Pyetësorit të Prustit i përgjigjet baritoni i mirënjohur shqiptar, Gëzim Myshketa.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Nuk ekziston lumturia konstante e jo më ajo e përkryer. Gjatë vizitës sonë tokësore jemi të destinuar të përjetojmë fragmente lumturie…
Cila është frika juaj më e madhe?
-Të kesh kaluar një jetë të tërë pa një motiv a ideal.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Prindërit e mi dhe JO pse jemi në këtë marrëdhënie familjare .
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Cilido personazh historik sado i rëndësishëm deri mitologjik, ka anët e tij të errëta sepse në fund të fundit është një njeri, një qenie e vdekshme, pra si i tillë vulnerabël. Po të them Jul Çezari do mendojnë se jam “megaloman” e megjithatë më tërheq sikundër edhe periudha historike e antikitetit romak.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Nuk ka vetëm një tipar por një listë, rrjedhimisht; hatërmbetja, padurimi, ndërrimi i humorit në pak minuta, nxitimi… Të gjitha tipare tipike të një “biri të hënës” si dhe unë.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Përçatja për t’u dukur ata që nuk janë në të vërtetë.
Në cilat gjëra e teproni?
-Në kokëçarje…
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Njerëzit gënjejnë në forma nga më të ndryshmet dhe në mënyrë të përsëritur. Gjithë bota është një teatër i madh e gjithkush ka një rol, shkruan Shakespeare. Ndaj në fund të ditës do të ishte fat e arritje që çdo njeri të thosh të paktën disa të vërteta.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Ai drejt së panjohurës .
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Nuk kam një të tillë dhe mendoj se përsëritja është një simptomë e lehtë mërzitjeje.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Dikush ka thënë që në jetë më mirë të kesh pendesa për gabimet që ke kryer se sa keqardhje për gjërat që nuk ke bërë. Mundet të jetë një keqardhje fakti që për arsye të largimit dhe profesionit tim mundet të kisha “jetuar” më tepër prindërit e mi dhe njerëzit e zemrës. Ky profesion shpesh të bën të përqafosh botën ose të internon në vetmi.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Jeta.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Nuk mundet të jem psikolog i vetvetes, por me siguri ka tek unë goxha lëndë studimi për një të tillë profesionist.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Asgjë, nuk mundet të pretendojmë të zëvëndësohemi me krijuesin e ndaj nëse na ka krijuar të tillë duhet të pranojmë dhe të mundohemi të përmirësohemi.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Të emocionosh të ngjashmit e tu.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Asgjë…
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Një pemë e madhe në një kodrinë buzë detit …
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Talenti.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Injorancën dhe mbylljen mendore.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Jam i destinuar fatkeq e fatlum të jetoj në të gjithë botën e njohur.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Fjalën e mbajtur, korrektësinë.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Ëmbëlsinë dhe sensibilitetin që i vjen nga magjia e të dhuruarit të jetës.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Le të themi një emër; Franc Kafka.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Prindërit e mi dhe prindërit shqiptar në përgjithësi.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Më tepër se talent një fuqi mbinjerëzore që të zgjidhte problemet e njerëzve.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Në gjumë.
Cila është motoja juaj?
-Ajo të cilën dhe vë çdo ditë në jetë: Carpe diem./ ObserverKult