Ndue Ukaj: Në qytetin e mjegullës

ndue ukaj europës ajër


Në qytetin e mjegullës çdo gjë është ndryshe.
Mendimet janë nguju si mashtrimi ynë nëpër statuja.
Aty lulet bëjnë jetë mes therrash
e brenda tyre vallëzojnë lirshëm veç insektet.

Zoti im,
qyteti i mjegullës rrugët i ka të ngushta
edhe mendimet i ka të ngushta
e kënga Aleluja s’dëgjohet askund.

Aty plehrat s’kanë vend,
nëpër këmbët e lodhura janë pështjellë.
Veç fjala përpiqet ta mbrojë dinjitetin e shkërdhyer.

Merimangat kanë lëshu shtat
e mbeturinat e mendjes janë bërë cunga nate,
cunga kohe.
Cunga që thyejnë dhëmbët e prishur nga ecja paqëllim,
Cunga që thyejnë gjunjët e rënduar nga mëkatet e rënda.

Në qytetin e mjegullës dritat e kinemave janë shu.
Ekspozitat bëhen nën trysninë e qirinjve që luftojnë me errësirën.
Poezia lexohet skajeve të pikëllimit
ku vetëm qentë e zgjebosur shëtisin të qetë.
Aty era e politikës ka qelbë çdo gjë,
cërimën e zogjve e puthjet e dashnorëve.

Në qytetin e mjegullës plehrat kanë mbulu lulet
e në mes është pellgu i padijes
ku liria dhe lufta s’kanë kufij
ku poezia dhe jopoezia s’ kanë kufij.

Aty shtegtojnë mendimet si nëpër xhepa me bërllok.
Aty grabiten dhimbjet e shumta
dhe sillen nëpër qiell e bëhen ushqim për barkun e uritur të politikës.

Në qytetin e mjegullës prej kohësh numërohet mbrapsht.
Prej kohësh numërohet shtrembët.
Prej kohësh ndjehet mungesa e “Qytetit të Zotit”