Muzeu kombëtar “Marubi” drejt UNESCO-s, dosja në listën e trashëgimisë botërore

Dosja “Marubi në UNESCO” është gati. Puna dy vjeçare është finalizuar dhe Muzeu kombëtar i fotografisë, synon që brenda 1 viti të marrë përgjigjen pozitive për t’u njohur si trashëgimi botërore.

“Jemi shpresë plotë që kjo aspiratë e jona do të çelë dyer të reja. Patjetër që është një sfidë  që po fillon, pra thjesht kemi përfunduar hartimin e dosjes. Ne besojmë fort që Shqipëria ka ende shumë për të treguar. Për ne kjo është mbi të gjitha një ushtrim i parë i njohjes së vetvetes,” u shpreh ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva  Margariti.

Drejtuesit e projektit, tregojnë se puna voluminoze është shoqëruar me konsultime dhe përfshirjen e ekspertëve vendas e të huaj. Me qëllim që çdo fakt i paraqitur të jetë bindës.

“Kjo është patjetër një punë që i mbetet përjetë muzeut edhe Shkodrës në tërësi,” tha drejtori i muzeut “Marubi” Luçjan Bedeni.

‘Foto-Studio Marubi’, u themelua në vitin 1856 nga Pietro Marubi. Ndërsa sot si Muze Kombëtar ka si pasuri rreth 500000 negativë në teknika dhe formate të ndryshme. Që dokumentojnë ngjarje, personazhe e fakte interesante të Shqipërisë./oranews

LEXO EDHE: MUZEU KOMBËTAR I FOTOGRAFISË “MARUBI”, I LISTUAR NDËR 50 MUZETË EUROPIANË MË NOVATORË TË 40 VITEVE TË FUNDIT