E shkrova një poezi për ty mbrëmë por e mori mjegulla
Ranë gjethe mali mbi shkronjat e asaj poezie
Dhe humbi me molekulat e lagështa të asaj terrine të hirtë
Shkrova një poezi për ty Evë dhe ma morën retë
Dhe s’arrita tua ndalë arratinë fjalëve….
Po shkruaj sonte serish
Ende mjegull është jashtë
Përsëri gjethe bien si zogj të vrarë në fluturim…
Veç doja të ta thoja Evë
Mos të të gënjejë qielli im i vrerët
As kur reshin copa mendimesh që s’i bëj rend dot vargjeve
As kur kompjuteri fiket papritmas e ma humb poezinë
Sa herë je larg
Sa herë largohesh
Më duket se rrugët humbin drejtimin
S’qojnë askund
Po të shkruaj Evë edhe sonte
Po t’i dërgoj fjalët të të bien krahëve si flluska bore
A si flutura
Sonte po e vazhdoj të mbrëmshmen që humbi
Të të them
Atë që e them çdo ditë
Dhe atë që se them kur gjuhës i mungojnë fjalët
Veç deshta të të them se po e bëj një gjuhë të re
Ta bej të mundshme kohën
Dhe ekzistencën
Ta lë një shenjë
Në të tëra dimensionet
Pastaj le të shkojmë drejt mbarimit
Të shkrova mbrëmë por fjalët mi mori mjegulla
Apo fjalët i mori ndonjë magji e çuditshme
Mbeta mbrëmë pa ta shpjeguar ëndrrën
Dhe bërjen e saj të vërtetë
Në fund të fundit a s’jetuam në një ëndërr
Dhe e bëmë një përrallë
Le ta bëjmë rrëfimin tonë
Një ungjill të ri
Ta vendosim mes fletësh të Biblës së jetës
Edhe mund të bëhet e shenjtë dashuria!