Natasha Duriçi: Si po ndihesh ti idhnak, tash pa mu?

Hej, si po ndihesh, ti idhnak tash pa mu,
me m’hupë tuj m’pasë, asht ma mirë –
se tuj m’pasë e t’hupun!

Kryt’ e fortë n’dashni
ta ban copash ç’ka me durim e bane.
Çdo kështjellë edhe n’gur ngritun
mënia ta han themelesh,
ta ban dhe e pluhun e ta rrëzon nër kamë.

Hej.. shttt mos fol ma, shuj..
je metun vetë,
nuk asht ka t’nin ma kurrkush…
Vetmia asht e randë
ani nëse je i ri…
Ani, nëse je plak..
nji dru nuk e dhez n’flakë, asnji oxhak.

Unë…paj, njaty rrotull teje sillem,
akolla n’bedena t ‘kshtjellës tane
tuj hangër vedin, si kali n’lamë,
tym t ‘bardhë po pres mos del k’saj ane.

Inati yt nuk t’len me pa
afër e larg veç hundës tane.
Paj…po pres dhe do dekika
n’këtë shi..ngjymun n’gri..
E n’nadje ta dish…
Kur dielli ka me rrezue
n’hon do l’shoj ç’ka shpirti don me rrzue
Hej…t’deshta fort n’asht e n’mish..!