1887). Vepra këto ku Nietzche shpalosë njerin nga koncepcionet më origjinale në historinë e filozofisë mbi moralin dhe teoritë mbi të.

Ky origjinalitet shtjellohet nëpërmjet kritikës së teorive mbi moralin, duke filluar nga ajo e Platonit e deri te ato te mendimtarëve bashkëkohor. Thënë shkurt, sa i takon etikës së Kantit, Nietzsche i drejton kritika që synojnë të godasin thelbin e saj : njera ka të bëjë me ambicien e Kantit që të formësojë një etikë me karakter univerzalist, etikë e cila nuk do të vlente vetem për një grup individësh, për një popull, për një kulturë apo për një qytetërim por për njerëzimin në përgjithësi.

Kritika tjetër ka të bëjë me pikëpamjen e Kantit mbi njeriun, i kunduruar si qenie e cila është e ndarë dhe e përçarë thellësisht midis arsyesë dhe anëve të tjera që e përbëjnë : ndjenjave, imagjinatës, pasioneve, instikteve, të cilat ai i përmbledhë ndonjëherë në një sferë, në sferën e « natyrës » brenda njeriut. (Kanti e gjen lidhjen midis kêtyre dy sferave nê fushên e estetikês nê Kritika e aftêsisê së tê gjykuarit)

Etika si sundim i arsyes mbi trupin

Synimin univerzalist të etikës së Kantit, Nietzsche e kritikon nga një pikëpamje krejt tjetër mbi moralin. Kjo pikëpamje shquhet në veçanti me theksin te mëvetësia e individit si qenie krijuese, te veçantia e pikëpamjeve te tij morale (apo hudhja e tyre) e jo nga nënshtrimi apo përvetësimi i nocioneve dhe paradigmave morale kolektive. Për Nietzsche-n, paradigma univerzaliste nuk është horizont brenda të cilit individi krijues mund ta zbulojë dhe ta realizojë një etikë origjinale, rrënjësisht e ndryshme nga ato tradicionale.

Aq më tepër se për Nietzsche-n krijimtaria e mirëfillt, në cilindo fushë, në filozofi, shkencë apo arte, është çështje e individëve dhe elitave që kanë aftësi krijuese, në dallim nga « masa » apo « turma », që është e privuar nga këto dhunti.Kritika tjetër e Nietzsches mbi Kantin mund të rezymohet shkurt me dallimet kyçe të këtyre dy mendimtarëve mbi njeriun : për Nietzschen Kanti e thellon një përçarje dhe konflikt, të cilin e futi së pari platonizmi, midis mendjes dhe trupit, si dy botëra të kundërta dhe të papajtueshme.

Në Kritikën e mendjes praktike njeriu mund të realizohet si qenje etike, që për Kantin do të thotë qenie e mirëfillt njerëzore, vetëm atëherë kur mendja apo arsyeja e përcakton vullnetin e njeriut me parime univerzale, të cilat kapërcejnë interesat e një individi apo të një grupi. Nietzsche ka kritikuar ashpër pikëpamjen e Kantit se njeriu bëhet njeri vetëm atëherë kur vepron sipas imperativit kategorik, si parim kyq etik.

Ai ka kritikuar në veçanti aspektin rigoroz të këtij imperativi, duke e interpretuar si një nënshtrim i qenies njerëzore, në tërë begatinë e tij të shumfisht, ndaj një urdhëri të jashtëm, një urdhër i rreptë i cili me disiplinën e vet ndrydhë mundësitë krijuese të njeriut.

Sa i përket vërejtjes së parë të Nietzsches, duhet të cekim se synimi i etikës së Kantit për një nivel univerzal, jo vetëm se nuk e përjashton fuqinë krijuese të individit por ky është madje kusht që mendimi etik të arijë horizontin gjithënjerëzor. Në fakt, Kanti shënoi kthesë vendimtare në historinë e mendimt mbi moralin, pikërisht pse synoi të ndriçoi shtigjet për një etikë që nuk do të jetë zakon apo adet i një grupi individësh apo i një shoqërie.

