Në dritat e teatrit fshehet dashuria

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet dramaturgu Naser Shatrolli.


Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Darka me familje në ballkonin e banesës sime në Veternik, prej ku do të mund ta shikonim qytetin me drita, ndërsa atmosferën e tavolinës, do ta përshkonte një frymë e lehtë që lëkund perdet, përderisa vajza ime kërkon me ngulm që t’ia trajtoj dhe respektoj kukullat e saj, me të cilat flen, ndërsa, në televizor vetëm sa dëgjohet zëri i Parashqevi Simakut ’’Mos ju prishni lumturinë’’.

Cila është frika juaj më e madhe?
Ua kam frikën qenëve endacak, megjithëse, nuk ka të bëjë fare me qentë përgjigjja. Kafshët më dhimbsen për faktin se bëjnë jetë qenqe gjersa njerëzit përfitojnë në kurrizin e tyre. Me këtë, dua të them se, është e vërtetë që ka krizë të madhe morale, megjithëse, nuk jam pesimist aspak. Unë besoj që ka vepra të mira, sikundër që, vepra me brum të keq është duke ia ngushtuar hapësirën lukthit dhe kanaleve të frymëmarrjes, mbase, është përshkallëzim goxha ‘racist’, megjithëse, për nga natyra nuk jam fare i tillë. Pra, tendenca për të imponuar njëfar arti të çoroditur është bërë telekomandë e frikshme. Për të shkuar edhe më tej, jeta artistike është duke u bërë me porosi, sikundër që lavdërimi dhe përfitimet e kripura janë duke i kapërcyer formulat matematikore, ndërsa, teatri është duke ndodhur nëpër tavolina të kafiterive – aty prehen kostumet, aty ndahen fitimet. Në rrafshin personal, frikë e madhe do të ishte nëse nuk do të guxoja që ta ktheja kokën mbrapa në një moshë të shtyrë.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nuk kam përgjigje adekuate për këtë pyetje. Nuk kam person këtë rast. Mbase, një gjysmë përgjigje e kam, i admiroj personat që kanë personalitet të qëndrueshëm në relacion me pikëpamjet e tyre që kanë për artin, për kulturën, për unversion filozofik.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Çarli Çaplini, të pa krahëve ju ka dhënë krah. Ai është gjeniu im.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Modestia! Nuk do të doja që të isha modest, përkundrazi, do të dëshiroja që ta ndërroja këtë tipar me dikë që ka emër në publik dhe që ka ndikim në fonde publike.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Tiparet e njerëzve me edukatë dhe butësi që i thonë mirëmëngjesi fqiut të tyre, i cili i torturon me burgi duke shpuar murin për të vendosur fotografi të heronjëve në dhomën e pritjes, gjithnjë, duke i shfrytëzuar rrethatoret e plumbave të tyre dhe emrin e të rënëve, me idenë për të rritur kapitalin familjar, ndërsa, ajo pjesa e njerëzve me edukim, në një vend ku mirësjellja e tyre do të merrej edhe më tej për përtallje, ata mund të ngelen shembull i mirë në perspektivë duke jetuar me një gjysmë-rroge, gjersa gjysmën tjetër ua marr banka për kredi, ndërsa ajo pjesa e problematikëve, do të vazhdojnë edhe më tej që të shpojnë mure, që të shkelin semaforin, të kultivojnë edhe më tej arrogancën…

