Nga Ndre Mjeda
I
E n’balkue mbaruene lulet:
Shurdh’ â vêndi e shpija tytë;
Jo, me loken nji e dytë
Neper shpië mâ nuk u gjet.
Vetun zbardh’e vetun erret
Me krye n’hî e shumja plakë;
Nji dorë krânde me i bâ flakë
Permbî votrë kush s ja qet.
E disprohet me vetvédi
Qi nuk bâni kurrnji djalë:
Sot e réja i kishte dalë
Bashkë me dritë per drû në shpat.
Kish mbájtë zjermin ndezë mbî votrë,
Ja kish njomë njat buk e mjera;
Edhè lokja me gjith tjera
Kishte dalë me petka n’shtat.
Kish shkue motin si prêndvera
Me ndo’j fëmië tu’e kalamêndun;
Ishte knaqë tui e permêndun
Tash e tash ferishta n’djep.
E disprohet ke i ve mêndja
Or’ e ças te Trina, e shkreta!
Ja lypë mòrdës n’ankime t’veta,
Por mizorja nuk ja nep.
II
U shty vjeshta e krisantemi
Vetum vorreve lulzon;
Landët e pýje, gjith kû kemi,
Tui fry veri po i cungon.
Ndrron prei dimnit landa veshen,
E lëshon gjetht qi para pat;
E, per mëshier, duhiët qi ndeshen
Ja çojnë t’vorfnit me i bâ shtrat.
Bite bór’ e fryte véri
Tui çue akull per gjith vis;
Nêlt orteku ushton per mnéri
Tui fundue çetin’ e lis.
Me dý cokla n’votrë plaka
Rri gjith naten e vajton;
Rri me duer kah ndezet flaka
Porsi nieri kúr uron.
E shikjon nji dritë t’venitun,
Vron pasqyren e jetës s’vet:
E lerg Mórden tui kositun
E kujton e pran’ e thret.
U ndiej’j frymë permbrênda shpijet
Porsi érë qi vjen pà shkas;
E, n’at muzg, nji vegim hijet
Lokes n’votrë lét ju qas:
Permbí plaken krahët i uli,
E ngryk t’shuemen e shterngoj;
Buzët t’shpulpueme n’báll ja nguli;
U ndal drita e ajó mbaroj.
Përgatiti: ObserverKult
———————————————————————————————
Lexo edhe:
NDRE MJEDA: ANDRRA E JETËS (TRINA)
I
Molla t’kputuna nji deget,
dy qershia lidhë n’nji rrfanë,
ku fillojnë kufijt’ e Geget,
rrijnë dy çika me nji nanë.
Kreskë e bre perzie me lisa
rriten rrotull, me çetinë,
plepa t’but’ e qiparisa
mbëlojnë e veshin at’ ledinë.
S’ushton mali prej baktie,
s’fryn murrlani me duhi;
paq i kthelltë prej perendie,
paq prej njerit e qeti.
Gurra e lugut veç ushtonte
si lahutë me kangë kreshnike;
e ndër pemë bylbyli këndonte
valle dasmet e fisnike.
Ngreh, bylbyl, n’at’ hije valle,
ushto, gurrë trimneshë, n’shkambije;
bulk i natës kungallë, qi talle
nëpër gemba e për lamie,
këndoni, këndoni. Veç prej stanit
t’ardhmen Trina mbramje n’shpi,
tue blegrue nji kij mbas zanit
t’deles nanë keni me ndi.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult