Musa Ramadani: Nuk pajtohej vetëm me vdekjen

©Fahredin Spahija: Musa Ramadani

Ndoshta ende vërtitet nëpër botë
Hija në të cilën e njohin Gilgameshin

E donte aq fort mikun e tij, Enkidunë
Saqë s’mund t’ia falte dot as mordjes

Tek zuri ta hante pa mëshirë vetmia
Shpresa e shpuri të marrë botën në sy
Dhembja ia mbyllte shtigjet një nga një

Çdo gjë ishte aq vonë për heroin
Me trup dy të tretat perëndi
E vetëm një e treta njeri

Bari i pavdekshmërisë asgjëkundi

Po të mos e takonte nimfën Sabita
Në botën e të vdekurve diku në udhëkryq
Nuk do të pajtohej me vdekjen e Enkidusë

Ndoshta ende vërtitet nëpër botë
Hija në të cilën e njohin Gilgameshin

Krejt çfarë kishte nxënë ai në jetë
Ishte aq e vogël, aq e paktë, aq e thjeshtë-

Nuk kishte fuqi të pajtohej me vdekjen.

LEXO EDHE: MUSA RAMADANI: LARGOHU MË, IK…