Poezi nga Musa Ramadani
Të pres a të mos pres- kjo është çështja
Aq sa kam jetuar, Eritonë, s’mund të jetoj më
Do të isha më i lumturi njeri në botë
Sikur të më vrisje njëherë me të vërtetën
Që të mos jetoja me gënjeshtra gjithmonë
Të shpresoj a të mos shpresoj – kjo është enigma
Nëse je e pajisur edhe më me fuqi magjistareje
Derisa s’më kanë lënë sytë, veshët e mendja
Pse nuk m’i ngjall të vdekurit akoma pse
Të dashurit e mi që jetojnë veç në kujtesën time
Të jetoj a të vdes – zmadhohet prore pikëpyetja
Më tepër u kam besuar librave sesa njerëzve
Po edhe librat vetë njerëzit do t’i kenë shkruar
Është një kushtëzim tragjik si jeta e vdekja
Heshtja jote më thotë se je besnike e gënjimit
Përgjigjja, sido që të jetë, është shenjë vërtetësie
Pres, shpresoj edhe më duke vdekur përditë së jetuari.
ObserverKult
———————–
Lexo edhe:
MUSA RAMADANI: NUK PAJTOHEJ VETËM ME VDEKJEN
Ndoshta ende vërtitet nëpër botë
Hija në të cilën e njohin Gilgameshin
E donte aq fort mikun e tij, Enkidunë
Saqë s’mund t’ia falte dot as mordjes
Tek zuri ta hante pa mëshirë vetmia
Shpresa e shpuri të marrë botën në sy
Dhembja ia mbyllte shtigjet një nga një
Çdo gjë ishte aq vonë për heroin
Me trup dy të tretat perëndi
E vetëm një e treta njeri
Bari i pavdekshmërisë asgjëkundi
Po të mos e takonte nimfën Sabita
Në botën e të vdekurve diku në udhëkryq
Nuk do të pajtohej me vdekjen e Enkidusë
Ndoshta ende vërtitet nëpër botë
Hija në të cilën e njohin Gilgameshin
Krejt çfarë kishte nxënë ai në jetë
Ishte aq e vogël, aq e paktë, aq e thjeshtë-
Nuk kishte fuqi të pajtohej me vdekjen.