Ndjej dhimbje kur shoh fëmijë të uritur, të pambrojtur…

Drita Ademi

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Drita Ademi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Gjithmonë varet se cfarë misioni i cakton njeriu vetes, pra kjo është individuale. Platoni dhe Aristoteli punuan në këtë temë, por askush deri më tani nuk ka mundur ta jap një definicion të saktë për lumturinë. Unë mendoj se rruga për tek lumtuaria, është vetë lumturia, pastaj ajo nuk ekziston më.

Cila është frika juaj më e madhe?
Sëmundja që të detyron t’i nënshtrohesh ndonjë aparati mjekësor.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Do t’a admiroja personin që do të sillte më së shumti paqe në botë. Por si duket ai nuk ekziston. Bota po dergjet, po vuan, po vdes. Këtë dhimbje që e ndjejë nuk ja fali askujt.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
E kam adhuruar shumë Dr. Ibrahim Rugoven. Rrezatonte një paqe botërore dhe nuk u kuptua kurrë ashtu sic ai e meritonte.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

-Besimi i tepruar tek të tjerët.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

-Intriga, gënjeshtra.

Në cilat gjëra e teproni?

-Nëse dikush më bënë një të mirë, e falënderoj shumë here. Do të mjaftonte vetëm një herë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Nëse do të shpëtoja dikë nga vdekja.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

-Basel-Lugano, kjo rrugë më çon në atdhe, kur udhëtojmë me veturë.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

-Zoti të ruajtë.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Që nuk i kam kushtuar më shumë kohë artit, poezisë. Eshtë e dhimbshme, jeta është e shkurtër.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

-Natyrisht, familja ime dhe poezia.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

-E mërzitur.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

-Asgjë. Jam në paqe me veten.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

-Ecja me këmbët e mia në jetë, pa imponimin e askujt.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

-Do të mësoja më shumë gjuhë të huaja.Do të gjeja më shumë kohë për prindërit e mi. Ata nuk jetojnë më.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

-Një liber për jetën me thirrje të fuqishme, që njerëzimi të ndjente më shumë dashuri  njerëzore.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

-Liria dhe familja ime.Të qenurit nënë dhe poete.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

-Luftërat, sëmundjet e pashëshrueshme, varfërinë. Secili njeri do të duhej të jetonte në paqe. Secili i sëmurë do të duhej të kishte trajtimin e duhur mjekësor. Secili  njeri do të duhej të kishte ushqim të mjaftueshëm. Jetojmë në shekullin 21 dhe këtyre të kqijave ende nuk ju erdhi fundi.

Ku do të dëshironit të jetonit?

-Në një kasolle në pyll, me zogj, drerë e të tjera shtazë.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

-Dashuria njerëzore. Ndjej dhimbje të mëdha kur shoh, mjerim, sëmundje, luftë, varfëri, kur shoh fëmijë të uritur, të pambrojtur.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Mençurinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

-Pastërtinë shpirtërore dhe mençurinë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

-Ka shumë, por po e veçoj T.S.Eliot.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

-Kanë qenë dhe mbeten prindërit e mi. Ata nuk jetojnë më, por vepra e tyre, mencuria, dinjiteti do të jetojnë sa të jem unë gjallë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

-Të isha Biologe, të zbuloja vakcinën kundër Covidit 19, të shpëtoja çdo jetë, apo të zbuloja ilaçin kundër kancerit.

Si do të dëshironit të vdisnit?

-Do të dëshiroja të vdisja në një rreze dielli, pa i munduar të tjerët, thjesht në gjumë të lehtë.

Cila është motoja juaj?
-Të shkruaj që mos t`i mbetem borxh vetes dhe letërsisë, natyrisht edhe lexuesve të mi./ ObserverKult