Skënder Rusi: Nuk di pse ty, ajo, aq shumë të ngjante…

skënder rusi
Skënder Rusi

Poezi nga Skënder Rusi

I bëja natës ftesë, për një kafe,
Se më pëlqente,
por edhe më duhej!
Në ora një, kur gjumi sytë hapte,
Përballë meje, ajo vinte, ulej!

Vetëm flokët i kishte prej nate,
Se trupi, krejt, asaj i farfurinte!
Sa herë e prekja, për çudi, me zjarrthe,
Më mbushej prej asaj dhe dora ime!

Nuk di pse ty, ajo, aq shumë të ngjante,
Ty, që prej meje, tashmë, ishe e ikur!
Ajo si ti lexonte dhe filxhanet,
Si ti, me gjarpërinj, më shihte lidhur!

Dhe veç kur dita ishte shumë afër,
Ikte prej meje, ikte, zhdukej fare!
Unë s’di të ngrihem
si somnambul, natën,
Por di që ende kam, në duar zjarre!

Dhe e di mirë që ende s’kam lajthitur,
Si mund të flas me netët
që shpirt s’kanë?!
Por ende nuk e di pse pranë shtratit,
Sa zgjohem nuk gjej një,
por dy filxhanë!

ObserverKult

——————————————-

Lexo edhe:

TRONDITËSE- SI E KUPTUAN SE JANË MOTËR E VËLLA?

Rinjohja e vëllait me motrën, në këto këngë legjendare hasim motivin e largimit të vëllait për arsye të ndryshme o është rrëmbyer nga të huajt, nga pushtuesit turq dhe është bërë jeniçer, o është hajdut që bredh maleve, ose është mercenar që lufton larg vendit të tij dhe rrjedhat e luftës e sjellin rastësisht në vendlindje.

Këtu rinjohja bëhet pas shenjash ose pas një shenje që jep Perëndia me anë të një shpendi, zakonisht të një pëllumbi.

Kënga legjendare, pra, na flet përgjithësisht për një përçarje të familjes shqiptare të shkaktuar nga sundimi i huaj. Megjithatë, në trung të këngës janë bashkuar edhe elemente të tjera, që flasin për një integrim të këngës në atmosfera përrallore (zogjtë që shqetësojnë çiftin për të mos ndodhur incesti, stuhia që shpërthen për të ndaluar pikërisht këtë bashkim, të mbirët e bimëve në varrin e vëllait e të motrës).

Këngë legjendare me këtë temë gjenden si në Shqipëri, ashtu dhe te arbëreshët e Italisë. Ato ndahen në dy grupe: në grupin e parë, vëllai kthehet si ushtar a si hajdut, rrëmben motrën dhe kërkon të martohet me të, por pengohet nga shenjat qiellore; në grupin e dytë, ai e blen të motrën nga i shoqi dhe, pas shenjave, e njeh se e ka motër…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU