Muzeu i Fajësisë

Romani i Ag Apollonit është njëkohësisht muze i të gjithë neve, ekspozitë artistike me tablo tmerri, dramë në vete, arkiv historik. Mbi të gjitha, është një vepër e jashtëzakonshme artistike.

Nga Blerim Shala

Ag Apolloni, në librin e tij më të ri, të emërtuar “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, dhe të klasifikuar si dokuroman, është përballur, pa e shkruar as fjalinë e parë të tij, me një sprovë të jashtëzakonshme si njeri, si shkrimtar, si letrar, si autor.

Kjo sprovë, e cila është shfaqur plot ethe dhe zjarrmi te Apolloni si krijues, përkon me përpjekjen për të na rrëfyer një ngjarje, shumë ngjarje (në fakt), me protagonistë të njohur për të gjithë ne, përmes storieve mediatike, me një qasje fare të re artistike, e cila duhet të ri-kallëzojë një histori të tmerrit (ose një tmerr prej historisë), që në një mënyrë ose tjetrën na goditi dhe na bloi secilin prej nesh në vitet e luftës, por që gjurmët më të thella, thuajse të patejkalueshme, i la në jetën e dy krye-emrave të kësaj vepre – te Pashka dhe Ferdonija. 

Apolloni nuk ka pasur si t’i shmanget krye-sfidës, para se të nisë ta shkruajë për ne, për Pashkën dhe Ferdonijen, por edhe për vete, këtë dokuroman: Çka mund të bëhet, nga pikëvështrimi letrar dhe artistik, me një të vërtetë kaq brutale, kaq të dhunshme, kaq tragjike, çfarë është lufta në përgjithësi, dhe lufta në Kosovë në veçanti?

Kjo e vërtetë, mbi të gjitha, është statistikë. Ajo dëftohet me numra të ftohtë. Kaq janë vrarë në dy vjetët e luftës në Kosovë. Kaq janë plagosur. Kaq janë dhunuar. Kaq shtëpi janë djegur dhe rrënuar. Kaq kanë qenë refugjatë. Kaq janë të pagjetur ende sot e kësaj dite. 

Kjo e vërtetë është edhe gjeografi: Kosova ishte bërë në ato vite Arkipelag i varreve masive.

Në të katër anët e saj ishin bërë vrasje dhe ekzekutime të shqiptarëve të Kosovës, pa aktakuzë, pa prokurorë, pa avokatë, pa gjyqe, pa të drejtë ankese. 

Kjo e vërtetë është poaq edhe histori e njohur për të gjithë ne, që nga vjeshta e vitit 1912, kur Kosova u okupua nga Serbia, dhe kur të gjithë ne realisht u bëmë robër të një shteti të huaj. 

Statistika, gjeografia, historia, të gjitha këto e bëjnë, nëse mund të thuhet kështu, atë anën horizontale të një rrëfimi të mundshëm për tragjedinë e shqiptarëve të Kosovës. 

Varrezat, zaten, në shikimin e parë të tyre janë horizontale, kanë shtrirje në një luginë a në një fushë të ndarë për të vdekurit.

Por, varret vetë, si të tilla, janë vertikale. Duhet bërë gropën në dhé për të vdekurin, për arkëmortin e tij. 

E tillë, vertikale, është edhe ajo ‘gropa e kohës’, kur autori, ashtu siç bën edhe Apolloni në dokuromanin e tij ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’, lëviz nëpër kohë, nëpër vite, duke iu kthyer atyre ngjarjeve dhe atyre viteve të paharrueshme për të gjithë ne që mbijetuam, pastaj, duke na rishfaqur të tashmen që ende ka si rrënjë të vet makthet e luftës, dhe duke kallëzuar kobin e Pashkës dhe Ferdonijes, që nuk njeh rrjedhë të kohës fare.

Ky kob është gropa ku është varrosur koha. 

E vërteta për luftën në Kosovë është gjithsesi edhe emocion, është klithmë, është sharje dhe mllef, është urrejtje dhe pështymë, dhe më në fund është edhe heshtje. E mbytur në lot. 

Këtë e di fare mirë autori i librit.

Por, i gjithë ky rrëfim tragjik, për të gjithë ne, te Apolloni duhet të bëhet vepër artistike, duke iu shmangur me çdo kusht një qasjeje krejtësisht dokumentare, storieve mediatike tashmë të shfaqura shumë herë, duke mos u zaptuar në tërësi nga bagazhi i madh emocional, i cili di të transformohet edhe në një patetikë refuzuese.

Në domethënien e vet origjinale, të parën, pra, siç na tregon Umberto Eco, fjala a nocioni paradoxos buron nga greqishtja antike, nga para ten doxan, ajo që tejkalon mendimin e rëndomtë për diçka, për një dukuri, për një ngjarje.

Nga ky pikëshikim, vepra e Apollonit arrin ta shfaqë domethënien e mirëfilltë të paradoksit, sepse ecën përtej, matanë, në atë anë (të padukshme për shumë prej nesh si lexues të këtij libri), kur tragjedia jonë, vuajtjet dhe dhimbjet tona, britmat dhe klithmat tona, të vdekurit dhe të gjallët tonë, të gjeturit dhe të zhdukurit tonë, vishen me një art të trishtuar, të errët dhe të pikëlluar, për të cilin, në atë kontekstin e lidhjes së artit në Krishterim me dhimbjen, vuajtjen dhe të shëmtuarën (madje), në Golgotën e Jezuit, i pari pati folur dhe shkruar Hegeli.

Arti antik ka qenë bukuri e pastër, ka qenë kremte e jetës, festival i dijes dhe shkathtësisë së një autori.

Arti i krishter, si në Mesjetë, ashtu edhe në Renesancë, shfaqet me tablotë ungjillore të një rrugëtimi që njeh një vdekje të madhe të kryqëzimit të Jezuit, pastaj edhe ringjalljen e tij, me ngadhënjimin mbi vdekjen. 

Ky art, pra, arrin ta dyzojë krye-porosinë ungjillore/ religjioze, që vdekja e Njeriut është e tejkalueshme, që vdekja nuk është fati i tij final, që ka jetë edhe tejvarrit, përmes besimit në Zot dhe në Jezuin, me atë bukurinë e trishtuar krijuese dhe artistike, e cila, si e tillë, arrin të bëhet madje e madhërishme, sa reale aq edhe mbi-reale (si feja), sa fizike aq edhe meta-fizike (si filozofia), sa tokësore aq edhe hyjnore (si arti i mirëfilltë).

Apolloni, në anën tjetër, me librin e tij arrin tek interpretimi që romanit të njohur ‘Neveria’ të Jean-Paul Sartre ia kishte bërë Jean Ricardou, një shkrimtar dhe kritik letrar francez. 

Sartre, në njërën nga goditjet e mëdha të dyshimit në vetvete dhe në letërsinë që po krijonte, kishte thënë që përballë një fëmije që është duke vdekur, ‘Neveria’ nuk ka peshë dhe nuk ka kuptim.

Ricardou, në këtë mënyrë, i kishte dhënë përgjigje këtij dyshimi fundamental të një autori, i cili, mbase, si i tillë, përcjell secilin krijues të njëmendtë, thuaja në të gjitha stadet e veprës së tij: ‘Çka mund të bëjë, pra, ‘Neveria’? Qartë, ky libër (dhe shumë libra të tjerë) determinon, me praninë e vet (pa marrë parasysh se për çka flet), hapësirën në të cilën vdekja e një fëmije nga rraskapitja është një skandal: ky (libër) i jep kuptim kësaj vdekjeje. Pa praninë e letërsisë (ndërsa fjalën prani duhet ta kuptojmë në domethënien e plotë të saj), vdekja e një fëmije në Botë nuk do të kishte rëndësi më të madhe sesa vdekja e një kafshe në kasaphane’.

Një tjetër shkrimtar i madh, çfarë ka qenë Danilo Kiš, pati shkruar që në të vërtetë letërsia është, ose do të duhej të ishte, vendstrehimi i fundit i arsyes së shëndoshë (kur gjithçka rreth saj është çmendi, vër.ime).

Megjithatë, Apolloni, njëlloj si Sartre, bie poshtë, thuaja rrëzohet, në një rast, në atë dorëzimin para një barre të madhe të gjithë kësaj ndërmarrjeje letrare, artistike dhe njerëzore  (gjithsesi), kur thuajse detyrohet të përqafojë fatalizmin dhe predestinacionin, të cilët mund të kenë qenë burim (tekefundit) jo vetëm i gjithë këtij tmerri të shtrirë mbi ne në këtë luftë, por edhe mund të jenë shtytës të shkrimit të kësaj vepre. 

Fare pak i duhet këtu Apollonit (fatmirësisht, ky këtë nuk e bën, ai mëkëmbet, u kthehet bindjeve dhe pikëpamjeve të veta) që t’i japë mbështetje Shën Augustinit në atë dyluftimin e madh (të pakryer dhe të papërfunduar sot e kësaj dite) me Shën Pelagin për thelbin e raporteve në mes të Zotit dhe Njeriut. 

Derisa Shën Augustini insiston në paracaktimin e amshueshëm hyjnor (i cili, kështu realisht amniston dhe shfajëson çdo njeri veç e veç, duke i bërë të gjithë së bashku fajtorë dhe mëkatarë, ose trashëgimtarë të atij sipër-mëkatit të Adamit si Njeriut të parë), Shën Pelagi pohon që Zoti e ka bërë Njeriun të lirë, dhe që secili prej nesh zgjedh fatin e vet, ose që askush prej nesh nuk ka të drejtë ta shfajësojë veten për të gjitha të këqijat, gabimet dhe mëkatet, përmes idesë së fatalizmit hyjnor dhe krye-përgjegjësisë të atij që na ka krijuar.

Sidoqoftë, nëse këtu lëmë pas këtë dyluftim teologjik dhe i kthehemi kësaj vepre letrare, mund të thuhet që Apolloni e bën këtë shndërrimin artistik, këtë transformimin letrar të një tragjedie me rrënjë të përgjakshme dhe të qëmotshme politike dhe historike, përmes dokuromanit të tij ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’, duke dyzuar elementet letrare me ato dokumentare, duke ndërlidhur qasjen eseistike me reflektime teologjike dhe filozofike, duke vënë në raporte krahasimtare dhe të çdokohshme (të përhershme pra), veprat artistike/ skulpturat, e kohës Antike, me tablotë dhe pikturat Mesjetare dhe ato të tragjedisë kosovare, duke gjetur fije të pakëputura midis Shakespearet dhe pamjeve të luftës e të krimeve në Kosovë, duke bërë një kapërcim dialektik hegelian prej pashkëve hebreje te pashkët krishtere dhe te Nana Pashkë e Kosovës. 

Më në fund, Apolloni e bën këtë duke i bërë bashkë një tragjedi të humbur të Eskilit  (‘Nioba’) me të humburit/ të vrarët në tragjedinë e luftës te ne, dhe me rrëfimin e papërmbyllur të të humburve/ të pagjeturve, të zhdukurve, me tragjedinë e familjeve të tyre. 

Athinë e Stagovë, Firencë e Meje, Romë dhe Gjakovë (dhe shumë vende të tjera) bëhen bashkë në këtë vepër të Apollonit, për ta krijuar kështu një hartë të përbashkët të artit, të dhimbjes, të vuajtjes, të pikëllimit, në mes të Kosovës së këtyre viteve të luftës dhe të një trashëgimie historike, kulturore dhe artistike evropiane dhe perëndimore. 

Zaten, a nuk është edhe një e dhënë e konfirmuar shumë herë, qindra herë, që pikërisht tragjedia e luftës në Kosovë, më shumë se gjithçka tjetër, na lidhi ose na ri-lidhi me Evropën, Amerikën dhe Perëndimin në përgjithësi.

Si shqiptarë, iu patëm kthyer Evropës me alfabetin latin (në vitin 1908) dhe me mëvetësinë e Shqipërisë (në vitin 1912).

Si Kosovë, mbetëm pengë të tragjedisë sonë, për gati një shekull (me okupimin e Kosovës nga Serbia), e cila na pati ndarë nga Evropa dhe Perëndimi. 

Perëndimi e ndjeu Kosovën si pjesë të veten, si hise të Qytetërimit Perëndimor, atëherë, në luftën e fundit, kur nuk kishim kurrfarë statusi politik. 

Në anën tjetër, Apolloni, në librin e tij, dëshmon edhe një herë sa ishim së bashku, të gjithë ne, në atë fatin tonë, si individë, si familje, si tërësi kombëtare, në vitet e luftës.

Nuk kishte këtu distancë midis atyre që ishin vëzhgues dhe atyre që ishin viktima.

Kjo kuptohet edhe prej bashkë-udhëtarëve, që një të shtunë prilli të vitit 2019 nisen me një kerr për në Gjakovë, ku do të takoheshin me Ferdonijen, për ta dëgjuar rrëfimin e saj për burrin dhe katër djemtë – të cilët ia kishin marrë forcat serbe, të shtunën, më 27 mars të vitit 1999, ose pak më shumë se njëzet vjet më parë.

Autori i librit, Ag Apolloni, Dritan Dragusha, gazetar dhe publicist, Gazmend Bajri, regjisor, të cilët udhëtojnë së bashku, i kanë edhe vetë rrëfimet për atë fqinjërimin me vdekjen në pranverën e vitit 1999. 

Agut i është vrarë axha, teksa vetë dhe familja janë detyruar të dalin matanë kufirit (në Maqedoni). Dritani me familjen janë dëbuar në Bllacë. Gazmendi ka përjetuar ‘ruletin rus’ mbi kokën e tij nga ushtarakët serbë. 

Megjithatë, këta me të drejtë e llogaritin veten me fat. Se shpëtuan. Dhe rrojnë për të rrëfyer. Së bashku në një kerr dhe në një udhëtim. Dhe së bashku, në këtë libër. 

Ag Apolloni bën ekskursione kohore dhe hapësinore gjatë gjithë kësaj rruge që çon në Gjakovë. Ai bredh nëpër vite dhe ngjarje, të gjitha të lidhura me vuajtjet dhe të këqijat e pësuara prej nesh, teksa e di mirë se të gjitha këto pësime në realitet çojnë në dy rrugë: Njëra te Pashka, tjetra të Ferdonija.

E këto të dyja ishin dhe janë të lidhura një herë e përgjithmonë me fatin e atyre, të cilët, prej përfundimit të luftës e këndej, i quajmë të pagjetur, e jo të zhdukur (siç është terminologjia e rëndomtë në këto raste), sepse ata janë diku (në Serbi), por ende nuk janë gjetur prej nesh.  

Ata janë diku në atë hapësirën ‘as të gjallë dhe as të vdekur’, sepse vdekja nënkupton edhe kumtin e zi, edhe vajtimin, edhe ritet e varrimit, edhe varrezën si vend-prehjen e përhershme, edhe të pamen e ngushëllimin, teksa asnjëra prej tyre nuk u është bërë atyre që tutje janë të pagjetur. 

Në librin e tij të madh (si vëllim dhe si cilësi), ‘Jeta e Greqisë’ (Antike, vër.ime), Will Durant e bën këtë kategorizim të zhvillimit të dramës nëpër shekuj: ‘Drama greke është një studim i fatit, ose i njeriut në konflikt me zotat; drama elizabetiane është studimi i aksionit, ose i njeriut në konflikt me njeriun; drama moderne është studimi i karakterit të njeriut në konflikt me vetveten’.