Në cilat gjëra e teproni?
Kërkesat që kam në procesin e provave të shfaqjes, më bëjnë konfuz, bie në konflikt shpeshherë me vetveten, bëhem i tepërt ndaj aktorëve, ndaj skenografit, ndonjëherë, ju dukem qesharak, mirëpo, kur fillojnë dyshimet e tyre në mua, dhe dyshimet e mia në ata, atëherë, filloj të besoj se jam duke bërë diçka të vogël për teatrin, megjithëse, në kërkesa për teatrin gjithmonë do të jem i tepërt.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
I ndjeri Musa Ramadani në takimin tim të parë me të më pati thënë: Po si gënjeve kolegët për punën e tyre artistike, ata do të fillojnë me ushqyer urrejtje ndaj teje, ndërsa, ti do të ngelesh i vetëm në shkallët e Teatrit. Mua më ka ndodhur ndër vite të kem ‘gënjyer’, duke bërë lavdërime, megjithëse, thellë-thellë, mendoj se në Kosovë edhe më tej do të kultivohet kjo lloj gënjeshtre mediale. Më duket që nuk janë pjekur kushtet për të gjykuar drejt për t’i thënë dikujt në sy, që je plagjiator, që ke vjedhur nga Youtube idenë e shfaqjes, apo idenë e skenarit, ose të dramës, ose titullin shkencor. Po ndodhin në vazhdimësi këto gjëra.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Notoj shpeshherë nëpër pluhurin e latinëve, nëpër ngjyrat e tyre, rrugicat e kalldërmuara, dyert të vogla, penxhere të drurit, mure të zhbiruara anë përtej, më pëlqen ngjyra e kaftë e tyre, plantacionet e rrushit, sidomos gratë e rrëzbitura që mbledhin në hapësira të pafundme kafe. Ka shkrimtar latin, që do të dëshiroja t’i vizitoja shtëpitë ku ata janë rritur, ku kanë pirë ndonjë gotë me gra, ku kanë bërë ndoshta edhe më shumë se sa një gotë verë të kuqe, janë histori intriguese për imagjinatën.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
’’Jam i lumtur që jam shqiptar’’ – miqt e mi, më thonë shpesh në sy – je duke bërë ironi me shqiptarin, po tingëllon përtallëse për veshët, për shijet. Ndërsa mua më shkon nëpër mend – nëse do të ishin më të lumtur kinezët se unë, atëherë do të mendoja për të ndryshuar diçka nga lumturia ime shqiptare. Do të bëja një intervenim kirurgjikal së pari në fytyrë, meqë aty fshehet lumturia, në rrudha, pastaj, nëse nuk do të ishte e nevojshme, do ta mbushja fytyrën me botoks për t’u dukur më sharmant, një buzëqeshje të re artificiale do ta krijoja patjetër. Fundja, është bërë trend kjo, sidomos fytyrat të njohura të ekranit, të cilët e shohin si profit xhepi kirurgjinë plastike, frazën e ndryshimit e përbirojnë nëpërmes ‘bythës’ së gjilpërës.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Vazhdoj të punoj duke menduar që nuk ka më mirë se sa kaq këtu. Do të pendohesha nëse nuk do të punoja në teatër, akoma përtej kësaj, do të pendohesha nëse nuk do të shkruaja tekste për teatrin, edhe më tej se kaq, do të pendohesha, nëse nuk vazhdoj të punoj si regjisor i teatrit, megjithëse, e kam përshtypjen që do ta bart tërë jetën në xhepin e setrës së zezë atë gozhdën e pendimit.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Nëpërmes teatrit e shoh hënën më mirë, e shoh mendjen time, e shoh tekstin tim, i shoh të metat e mia, e ngacmoj ‘paditurinë’ time me gjëra të panjohura, të cilat më vijnë vetvetiu. Fluskojnë si ortek bore që thyen xhamat e dritares ndërsa mua më zënë në gjumin e meditacionit. Ndonjëherë, përtallem me qëllimin tim, mbase, ka momente që jetoj në terrin e njerëzve të shkatërruar. Mirëpo, në skenë, shoh diçka intriguese që ditën nuk e shoh. Me të mbaruar detyrat ditore, ulem diku, gjej një kthinë, e pi një birr të ftohtë, ndërkohë, e gjej një emërtim përkatës për titullin e punës – Përfundimisht, për mua, në dritat e teatrit fshehet dashuria!

