reklamë

Naxhije Gashani: Kur të flasësh për dashurinë

Nana

Kur të flasësh për dashurinë
nisja prej dashurisë së nanës aty tek dhimbjet e lindjes
kur ajo e sheh se si ecën tehut të vdekjes e prapë
gërryen me thonj dhimbjen për ty

Ti hap sytë krahut të saj e ajo e dërmuar gjen forcën e
lutjeve

Kur të flasësh për dashurinë
Nisja prej dashurisë së nanës aty tek netët pa gjumë
kur ti qaje pa reshtur, pa ditur ku të dhemb
e ajo të përkundte mes ninullash

Ti dikur dërmohesh e fle
por ajo ngrihet shtratit të
paprekur e nis ditën për zgjimin tënd

Kur të flasësh për dashurinë
Nisja prej dashurisë së nanës aty tek fjala e parë
kur ti nxore dhëmbin shpërfaqur buzëqeshjes
e ajo harroi vetveten u bë roje e qeshjeve tua

Ti sall të qeshësh ajo i bie anëpërtej botës t’i gjejë
arsyet

Kur të flasësh për dashurinë
Nisja prej dashurisë së nanës
kur ti ulë kokën prehrit të saj
dhe e kërkon shtegun e daljes për udhën e prerë
ajo aty është me sytë e dashurisë
arkeologe shtigjesh
të rrahura për ilaçin tënd

Ti mund të bëhesh udhëtar udhëve të shtruara
mes petalesh kur ajo lutet për ty

Kur të flasësh për dashurinë
Nisja prej dashurisë së nanës
kur ajo nxjerr me rrënjë ndjenjat e saj
e dhuratë ia bën të nesërmes tënde

Ti mund t’i zgjasësh duart se nana nuk di të jep tjetër
Përveç dashurisë për copën e shpirtit që ndien e dhemb

*

ObserverKult


Lexo edhe:

Naxhije Gashani: Ditëve që (s’)duan të vjeshtohen