Në një tjetër shpjegim të dramës greke, Durant spikat dallimin në mes të Sofokliut dhe Euripidit, sipas këtij të parit. Sofokliu kishte pas thënë që ai, në dramat e tij, i paraqet njerëzit si duhet të jenë, teksa Euripidi i shfaq ashtu si janë.

Sofokliut i ishte dukur gabim kjo qasja e Euripidit, sepse arti (edhe në dramë) duhet ta lejojë një lloj të idealizimit të njeriut, e jo ta paraqesë vetëm si është, sepse, të tillë, me gjasë, ne e shohim përditë, dhe nuk duhet të shkojmë fare në teatër për ta parë atë.

Në anën tjetër, Sofokliu, përmes tragjedisë së Antigonës, na tregon që ajo rrezikon gjithçka për ta varrosur të vëllain Polinikun, pos tjerash, sepse, sipas botëkuptimeve greke, shpirti i të ndjerit vuan dhe nuk e gjen paqen derisa të mos i varroset trupi.

Në librin ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’, Apolloni i përqafon, në rrëfimin kryesor të tij për Pashkën dhe Ferdonijen, të tri këto krye-tipare në zhvillimin e dramës (sipas Durantit), teksa në këtë përplasjen në mes të Sofokliut dhe Euripidit, në një mënyrë i bashkon të dytë, sepse lufta nuk i lë dot njerëzit të rrojnë vetëm ashtu si janë, por i bënë ata të ndryshojnë – për të mirë, ose për të keq.

Në anën tjetër, ky vetë, si autor, asnjëherë nuk mund të jetë indiferent ndaj tregimeve të Pashkës dhe të Ferdonijes (a nuk bëhet ky libër për ta dëshmuar të kundërtën, tekembramja), dhe për më shumë, habitet me të madhe për të gjithë ata që mund të jenë indiferentë, si njerëz, në përballjen me të këqijat e këtyre përmasave. 

Një luftëtar i madh kundër indiferencës së këtillë të pafytyrë ndaj krimeve dhe vuajtjeve është edhe Elie Wiesel, një shkrimtar dhe intelektual hebre, i mbijetuar i kampeve të përqendrimit, i cili, siç na dëfton Apolloni në këtë libër, ishte bërë zëri i shqiptarëve në Amerikë dhe në Perëndim në ata muajt më të rëndë të pranverës së vitit 1999, kur kanosej ekzistenca e tyre si popull. 

Udhës për në Gjakovë, Apolloni na e shfaq dramën e Pashkë Markajt dhe të dy djemve të saj, Milanit dhe Gjovalinit, të cilët ishin marrë nga trupat serbe në fund të prillit të vitit 1999, për t’u vrarë, së bashku me 374 martirë të tjerë, në Mejë, më 27 prill.

Por, Nana Pashkë vetëm katër vjet më pas do ta marrë vesh se çfarë kishte ndodhur me dy djemtë e saj.

Katër vjet, ajo kishte shpresuar se ata janë gjallë diku (në Serbi) dhe që do t’i kthehen.

Ajo jetoi për kthimin e tyre. Si të gjallë. Ajo vdes, duke ia vënë vetes zjarrin, pak ditë pas kthimit të tyre. Si të vdekur.

Pashka ishte besimtare e devotshme. Por, në këtë rast ndjenjat e një nane ngadhënjejnë ndaj ndjenjave dhe bindjeve të një besimtareje.

Ajo vret veten, sepse nuk ka më shpirt në vete (ai i është zhbërë me vdekjen e kësisojtë të dy djemve të saj dhe me atë mungesën e mëshirës qiellore, të cilës aq shumë i ishte lutur dhe përgjëruar ajo për vite me radhë), dhe më nuk i duhet gjë as jeta dhe as trupi, sepse edhe ashtu ajo ishte shkrumbuar me fatin e djemve.

Nana e shkrumbuar kështu bëhet shkrumb dhe hi duke e djegur veten. 

