Ndërron jetë në moshën 96-vjeçare kompozitori legjendar grek, Mikis Theodorakis

Kompozitori, politikani dhe shkrimtari legjendar grek, Mikis Theodorakis, ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare.

Gjatë karrierës së tij gjashtëdhjetëvjeçare, Theodorakis shkroi mbi 1.000 këngë, shumë vepra simfonike, kantata dhe oratorios, muzikë për dhjetëra shfaqje, tragjedi, opera dhe muzikë për kinemanë.

Theodorakis lindi në Kios më 29 korrik 1925, nga një baba kretas dhe një nënë nga Azia e Vogël. Për shkak profesionit të babait të tij nëpunës i lartë civil, ai e kaloi fëmijërinë e tij duke u zhvendosur në qytete të ndryshme në Greqi.

Para Luftës së Dytë Botërore ai kishte zbuluar dashurinë e tij për muzikën dhe shkroi kompozimet e tij të para, ndërsa në 1942 botoi poezitë e tij të para, me pseudonimin Dinos May, transmeton ‘dritare.net’.

Me vendosjen e diktaturës të 21 prillit 1967, do të fillojë një cikël persekutimi dhe internimi për kompozitorin, i cili do të përfundojë në 1970 me amnistinë që do t’i jepet pas protestave ndërkombëtare. Kompozitori shkoi jashtë vendit dhe dha dhjetëra koncerte kundër kolonelëve, të cilat do ta bëjnë atë të njohur kudo si një simbol të luftës kundër diktaturës.

LEXO EDHE: Ndërroi jetë aktori Muharrem Sylejmani