Ndue Ukaj: Kur vallëzon valltari pa këmbë

ndue ukaj:

Kur vallëzon valltari pa këmbë- nga Ndue Ukaj

(Zhaneta Barxhaj: Valltari pa këmbë, poezi, 2016)

Në poezi mund të këndojë valltari pa këmbë, siç ngjet në përmbledhjen poetike me të njëjtin titull të Zhaneta Barxhajt. Poetja zhvishet përballë realitetit dhe guxon të godasë zhelet e modernizimit. Dhe këtë ajo e bën, duke besuar te forca e poezisë, te aftësitë çliruese të saj, ngaqë ajo depërton në thellësitë e jetës dhe është zë autentik i kohës.
Dhe në poezi ndodh që “zemërimi t’i hap mushkëritë e veta mbi ne” dhe poezia të dëftojë forcën e saj për të depërtuar në skutat e thella të shpirtit njerëzor, ku ndien ankthet, dëshirat, ku vlojnë ëndrra për ditë me dritë e përtej territ, ku e mira sfidon të keqen dhe e bukura, shëmtinë, duke rendë drejt një të nesërme, por gjithmonë – thotë poetja – për këtë të nesërme duhet një kurban, të cilin “e kemi…mes mijëra faqesh të historisë.” Sepse, në kalvarin e jetës, dëfton trishtueshëm ajo se rrugët janë të ngrëna nga koha. Dhe në ato rrugë, valltari pa këmbë është ai që vallëzon, pa rënë në gropat e kohës. Dhe, si në çdo kohë, edhe në shekullin e poetes,
“tronditën themelet e ndërgjegjes,
ngatërrohen mes psikozave perverse.”
Dhe ç’dëshiron poetja në këtë gjendje ose përballë kësaj gjendje? Ajo i drejtohet fuqisë së panjohur:
“O i panjohur…
Ti që do të dëgjosh klithmën e shekullit tim.
Rrëfeje….Çliroje.
Mos e mbyt sërish në harrim.”
Kjo është forca e poezisë: çlirimi nga angështit, të pathënat, forca për të luftuar harresën.
Është poezia ajo që lufton me harresën dhe krejt ushtritë e saj të fuqishme që shurdhohen dhe s’bëhen të gjalla kur shohin si tronditin themelet e ndërgjegjes. Në rrëmujën e këtyre plasaritjeve, poezia s’hesht. Ajo flet, ajo kumbon, ajo ndrit si dielli dhe lexuesve u ravijëzon një realitet tjetër.
Dhe kështu, poezia buçet, bëhet buçimë, një kambanë që thërret, që të na del gjumi, siç thotë poetja te poezia “Buçimë.”
Kurse në poezinë “Maska” maskat thuhet:
“Nga sektori i riparimeve marrin jetë çdo ditë,
Ja, rinisë sërish festa!!!”
Dhe kështu, poezia bëhet një formë e rezistencës, përballë maskave që rëndojnë kohën dhe zbejnë dëshirat njerëzore, i tkurrin, ose, më e keqja, s’i lënë të dalin kurrë në dritë.
Në çaste trazirash shpirtërore, poetja komunikon me veten, me epiqendrën e saj, zemrën.
“Zemër
Zemër…e di je e ngarkuar me
Qarkullimin e përditshëm.
Por sot më duhet dikush tjetër.
Më duhen sensorët orientues të eci
drejt shtegdaljes.”
Dhe në këto trazimesh, shtegdalja – është udha e poezisë, nëpër të cilën ecin ata që zhvishen nga dogmat, ideologjitë dhe e duan pastërtinë e jetës në thellësi, esencave, siç e kërkon poezia, e cila, fund e krye është një çlirim, çlirim nga ankthet, dëshirat e tretura dhe një rravgim në realitetin e brendshëm, të zemrës, ku pluskojnë ëmbëlsitë e jetës e ku frika ndal shpeshherë sensorët e bukurisë.
Prandaj, na duhet poezia, na duhet gjithmonë, sepse është një formë e shprehjes që lufton maskat dhe që bën të vallëzojnë edhe valltarët pa këmbë, siç vallëzojnë në poezinë e Barxhajt, ngaqë, siç ngjet në poezinë “Energji”, ajo mundohet t’i gjej kapilarët që s’kanë kufij, ku kërkon idenë e pashënuar në hapësirat e një zemre pa fillim e fund. Dhe e gjithçka ka një cak: vertikalen, ku ajo pret që e nesërmja të vijë duke më buzëqeshur…

ObserverKult

Lexo edhe:

NDUE UKAJ: KUFIJTË