Ndre Mjeda: Kû ké nanen me derdhë lot?

ndre mjeda fëmija dhe zogu
Ndre Mjeda

Edhè shtâza po gazmohet,
Edhè bari mungullon ;
N’ shênd natyra gjith po çohet,
Veç ti, i mjeri, po gjimon.

Kâng’ e valle tui bashkue
Shênd prei gojet gjithkush qet ;
Veç i vorfni tui dertue
Porsi i huej â n’ gjiní t’ vet.

Tui ankue per t’ zeza t’ veta
Per gjith derë tui lyp’ kerset ;
Per ‘tê t’ dhimtun kerkund s gjeta:
Porsi i huej â n’ katund t’ vet.

Lodh’ e ûnshem, kúr vjen nata,
N’ prêhen t’ nanës me shkue kujton ;
Edhè nana i diq e ngrata,
E kush t’ vorfnin se ngushllon.

Bab’, oh! babë! sa herë ndo ‘j trimit
Do me i thanë tui derdhun lot ;
Po per têne â fjalë trishtimit,
 nji fjalë qi permêndë kot.

Per dhé t’vet tui dalë n’ushtrí
Rrebtë qindroj i jati e diq ;
Sot i vorfni askund nji shpí,
Nji copë buk s e gjên nder miq.

Ah! ti njome, o njome e mjera,
Dit’ e natë qi po vajton ;
Kund nder miq nuk t’ çilet dera,
Kerkush vajin s ta pajton.

Dit’ e natë pá buk e shpí
Shkote i vorfni andej e këndej,
E prei t’ pasunish zotní
Nji fjalë t’mirë kerkush s ja kthej.

Kû ké baben me t’ ndimue ?
Kû ké nanen me derdhë lot?
Tý gjith robi t’ ká harrue,
Kerkush s’do me t’ dalun zot.

Tui rá bórë, tui frye murlani,
Mjet dý vorreve si ‘j lis,
Afer gropës qi vet’ e bâni,
Djali i vorfen u molis.

Afer nanes u shtrue me fjetun,
Afer babës kerkoj pushim ;
Kurrgjâ t’ ngritin s ká me e gjetun,
T’ xét e t’ ftoftë skan me pasë ndrrim.

Me njatà qi veç e dojshin
Trupi i t’ vocerrit pushoj ;
E n’ lumní qi atà po gëzoshin
Shpírti i njomes fluturoj.

*Titulli i origjinalit: “I mbetuni”

Ndre Mjeda

——————-

Lexo edhe:

Ndre Mjeda: Gjuha shqype

ObserverKult