‘Muret flasin’, shfaqja që i bën homazh shtëpisë-shkollë

Rreth 10 gjenerata të gjimnazit të Prishtinës, që sot njihet si gjimnazi “Sami Frashëri”, janë shkolluar në periferi të qytetit, në lagjen “Kodra e Trimave” dhe në rrugën që njihet si “Mëhalla e Herticëve”. Atyre dhe profesorëve shkollë iu bë shtëpia trekatëshe e familjes Aliu-Hertica, e cila hapi dyert për ta në kohën kur pushteti serb i mbylli dyert e shkollave për shqiptarët. Historia e këtij sistemi paralel arsimor është jetësuar në një shfaqje teatrale me titullin “Muret flasin”. Shfaqja, e cila është përgatitur nga regjisori Kushtrim Mehmeti në bashkëpunim me organizatën ETEA, me moton “Kujtojmë që të mos harrojmë”, po rikthen publikun në kohë. Premiera e saj i bëri nostalgjikë ata që u shkolluan në rrethana të tilla e i la gojëhapur brezat e rinj, që e kanë vështirë ta imagjinojnë çfarë ngjau në Kosovë vetëm disa dekada më parë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Pasqyrim i dëshirës së flaktë për shkollim dhe i luftës për mbijetesë në vitet e ’90-ta

Regjisori Kushtrim Mehmeti ka mbledhur rreth vetes një ekip të përbërë nga dramaturgët: Ulpianë Maloku dhe Florent Kurtalani, aktorët: Allmir Suhodolli, Gentrit Shala, Blerta Gubetini, Margarita Ukaj dhe Florent Salihu, si dhe violinisten Entela Qarkagjija, për të prezantuar para publikut një shfaqje të inspiruar në historinë më të re të Kosovës. Shfaqja “Muret flasin” është një homazh për historinë e organizimit të arsimit paralel pas mbylljes së shkollave shqipe gjatë viteve të ’90-ta, me ç’rast  shumë familje në Kosovë u angazhuan për të mundësuar arsimimin e 10 gjeneratave në shtëpitë private, të njohura si shtëpi-shkolla.

E pikërisht në shtëpinë-shkollë të familjes Ali-Hertica u dha edhe premiera kësaj shfaqjeje, të mërkurën, më 22 tetor. E njëjta shfaqje u reprizua para publikut edhe më 23 tetor, si dhe shfaqet edhe sot, 24 tetor. Kjo shfaqje është e bazuar në ngjarjet reale të kësaj shtëpie, e cila asnjëherë nuk u banua vetëm nga familja Aliu-Hertica. Nga dhoma në dhomë shfaqja prek historinë e shtëpisë duke ecur me këpucët e atyre që e kanë jetuar atë. Pikërisht në kohën kur vajza e familjes thur ëndrra për jetën e vet në shtëpinë e re, kjo e fundit shndërrohet në shkollë dhe muret e saj përgatiten për të qëndruar stoikisht. Shfaqja përpiqet të tregojë se si muret flasin për ëndrrat, shndërrimin, frikën dhe realitetin, ngjarje këto që rijetësohen për publikun nga një ekip profesional artistik. Të lumtur se shtëpia e tyre u mbush plot më të rinj edhe një herë, kësaj here për një shfaqje teatrale, ishin edhe anëtarët e familjes Aliu. “Sonte në Shtëpinë-Shkollë të Herticve u realizua premiera e shfaqjes teatrale ‘Murët flasin’ lidhur me procesin e vendimmarrjes së familjes Hertica për krijimin e shtëpisë-shkollë. Një falënderim i veçantë i shkon Agon Ahmetit të OJQ-së ETEA, i cili së bashku me regjisorë, dramaturgë e aktorë tjerë arritën të demonstrojnë në mënyrë artistike dhe shumë emocionale për familjen Hertica dhe për opinionin e gjerë, komplet historikun e shtëpisë-shkollë nga krijimi i saj e deri te djegia e saj nga okupatori serb më 30 mars 1999”, u shpreh Fadil Aliu, anëtar i kësaj familjeje. Ky projekt është përkrahur nga Komuna e Prishtinës dhe zbatohet nga organizata ETEA.

