Nga Çapajev Gjokutaj
“Në bankat e shkollës, moj mike,/dy emra i gdhendëm dikur”. Këto vargje të një kënge te vjetër, që në vitet e shkollës së mesme i këndonim në grup dhe gjithë trishtim, m’u kujtuan mbrëmë, ndërkohë që spikeri fliste për një turist i cili kishte gdhendur emrin e vet dhe të të dashurës në muret e Colosseumit në Romë, ndaj rrezikonte të dënohej deri në 5 vjet burg.
Po të kërkosh në Google, të rezulton se vandalizma të këtij lloji nuk janë dhe aq të rralla. Vitet e fundit Colosseumi e ka pësuar diçka të tillë, minimumi edhe tri herë të tjera. Pesë vjet të shkuar një grup turistësh izraelitë shkaktuan skandal të përbotshëm se u kapën duke gdhendur emrat në muret e Taxh Mahalit të famshëm.
Ç’lidhje kanë dëmtimet dhe vandalizmat kundër Colosseumit e Taxh Mahalit me emra e dy të rinjve, të gdhendur në bangat e shkollës së dikurshme, përveç faktit që në të gjitha rastet kemi të bëjmë gdhëndje a prerje?, mund të pyesë shumëkush.
Në fakt prirja e njeriut për të riprodhuar veten është qëllimi kryesor i jetës. Veç riprodhimit biologjik nëpërmjet pasardhësve, njeriu përpiqet të lejë gjurmë e ta përjetësojë veten edhe në rrafsh simbolik, me bëma e vepra që do vrasin, aq sa mund të vrasin, harresën e hiçin.
Edhe gdhendja e emrave në monumente të lashta a të shenjta, pavarësisht se akt ekstremisht vandal, një shtytje të tillë psikologjike duket se ka për rrënjë.
Rasti i Colosseumit, ka edhe diçka plus që e lidh me atë të bankave: ka të ngjarë që kur është i dashuruar njeriu, kërkon t’i mbushë mendjen vetes se ajo ndjenjë do zgjasë e do zgjasë si një përjetësi.
Po mund të jetë edhe një ndeshje e fshehtë mes të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes: e para i thotë se dashuria është e përkohëshme, e dyta nxiton ta mohojë e t’ia zgjasë jetën me çdo kusht, qoftë edhe me një gdhendje banale.
Psikologët që janë marrë me prirjen e disa njerëzve për të gdhendur emrin e vet gjithandej, theksojnë shkaqe të ndryshme duke filluar nga dëshira e kujtimit dhe përjetësimit, duke vazhduar me instiktin e shënimit të territorit trashëguar nga stërgjyshërit leshtorë e duke ardhur tek shfaqje të narcisizmit apo edhe të rebelimit infantil dhe sidomos të pagdhendjes. Gdhend i pagdhenduri.
Të tëra këto mund të jenë të vërteta, por një gjë mbetet konstante: në të gjitha rastet që përmenda më lart, më shumë se vetëdija ndikon instikti, më shumë se individi vepron kafsha e ndrydhur brenda tij; kafshë që, ndryshe nga të parët e saj, ndeshet e perleshet me vetëdijen e përkohësisë dhe të hiçit.
Ndërkohë që jam ulur e shkruaj këtë postim, Dodo vjen e më fërkohet tek këmbët si për
të më kujtuar se ka kafshë e kafshë.
(Nga cikli ‘Djerrinat e shpirtit’ )
Lexo edhe:
PSE MALËSORËT VISHNIN RROBAT MBRAPSHT, OSE IA KTHENIN MIKUT KËPUCËT PËRMBYS