Muzeu Etnografik në Krujë do restaurohet me mbështetjen e BE-së

Muzeu Etnografik në Krujë, falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet dhe rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, bashkë me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca vizituan Muzeun Etnografik të Krujës.

Margariti tha se “shqiptarët synojnë të bëhen pjesë e familjes europiane me identitetin tonë kombëtar”.

“Pikërisht, në këto ditë të Europës, u mblodhëm në oborrin e një godine të hijshme, në atë të Muzeut Etnografik në Krujë, që falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet, rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane”, tha ajo.

Bashkë me përfaqësues institucionesh, specialistësh të trashëgimisë, Afërdita Onuzi, Iris Pojani, Mehdi Hafizi, zvkryetari i Bashkisë së Krujës, Florind Cerhozi dhe përfaqësues të komunitetit lokal në takim u diskutua mbi projektet dhe u shkëmbyen ide të reja.

Margariti falënderoi Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, për ndihmën e vazhdueshme për të çuar përpara programin e ringritjes, EU4CULTURE, por edhe përfaqësuesve të UNOPS-it, Pamela Lama  e Lejla Hadzic për bashkëpunimin për realizimin e projekteve të rindërtimit të monumenteve të kulturës./ATSH

LEXO EDHE: BE mbron Muzeun dhe Teatrin e Kukullave, 40 milionë euro për trashëgiminë