Nana Pashkë duket se nuk ka mundur dot ta përballojë atë që poeti persian i shekullit XV, dhe sufi mistiku Jami (Xhami), e ka quajtur, siç na tregon Orhan Pamuk në romanin e tij ‘Unë jam e kuqja’, ‘natën e errët të shpirtit’, kur Njeriu e humb besimin në Zot.

Pas kësaj nate, e cila iu shfaq bashkë me dy djemtë e saj të vdekur, asaj më nuk i duhej gjë asnjë ditë e vetme.

Kulminacioni i librit të Ag Apollonit, i cili arrihet me ngjitjen hap pas hapi, fletë pas flete, rrëfim pas rrëfimi, për hjekat dhe vuajtjet e shumta, të cilat në këtë libër marrin identitetin e posaçëm, me emër dhe me mbiemër, në rrethana krejtësisht të veçanta, na shfaqet me vizitën që tre udhëtarët (Agu, Dritani dhe Gazmendi) ia bëjnë një vendi- shtëpisë muze, të Ferdonije Qerkezit në Gjakovë. 

Në krahasimin që imponohet domosdoshmërisht në këtë rast në mes të Pashkës dhe Ferdonijes, vështirë është të gjesh se cila prej tyre e ka pasur më rëndë dhe më vështirë: Pashka, për t’u flijuar për dy djemtë e saj (Milanin dhe Gjovalinin), duke bërë vetëvrasje, gjegjësisht duke heshtur përgjithmonë, apo Ferdonija, që këtë sakrificë për burrin (Halimin) dhe katër djemtë e saj (Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin) e bën duke jetuar dhe duke folur pareshtur për atë të shtunën e 27 marsit  të vitit 1999, kur mbeti fillikat vetëm në shtëpinë e saj.

Të dy këto kallëzime të gërryejnë përbrenda si Njeri, ta mbyllin gojën, të bëjnë të bredhësh kot me mendimet e tua në të katër anët për të gjetur farë kuptimi apo domethënie të këtyre tragjedive, e kërkojnë pastaj atë mëshirën hyjnore (kudoqoftë ajo), për shpirtrat e atyre që pësuan kaq keq në një luftë.

I gjithë rrëfimi i Ferdonijes është prekës, rrëqethës, dërrmues për atë vetë, dhe për të gjithë ata që janë dëshmitarë të fjalëve të saj.

Mbase, çasti më prekës këtu, në kallëzimin për atë ditën e shtune që kurrë nuk do të mbarojë për Ferdonijen, është ai kur nana detyrohet ta zgjojë birin më të vogël, Edmondin, të cilin e kishte zënë gjumi, sepse e kërkonin ata që do ta merrnin së bashku me babanë dhe vëllezërit  e tij.

Në njërën prej letrave që Franc Kafka do t’ia dërgonte Milena Jesenskës (të dashurës së tij), të cilat janë të përmbledhura në vëllimin ‘Letra Milenës’, pos tjerash, ai shkruan: ‘Askush nuk këndon me një zë kaq të pastër se ata që janë thellë brenda Ferrit: ajo që ne e besojmë si kënga e engjëjve, është në fakt kënga e tyre’.

Ferdonija gjendet brenda Ferrit qe 21 vjet të plota, Ferrit të pritjes për më të dashurit e saj, teksa fjalët e saj janë të dëlira, të pastra, të drejtpërdrejta, pos tjerash, sepse ato gravitojnë në atë ‘Orbitën metafizike të shtëpisë’ (definicion i Olga Tokarczuk).

Ferdonija e ka kthyer shtëpinë në muze. Ky është një Muze i Fajësisë (për dallim prej atij Muzeu të Pafajësisë së Orhan Pamukut). 

Ajo e ka vënë pllakën në kujtim të tyre. 

Ajo e mban gjallë përditë rrëfimin për Halimin, Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin.

Sa të jetë ky rrëfim, sa të jetë ajo pllakë, sa të jetë kjo shtëpi muze, Ferdonija është e sigurt që burri dhe fëmijët e saj nuk do të jenë të humbur. 