Ai e dinte mirë se i gjithë njerëzimi nuk do të veprojë sipas një imperativi kategorik ; madje, në faqet e fundit të Kritikës së mendjes praktike shpreh dyshimin se njeriu mund të gjejë në vete forcë që veprimet e veta t’i përcaktojë vetëm me rigorozitetin e parimeve univerzale etike. Mirëpo, ai dëshironte të vejë në pah se këto parime univerzale janë pikësynim me të cilat njeriu shkëputet nga moralet e veçanta të shoqërive e kulturave të ndryshme për ta arrijtë një horizont ku njerëzit takohen si qenie etike (këtu nuk mund të hyjmë në dallimet midis moralit dhe etikës).

Si bëhet etik një veprim? Se Kanti nuk predikonte ndonjë moral të « turmave » shihet edhe në mënyrën si e përkufizon ai burimin e etikës: është autonomia e vullnetit me të cilën individi duhet t’i zbuloj ose t’i krijoj gjitheherë sërish, nga brendia e vetes, e jo t’i gjejë të gatshme në urdhëresat e jashtme (të mësuesit, priftit apo mbretit), maksimat e veprimeve të veta, në situata konkrete.

Që të jenë etike këto maksima duhet të mund të ngriten në rafshin univerzal, gjithnjerëzor. Kanti e sqaron imperativin kategorik me një formulë të thjeshtë : « Trajtoje njerëzinë brenda vetes dhe te tjetri, gjithmonë si qëllim e asnjëhere si mjet ». Maksimat e vrasjes, vjedhjes ose mashtrimit, ndërkaq, nuk mund të ngriten në rafshin univerzal sepse do ta godisnin vet atë i cili i predikon ato.

Kanti në etikën e vet nuk na jap reçeta si t’i paracaktojmë veprimet tona. Mbi të gjithat, etika e tij na cytë të problematizojmë përmbajtjen dhe domethënien e veprimit tonë, të pyesim në emër të çkafit një veprim mund të cilësohet si veprim etik. Vërejtja e dytë kritike e Nietzsches, për ndarjen e njeriut në dy botëra të kundërta te Kanti, për rreptësinë e imperativit etik, është e saktë.

Nietzsche ka një koncepcion shumë më të thellë mbi njeriun : ai nxjerrë në shesh sa begatinë e shumëfisht të mundësive të njeriut aq edhe gërshetimin e jo përçarjen midis të menduarit, në njerën anë, dhe ndijimit, vullnetit, shqisave, imagjinatës e dëshirës, në anën tjetër. Megjithkëtë, te Kanti koncepti i autonomisë (auto-nomos : t’i japëshë vetes ligjet) i vullnetit është ngushtësisht i lidhur me lirinë e njeriut, e pikërisht karakteri i lirë i veprimit është ai që i jap dinjitetin njeriut.

Ndonëse Nietzsche ka qëndrime jo vetëm të ndryshme por edhe të kundërta, në shumë pika, me etikën e Kantit, megjithatë, në disa fragmente, largimi nga Kanti ndonjëherë përfundon me takimin e ndonjë pikëpamje të tij. Kësisoj në Përtej së mirës dhe së keqes (fr.188), ai shkruan : « Ajo që është thelbësore, në çdo moral, ajo që përbën vlerën e saj të paçmueshme, qëndron aty se ai është një shtrëngesë me kohëzgjatje të madhe : për ta kuptuar stoicizmin, Port-Royal apo puritanizmin, është mirë ta kemi parasyshë se gjithmonë pikërisht në saje të shtrëngesës që, fjala vjen, një gjuhë arrinë të fitojë lirinë dhe forcën e vet : shtrëngesa metrike, tirania e rimës dhe e ritmit.

Sa punë të mundimshme i kanë bërë poetët dhe oratorët e të gjitha vendeve! Pa i harruar disa prozatorë veshi i të cilëve është një gjykatës i rreptë. -Gjithë këto « për një absurditet », siç thonë utilitaristët trashanik, që kanë përshtypje se kështu bëjnë një vërejtje inteligjente ; të gjitha këto për hirë « serviliteti ndaj ligjeve arbitrare », siç thonë anarkistët të cilët e mashtrojnë kësisoj veten se janë « të lirë », e madje mendimtarë të lirë.

Në fakt, sado e çuditshme që kjo mund të duket, gjithë ajo që është dhe gjithë ajo që mbi tokë ka patur liri, subtilitet, guxim, vallëzim dhe siguri mjeshtërore, çoftë në mendimin, në artin e qeverisjes, në të folurit dhe të bindurit, në arte apo në zakone, s’është zhvilluar ndryshe veçse në saje të tiranisë së këtyre « ligjeve arbitrare » ; dhe thënë me seriozitetin më të madh, sipas të gjitha gjasëve, mu aty gjenden « natyra » dhe « e natyrshmja » e jo në formulën « le te shkoj » (laisser aller)!