Image

Historia e godinës që nuk shërbeu kurrë si shtëpi banimi, por u bë shumë më tepër

Komuna e Prishtinës po synon ta kthejë në muze shtëpinë-shkollë trekatëshe të familjes Aliu-Hertica, që lartohet në “Kodrën e Trimave”. Kur u mor ky vendim në qershor të vitit 2018 ekipi i gazetës “Zëri” vizitoi këtë familje për të parë nga afër gjendjen e kësaj shtëpie. Asokohe kryefamiljari Ahmet Aliu me modesti i tha gazetës se kur vendosi që shtëpinë e re, të ndërtuar rishtazi, të mos e përdorë për banim, por ta vinte në shërbim të arsimit, vetëm kreu një obligim ndaj atdheut. “Kjo shtëpi është ndërtuar nga unë e nga vëllai për të banuar në të. Por erdhi situata qysh erdhi, nxënësit i qitën në rrugë e u mbyllën shkollat. Kështu vendosëm ta lëshojmë për shkollë. Unë jam i kënaqur që ata nxënës kanë mësuar në këtë shkollë e kanë marrë dije”, tha Aliu, duke çmuar lart sjelljen e shkëlqyeshme të atyre gjeneratave dhe bashkëpunimin me profesorët. Shndërrimi i shtëpisë në shkollë nuk kaloi pa pasoja për këtë familje. Ata u përballën me presion e me kërcënime të vazhdueshme, të cilat çuan deri në sulme të armatosura ndaj shtëpive të tyre kur nisi lufta. “Ne patëm vendosur me pëlqimin e të gjithë vëllezërve. Ne kemi pasur probleme me huliganët serbë, me civilë e me policë të armatosur. Na merrnin në pyetje, na sulmonin e na thoshin që ta mbyllim shkollën. Për mua ishte e rëndësishme të ruhej kualiteti i mësimit dhe nxënësit të përparonin”, pati theksuar ai, duke shtuar se e gjithë kjo sakrificë u bë duke ia ditur vlerën shkollimit. Shtëpia-shkollë ka 12 dhoma, të cilat asokohe u ndanë në klasa, u caktua edhe kabineti i informatikës e oborri i familjes Aliu u improvizua edhe si fushë sportive. Përveçqë dha objektin në shfrytëzim, kjo familje u angazhua plotësisht në mirëmbajtën e kësaj shkolle dhe u kujdes për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe për nxënësit për rreth nëntë vjet. Si dëshmi e asaj çfarë ngjau atë kohë në këtë shtëpi, aty janë ende disa nga bankat shkollore e tabelat e varura në mure. Familja Aliu me vetëfinancim e ka rregulluar çatinë e kësaj shtëpie, në mënyrë që objekti të mos dëmtohet edhe më shumë, por është e dukshme që ka nevojë godina të konservohet e të ruhet në mënyrë profesionale, që koha të mos e dëmtojë më tepër. Kohën kur po bëheshin gati të hynin në shtëpi të re, por e morën vesh se shtëpia e tyre po bëhej shkollë, e kujton mirë edhe Azemine Aliu, vajza e Ahmet Aliut, e cila atëherë ishte 13-vjeçare. “Për ne dukej si e pamundur. Kur erdhi baba na mblodhi dhe na e tregoi situatën, na dukej e pamundur. Të gjithë fëmijët ishim të emocionuar. Dita e parë kur erdhën nxënësit dhe nisi të mbahej mësimi për mua ishte madhështore. E kisha në mendje që dëshirën e Serbisë po e fundosim me lëshimin e shtëpisë-shkollë, sepse mësimi po vazhdon”, ka thënë Azeminja. Gjatë këtyre dy dekadave të pasluftës shumë njerëz e kanë vizituar këtë shtëpi. Ata që janë ish-nxënës, por edhe të tjerët nga kureshtja kanë ardhur ta shohin këtë ndërtesë, e cila është simbol i rezistencës së arsimit. Shndërrimi zyrtarisht në muze do ta gëzonte këtë familje, e cila ka qenë e gatshme ta vërë në dispozicion të shoqërisë shtëpinë edhe pas luftës, në mënyrë që të jetë dëshmi për gjeneratat e reja. / Zëri