Ndahen çmimet “Çesk Zadeja”, këta janë fituesit

Juria e konkursit për kompozitorët e rinj që mban emrin e nderuar të prof. Çesk Zadejës (themeluesit të katedrës së kompozicionit dhe të parimeve të shkollës kombëtare në muzikë), në edicionin e dytë ndau vlerësimet për 3 fituesit.

Juria përbëhej nga prof. Mauro Cardi – kompozitor, konservatori “Santa Cecilia”, Itali, docente Roberta Vacca, kompozitore dhe pianiste pranë konservatorit “Alfredo Cassela”, Itali, Eriona Rushiti dhe Gert Druga, kompozitor, Shqipëri.

Kryetari i jurisë, akademiku Vaso Tole ndau vlerësimet. Në fjalën e tij në ceremoninë e rastit, Tole theksoi disa elemente të rëndësishme, si për vetë konkursin, ashtu edhe për pjesëmarrësit dhe fituesit e tij.

“Konkursi për kompozitorët e rinj është përpjekja më serioze që shteti shqiptar, Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit kanë ndërmarrë pas viteve 2000 për mbështetjen e krijuesve të rinj në këtë fushë shumë të rëndësishme dhe njëherazi delikate të krijimtarisë artistike, siç është krijimtaria e re muzikore, pak ose aspak e vlerësuar deri më tani.

Aspekti tjetër pozitiv lidhet me faktin që ky konkurs është i hapur për gjithë krijuesit e rinj nga hapësira jonë mbarëkombëtare Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe diasporë, e njëherazi vijueshmëria e tij garantohet nga shteti, duke siguruar jo vetëm prestigjin publik të krijuesve, por edhe vënien e veprave fituese në skenë, kjo si një detyrim që e kanë dhe duhet ta kenë konkurset serioze si ky me emrin e Zadejës së madh”, u shpreh ai.

Tole shtoi se edicioni II mund të thuhet me plot gojën që e konfirmoi nevojën për organizimin e tij, nisur nga fakti i rritjes së numrit të pjesëmarrësve (10 konkurrentë në raport me 5 të tillë në edicionin e parë), e po ashtu, hedhjen e bazave institucionale të organizimit të tij nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (pa përvoja të tilla të ngjashme në të shkuarën).

Emrat e konkurrentëve në garë nuk njiheshin prej Jurisë, pasi secili prej tyre konkurronte në mënyrë anonime brenda kritereve të bëra publike.

“Gjykimi i lirë i secilit prej anëtarëve të jurisë, ashtu edhe mbledhja e pikëve të dhëna nga secili prej tyre sipas procedurës së parashikuar, na krijoi një emërues dhe bindje të përbashkët se cilat ishin veprat dhe autorët fitues, duke përputhur plotësisht cilësinë e 3 veprave fituese me çmimet përkatëse, pa asnjë ekuivok apo mëdyshje, çka dhe po të kishte do të ishte normale”, u shpreh Tole.

Thelbi i vlerësimit fokusohej në evidentimin e atyre veprave që kanë origjinalitet të spikatur, vepra që zotërojnë një nivel të caktuar të teknikave muzikore të lidhura me idenë origjinale kompozicionale të veprës, e po ashtu që kanë dhe shfaqin përpjekje thelbësore për një gjuhë muzikore të përveçme.

Çmimet e edicionit të dytë të konkursit “Çesk Zadeja” janë:

Çmimi i parë i jepet veprës “Spectrum, Harmony, Polyphony”, për orkestër harqesh e Kris Sopiqotit, kompozitor, Shqipëri.

Çmimi i dytë i jepet veprës “Një natë pa gjumë”, për solist dhe orkestër harqesh e Jetmir Zaganjorit, kompozitor, Shqipëri, mbi poezinë e Migjenit. Ky çmim jepet në kuadër të 70-vjetorit të themelimit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Çmimi i tretë i jepet veprës “String quartet-Kuartet harqesh” e Fjolla Gashit, kompozitore shqiptare e Kosovës. /atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

FADIL BEKTESHI: DITËN QË BESOVA SE DO VDISJA

Se po nisja tamam një jetë
Pandehmën ma dhanë gishtat tu të mëndafshtë
Shumë vite kanë kaluar
Nga rini imja perënduar
Ujë shumë ka rrjedhur
nën urën me shtatë harqe të jetës
Panta Rei e dashur thanë latinët e vjetër
Këtë e thanë si proverb të përjetshëm, e përjetshmja
ime
Dhe s’është hiç fare me rëndësi
Se a e morën për të veten këtë urtësi
Apo trashëguar nga ilirët antikë
Nga filozofë apo bekri të verës së kuqe
Nga boemë që u dergjën ndanë tavolinës
Me basmë të zhubrosur të kafenesë
S’është me rëndësi pra e dashur
Se a e thanë këtë për herë të parë
filozofë të thinjur nga mençuria
apo dashnorë endacakë që gjakun ta ndalojnë kohën në
një pikë
se megjithatë e dashur unë tani ndoshta jam i vetmi
matës tragjik i kohës

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult