Tregim nga Antonio Tabucchi: Mund të jesh ti…

Nga Antonio Tabucchi

Artikulli i Gazzetta del Mare ishte pa emër, ishte botuar në faqen e parë dhe zinte vend, mes fakteve të ndryshme, në dy kolona: në faqen e brendshme kishte një gjatësi të pranueshme.
Veç kësaj, aty ishte botuar edhe fotografia e të vdekurit. Ishte fotografia që kishte bërë policia. Korado-ja kishte arritur ta siguronte, botimi i saj ishte i nevojshëm për hetimin, që policia ta dinte për cilin ishte fjala. Diçitura thoshte: Banditi pa emër.
Mbasi largoi mënjane mbeturinat e mëngjesit, ai hapi gazetën mbi tryezë, ndërsa Sara po merrej me dhomat e tjera.
– E pe, – thirri ajo që nga kuzhina, – duket që nuk e njeh njeri. Artikulli nuk duhet të jetë i Korado-s, veç të tjerash, ai është botuar pa emër.
Ai e dinte që artikulli nuk ishte i Korado-s, ishte i një kronisti të ri që kishte mbledhur të dhëna të ndryshme, ai ishte tepër i shkathët, para disa muajsh ishte marrë me një çështje korrupsioni në port, duke shkaktuar një zhurmë të madhe.
Ai lexoi vetëm mesin e artikullit, duke e kapërcyer fillimin krejt të rëndomtë, që fliste për luftën kundër vjedhjes:
“Një përleshje tragjike ndodhi këtë natë në qytetin tonë, në një apartament që ndodhet në katin e fundit të një ndërtese në rrugën Case Dipinte, në zemër të lagjes popullore të Arsenalit. Pas një telefonate, për të cilën hetuesit ruajnë sekretin më të madh, pesë njerëz të Forcave Speciale ndërhynë në apartament pak pas mesnate. Pas thirrjes së zakonshme të policisë “Hapeni, policia!”, zaptuesit e apartamentit, emrat e të cilëve nuk dihen ende, hapën menjëherë zjarr nëpërmjet derës, duke plagosur rëndë njërin nga agjentët e policisë. Agjentit Antonio di Nola, njëzet e gjashtë vjeç, në shërbim që prej dy muajsh në qytetin tonë, iu bë një ndërhyrje e hollë kirurgjikale. Keqbërësit zunë vend mirë në një skutë pranë hyrjes dhe mundën të hipnin në çati, duke dalë nga dritarja. Para se të iknin, pa dyshim që këtu është fjala për episodin më të dyshimtë, për të cilin nuk ka një mendim të vetëm – qëlluan mbi njërin nga njerëzit e tyre. Njeriu vdiq para se të arrinte në Spitalin e Vjetër, ku e çuan me urgjencë.
Identiteti i këtij njeriu është i panjohur. Ka shumë të ngjarë që të ketë qenë me dokumente të rreme. Bëhet fjalë për një të ri nga njëzet deri në njëzet e pesë vjeç, me mjekër ngjyrë gështenjë, sy të kaltër, i hequr, trup mesatar. Për banorët e lagjes në të vërtetë është i panjohur, megjithëse ka banuar aty prej një viti. Ai hiqej sikur quhej Karlo Noboldi dhe e mbante veten për student, por emri i tij nuk figuronte në asnjë vend në regjistrat e Universitetit. Për tregtarët e lagjes ai ishte një djalë korrekt, i sjellshëm, që paguante në rregull ato që blinte.
Apartamenti që përbehet nga dy dhoma dhe një aneks, i përket një urdhri fetar që e strehoi djaloshin vitin e kaluar, kur u paraqit si një nevojtar i kthyer nga jashtë. Kryemurgu i urdhrit, të cilit i ashtuquajturi Noboldi i derdhte një qira krejt simbolike, nuk pranoi t’u bënte gazetarëve as deklaratën me të vogël.
Ky episod i përgjakshëm, që e vë përsëri qytetin tonë para fakteve të ndryshme, hedh diçka të errët në ndërgjegjen e banorëve, tashmë të tronditur nga ngjarjet e kohëve të fundit.”
Sara u afrua nga pas dhe, e përkulur përpara, filloi të lexonte me kokën ngjitur pas asaj të Spinos. Ajo kaloi dorën mbi flokët e tij dhe në atë lëvizje, kishte mirëkuptim e dhembshuri.
Për një çast, të dy qëndruan duke kundruar fotografinë e të panjohurit, pastaj ajo lëshoi një fjalë, që e zhyti në njëfarë pështjellimi:
– Me një mjekër të tillë dhe me njëzet vjet më pak, ky mund të ishe ti, – tha ajo.
Ai nuk e hapi gojën, si të ishte fjala për një vërejtje të kotë.

(Përktheu Nasi Lera)

ObserverKult