Murteza Osdautaj: Në daltë pranvera…

(Nga karantina)

Në daltë pranvera krejt muajt e bukur të saj do të t’i var në qafë
Secili me bimët e tij secili me qiellin e tij secili me shirat e tij
Të gjithë hemisferën e qiellit flokëve të tua të errëta e në ballë
Të duket i engjëllt balli yt, qiell të bëhen flokët tua e sytë me zjarr

Në pranverë të tëra akullnajat le të shkrijnë
Përrenjve e t’i bëj ujërat të derdhen syve të tu
Çdo pikë shiu e çdo fjollë borë mbi drunj që të mbijnë
E rrezja e diellit që buron prej teje ngjyrë për bukurinë

Në daltë pranvera e nëse ende jemi duke gufuar si barë e grurë
Unë do të jem aty, si hije, si frymë, si kurorë hëne, si krua a si gur.