Në botë ka shumë çudira, por çudia më e madhe nga të gjitha është njeriu

Çepajev Gjokutaj

Nga: Çapajev Gjokutaj

Kush beson magjitë është injorant, thonë. Jo vetëm injorant, por edhe i dobët, shtojnë të tjerë. Meqë s’ka besim te vetja dhe te bashkësia, nis e beson çudira, thjesht për t’u shpëtuar frikërave dhe stresit.

E megjithatë unë besoj tek magjia dhe e magjishmja. Vetëm se nuk e gjej tek nuskat, thëngjijtë që shuhen në ujë, leshrat e prera përzier me thonj e hi dhe gjithfarë gjepurash të këtij lloji.

Besoj se magjia ekziston brenda njeriut. Magji mbi magjitë p.sh. janë kujtimet e fëmijërisë. Si vera në qilar ato ruhen thellë në të brendshmen tonë për të shkëndijuar herë pas here.

Ashtu si vera, edhe kujtimet e fëmijërisë shtojnë vlerë dhe bëhen më ngashënjyese me kalimin e viteve. Në fakt kanë gjalluar përherë brenda nesh, por sa më shumë moshohemi aq më këndellëse bëhen.

Kanë diçka nga magjia e borës që në pak kohë mbulon e zbardh gjithçka, e bën peisazhin më vezulłues e paksa të shurdhët, sikur të kishte dalë nga përrallat.

Bora e kujtimeve të fëmijërisë është nostalgjia. Përzier me një mall të lehtë e të kudogjendur, nostalgjia mbulon gjithçka dhe e bën të pëlqyeshme e tërheqëse.

Ti mund të kesh vuajtur, jeta jote mund të ketë patur varfëri e mungesa, uri e dhimbje, por në kujtimet e fëmjërisë gjithçka ringjallet e bukur dhe ngashënjyese.

Thonë se kjo vjen ngaqë kemi mall për atë moshë të artë, kur trupi nuk të rëndej, gjymtyrët nuk të dhembnin dhe mendimi fluturonte mes reales e fantastikes, pa pyetur shumë për filtrat e logjikës.

Por ka të tjerë që thonë se gjithë këto gjëra të magjishme që mbulojnë kujtimet e fëmijërisë s’janë tjetër veçse sajesa të psikologjisë sonë, mekanizma mbrojtës.

Vijnë e ndërmenden për të na mbushur mendjen se, pavarësisht dhimbjeve dhe pafuqisë së pleqërisë, jeta jote ia ka vlejtur përderisa ruan në qilarët e kujtesës vlera të tilla, që të dehin e ta bëjnë çastin më të lehtë e më të bukur.

Brenda njeriut ka edhe shumë e shumë magjira të tjera, ndaj ai tragjiku i lashtë këndoi: se në botë ka shumë çudira, por çudia më e madhe nga të gjitha është njeriu.

*Titulli i origjinalit: “Magjia ekziston brenda njeriut”

*Nga cikli: “Mademet e shpirtit”

ObserverKult

___________________

Lexo edhe:

MAMAJA IME ISHTE MËSUESE, S’PËRDORTE LAPS TË KUQ…