Nga Edison Ypi: Çfarë ishte Kadare?
Skënderbeu ishte mit. Ali Pasha despot. Naimi qiri. Lasgushi violinë. Fishta lahutë, çifteli. Migjeni fije bari. Diktatori, tytë, shul, sapun, litar. E kështu me rradhë, secili ka qënë diçka.
Po Kadare, çfarë ishte vallë Kadare ?
A ishte Kadare, për shembull, furrnaltë rrethuar nga proletarë heroikë leckamanë sypatrembur që luftonin dhëmb për dhëmb me zjarrin dhe metalin për të çarë bllokadën, që shkrinin çelik, bënin “me forcat tona” plugje dhe zinxhirë traktorësh që “të sigurohej buka në vend” ? Kadaresë nga këto i vinte për të vjellë.
A është Kadare një bakllava me sherbet. Që shqiptarët e hanë, ngopen, kthejnë një gjym me ujë, gromësitin, dhe duke shtriqur thonë; Rrofsh o Kadare që na ngop me ëmbëlsira dhe nuk na kërkon asgjë.
Kadare në asnjë rast dhe për asnjë çast nuk ka qënë dhe nuk është ëmbëlsirë.
Pretendimi idiotesk që Kadare të ishte i ëmbël vinte dhe vjen nga ca gomerë që nga Letërsia nuk kanë haber.
Parazitët, frikacakët, dinakët, donin që Kadare tua bënte qefin si vigan, si katallan, që kthen lumenj, ndal tërmete, than përmbytje, shpëton turmat nga vdekja.
A ishte Kadare një qetësues, një gjumëndjellës, një kamomil, për t’i ndihmuar t’i zinte gjumi dhe të shihnin ëndërra të bukura ata që prangat dhe zinxhirët i farkëtonin vetë ?
Kadare s’ka qënë kurrë qetsues, çaj, apo valium. Kadare dhe gjumi s’takohen kurrkund.
Nuk kanë munguar idiotat që Kadarenë e kanë dashur të ishte një supermen me sharrë e gërshërë kovaçi ndër duar, që të këpuste zinxhirë, pranga, tela me gjëmba. Të fluturonte si zog. Të hynte nëpër burgje, në Spaç, në Burrel. Të vriste rojat me kalashnikov. T’i çlironte të burgosurit. T’i lante, t’i shplante, t’i vishte, t’i mbathte. T’i merrte me të mirë. Tu bënte muhabet, t’i ngushëllonte. Tu thoshte; “Zotërinj, e di që keni lexuar e komentuar librat e mia. Keni pritur prej meje më tepër se nga Amerika dhe NATO. Ja ku erdha. Taksiratet tuaja mbaruan.
Kadare, shumë më tepër se sharrë, gërshërë, supermen, me veprën e vet u dha shqiptarëve një pasqyrë për të parë veten dhe kohën. Pasqyrë konkave, konvekse, të sheshtë, të rrudhosur, të përmbysur, të bardhë, të zezë, të krisur, të thyer, të coptuar, në varësi të rrethanave.
Përmes kryeveprave të tij, Kadare ua ndriçoi mendjet dhe ua lehtësoi jetën shqiptarëve më tepër se të gjitha sharrat, gërshërët, çekiçat, elektroshtëpiaket, lavatriçet, thekset e bukës, hekurat e korentit, pianot, kitarrat, violinat.
I riu, i vjetri, komunisti, burokrati, ushtaraku, i përndjekuri, i burgosuri, të gjithë lexonin Kadarenë. Por lexuesit më të vëmendshëm të Kadaresë ishin Sigurimi dhe diktatori, të cilët Kadare i mposhti.
Kujt nuk i besohet se Kadare ishte më i fuqishëm se diktatura, diktatori, Sigurimi, të cilët i mposhti, janë ata që skllavërinë e kanë në gjak, diktaturën në mendje, diktatorin në bark, Sigurimin në shpirt.
Kadare është refuzuesi më i madh i fëlliqësirës më të ndyrë në Letërsi, pisllëkut më të preferuar të mediokërve, të folurit për veten, autoreferencialitetit.
Kadare është një perfeksionist, një kompjuter që kurrë nuk ka për t’u shpikur.
Kadare është një mendimtar fenomenal që kohën e përdori për të shkruar ato që i ka ditur qysh kur ka lindur.
Kadare është Gjeniu, të cilin, në kohën e duhur për të mos i lënë të vdisnin, shqiptarëve ua solli Zoti.
ObserverKult
Lexo edhe:
Bujar Hudhri: Kadare ka lënë pas dorëshkrime, e drejta e botimit i kalon familjes