Nuk do të humbet kurrë emri dhe kujtimi për ta.

Tash, edhe përmes librit ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’, të Ag Apollonit, do të përjetësohet ky kujtim. 

Edmund Burke, burrështetasi dhe filozofi i njohur, në interpretimin e krye-mendimit të tij politik pati shkruar: ‘Ne nuk e drejtojmë një kulturë, një shoqëri, për të kënaqur njerëzit që jetojnë atje, por për të shprehur paktin e thellë që bashkon të vdekurit, të gjallët dhe ata që do të vijnë’.

Ferdonija e bën pikërisht këtë, në shtëpinë e saj, në Gjakovë, në Kosovë, për shqiptarët dhe për të gjithë të tjerët.

Ajo e shpërfaq këtë lidhjen e thellë, e cila nuk do të këputet kurrë, midis atyre që vdiqën veç e veç për lirinë e të gjithë neve (siç paralajmëron edhe Edmondi në njërin prej hartimeve të fundit shkollor), me ne të gjallët që mbijetuam, dhe me ata të tjerët që do të vijnë pas nesh.  

Në rrethanat në të cilat tani po jetojmë në Kosovë, duket që dokuromani i Ag Apollonit, ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’, na u shfaq në kohën më të duhur. 

Ky libër e kthen ndër ne kujtesën e pastër, njerëzore (shumë njerëzore), për vitet e luftës dhe për tragjedinë e madhe në Kosovë. 

Mbase, ne nuk e njohim më veten se çfarë kemi qenë atëherë. Apo, përmes këtij libri e marrim vesh se çka jemi bërë tani, gjegjësisht si e zhvlerësuam në masë të madhe gjithë trashëgiminë e lirisë, e cila pastaj u bë edhe shtet i të gjithë neve. 

Kjo liri dhe ky shtet, siç do të thoshte Burke, është pakt i thellë i djemve të Pashkës, burrit dhe djemve të Ferdonijes, mijëra e mijëra emrave dhe mbiemrave të tjerë të shqiptarëve të flijuar të Kosovës, të gjithë neve që jetojmë sot në Kosovë, dhe atyre që do të vijnë më pas.

Në romanin e tij ‘Foe’, J. M. Coetzee, një ndër shkrimtarët e rrallë që me meritë mori Çmimin Nobel për Letërsi, krye-protagonistja Susan Barton i shkruan shkrimtarit Foe  (aludimi është i qartë, bëhet fjalë për Daniel Defoe, autorin e ‘Robinson Crusoe’), duke e pyetur: ‘Çka mendoni, mos është ky kuptimi sekret i fjalës tregim: vendi ku ne i lëmë kujtimet, ashtuqë dikush të na i ruajë…’.

Ag Apolloni e arrin pikërisht këtë me librin e tij ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’.

Kujtimet e të gjithë neve, për të gjithë ne, ruhen në këtë libër. 

Romani i tij është njëkohësisht muze i të gjithë neve, ekspozitë artistike me tablo tmerri, dramë në vete, arkiv historik. Mbi të gjitha, është një vepër e jashtëzakonshme artistike.

Amos Oz, në librin e tij të madh ‘Rrëfimi për dashurinë dhe errësirën’, na tregon që si fëmijë, dëshira e tij e madhe ka qenë që kur të rritet të bëhet libër, e jo një shkrimtar,  a një autor.

Oz na thotë që njerëzit i vrasin. Shkrimtarët gjithashtu. Por, jo edhe librat. Pa marrë parasysh sa dikush (ose shumëkush) mundohet t’i zhbëjë ose shkatërrojë ato, librat disi mbijetojnë. Ndonjë kopje do të gjendet diku. Në ndonjë skaj të Botës.

Librat jetojnë dhe mbijetojnë.

Kështu do të jetë me siguri edhe me librin ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’ të Ag Apollonit./ ObserverKult