Çdo artist e di nga përvoja e vet sa shumë larg është gjendja e tij më e natyrshme nga qëndrimi « le te shkoj » (« laisser aller »), atëherë kur, me liri të plotë, në çastet e frymëzimit, ai urdhëron, rregullon, ndërton dhe sajon – me çfarë rreptësie të përpikët ai i nënshtrohet atëherë mijëra ligjeve rebele ndaj çfarëdo definicioni, pikërisht për shkak të rigorozitetit dhe saktësisë së tyre (ndërkaq, konceptet më të qëndrueshme në krahasim me ato janë diçka e paqartë, komplekse dhe ekvivoke).

Thelbësorja, « mbi tokë sikurse edhe në qiell », duket të jetë, ta përsërisim këtë, të bindem një kohë të gjatë dhe në një drejtim të vetëm : kjo shpie pas një kohe të gjatë dhe gjithmonë te ajo që bën që jeta të vlejë të jetohet : te virtyti, te arti, muzika, vallëzimi, arsyeja, spiritualiteti, te diçka që transfiguron, te diçka e rafinuar, e çmendur, hyjnore. »

Pikëtakimi i dy filozofive të kundërta

Të veçojmë nga ky tekst pikëpamjen e Nietzsches se « natyra » dhe e « natyrshmja » e mirëfilltë nuk nënkupton ndonjë spontanitet të lirshëm, që rrjedhë vetiu, ngase format e ndryshme të aktiviteteve të njeriut (mendimi, arti i qeverisjes…) bëhen apo formësohen nëpërmjet shtrëngesave (« ligjeve arbitrare »), përkatësisht një mundi krijues, që ka në vete rregulla të disiplinës. Rima e mirë del nga « një tirani » e kërkimit dhe kjo është rruga nëpër të cilën poeti arrinë të fitojë « lirinë dhe forcën e vet ».

Ajo që në kërkimin e poetit apo muzikantit, për utilitaristët trashanik është vetëm servilitet ndaj « ligjeve arbitrare » të këtyre « displinave », për Nietzschen, në këtë tekst, është veprimtari krijuese, sa komplekse aq edhe e mundimshme ; veprimtari e cila bëhet e natyrshme për artistin pikërisht përmes një gjurmimi rigoroz i cili shpie te të qenmit e lirë të tij. Zbulimi dhe sajimi, pas një rrugëtimi të gjatë, i gjithë asaj që bën « që jeta vlen të jetohet » (arti, arsyeja, spiritualiteti…) kalon përmes një « rreptësie të përpikët ».

Kjo pikëpamje është shumë e ndryshme nga ajo që Nietzsche zhvillon në shkrimet mbi vrullin krijues që buron nga parimi dionizian.
Këto ide të thella e të fuqishme të Nietzsches janë shumë të afërta me disa ide të Kantit, pikërisht në shtjellimet e tij mbi etikën. Kanti e shikon natyrën e mirrëfillt të njeriut si transformim krijues i shumanshëm i natyrës së dhënë (si fakticitet biologjik), i trupit dhe mendjes së tij.

Njeriu mund të bëhet, sipas tij, qenie e lirë vetëm duke përpunuar, me një veprimatri komplekse, natyrën e dhënë brenda tij ; duke e transformuar këtë në një natyrë të dytë, të mirrëfillt të vetes. Me këtë veprimtari krijuese, të cilën ai e realizon veten duke e formësuar vullnetin e vet, ai njëherazi zbulon parimet me të cilat mendja e përcakton dhe e orienton vullnetin në zgjedhjen e veprimeve me të cilat ai afirmohet si qenie njerëzore e jo thjesht natyrore.

Së këndejmi, duke zbuluar ligjet me të cilat e vetëformëson veten, njeriu, për Kantin, shkëputet nga kauzaliteti i ligjeve të natyrës, që përckatojnë të gjitha qeniet, dhe pushton një hapësirë të mirrëfillt njerëzore (artin, filozofinë, artin e qeverisjes etj.)

ObserverKult


Lexo edhe:

MUHAMEDIN KULLASHI: PASIONI I IMAZHEVE NË VEPRAT E BAUDELAIRE-IT