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Stabile e kam, por pa syze nuk mund të shkruaj, nuk mund as të vozis makinën pa to. Mbamendja herë-herë po më ngacmon, ka raste që më troket në derën e pasme të shtëpisë, kalon nëpër shkallët mobile që janë për raste emergjente. Megjithëse, stabiliteti im mendor ndërlidhet me portofolin shpirtëror e buxhetor, me urinë afrikane, me zemrën dhe me dëshirat për familjen. Mbase, druaj se do të vazhdoj të jem stabil edhe për një kohë, nuk e di sa do të zgjasë ajo kohë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Një gjë që do të dëshiroja ta ndryshoja dhe për të cilën jam duke menduar çdo ditë, është kjo; Do ta shqelmoja modestinë me patkoin e kuajve. Do ta zëvendësoja dashurinë për skenën në komercializëm. Do të dëshiroja që të bëhesha numër 1 në vend për një tip dramaturgjie pa takt, pa sens, ku do të dominonte, pisllëku, sharjet, fyerjet, cullakhanja, bizariteti, ndërsa publiku, do të kënaqeshin me këtë ndryshime. Ky është ndryshim i madh për të cilin jam duke vuajtur, fundja, pa u çmendur suksesi nuk arrihet, e unë ende skam arritur në fazën e çmendurisë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
E arritur e madhe për mua do të ishte momenti që zhgënjehem nga puna që bëjë. Për çudi, mua më pëlqen uniforma e të burgosurve, ata bëjnë të njëjtën punë çdo ditë, mirëpo bëhen shembull i mirë pas 20-30 vitesh për gardianët e burgut. Lënë shenja pozitive në muret e asaj fortese ku e kanë kaluar rininë e tyre. Ndërsa, për dallim prej të burgosurve, mua lap-topi, më ka robëruar me burg të përjetshëm. Dal në ora 7 nga shtëpia, ulem diku, vazhdoj, shkruaj teatër megjithëse, akoma nuk e di nëse kam shkruar diçka të vyeshme deri më sot.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Koha nuk kthehet pas, këtë e kam kuptuar me vonesë. Më vjen keq që si kam dëgjuar mjaftueshëm akrepat e sahatit të babait tim, i cili qëndron në murin e odës së burrave. Ka perënduar e shkuara, vazhdon të perëndoj e tashmja, jemi duke shkuar drejt derës së perëndimit të panjohur. Mua personalisht, më vjen keq kur nuk i shijoj mjaftueshëm rrezet e diellit të mëngjesit. Kam përshtypjen që njeriu ka nevojë për diell, dita është më produktive për të. Mbase, koha është diell, veprat e këqija në mungesë të diellit ngelen motiv për hije, të cilat regjistrohen në kalendarin kulturor si të dështuara, sikundër, që veprat e mira bëhen shembull i mirë për akrepat e sahatit meqë dielli qëndron në bërthamën e tyre. Nuk e di nëse isha i qartë me vetveten!

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Makinë shkrimi do të doja që të bëhesha, prej atyre të vjetrave me të cilat kanë ndërtuar muret e letërsisë së pavdekshme shkrimtarët e mëdhenj.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Këpucët, ndjej siguri me këpucë të mira, që nuk më lëndojnë në thembër. Që kanë komoditet nga brenda, që nuk lëshojnë erë. Përveç kësaj, më pëlqen edhe ai vibrimi i takave që lëshojnë gjersa ngjitem shkallëve të teatrit.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Politizimi i familjeve tona do të ishte çelës mjerimi për prishjen e rendit shtëpiak. Në vazhdën e kësaj, për pasojë, do të futej krimbi në damarët e mollëve të kuqe, të cilat qëndrojnë mbi tryezën e bukës, thënë ndryshe, mjerim do të ishte nëse prishet familja nga brenda. Sot, shtresa të rëndomta, po shqetësim e synim e kanë politikën, zibidi punët në shtëpi, diskutojnë pak për nevojat e shkollimit, për të reshurat atmosferike, për ndryshimet klimaterike, për kaosin urban, për vërshimet e mundshme dhe dëmet që i shkaktohen tokës pjellore. Këto janë tema të vogla për ta, mbase, politika është bërë barrnatore familjare. E shikojnë si rinoqerontin një politikan gjersa ai ecën Sheshit ”Skenderbe” me masa përcjellëse. Për të përmbyllur kontekstin e pyetjes, shoqëria po shpenzon ëndrrat e saj duke u merr me punët e të tjerëve.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Kam qenë në Nju Jork me shfaqjen ”Karamel” në vitin 2018. Titulli i dramës dhe dëshira për Amerikën më ngelen merak në perspektivë. Amerika është tokë e mundësive, i kujtoj filmat e famshëm që kanë trajtuar tema të kësaj natyre, që ndërlidhen me dëshirën, me ëndrrat, megjithatë, dëshira ndonjëherë të detyron që të futesh në rrugë pa krye. Andaj, preferoj të bëjë gjumin në strofullën e prindërve të mi. Vendi ku jetoj nuk është se më pengon që të krijoj, përkundrazi, në Prishtinë, përveç punës, dhe gjëra si këto, gjej kohë edhe për kafe me miq e koleg. Në vende tjera nuk është kështu, flas nga mbresat që kam marr në këto 20 vitet e fundit.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Energjia pozitive. Tentoj që të gjej një fjalë adekuate që do të krijonte efekt të mirë në miqësi, që ka nuanca humori me pretekst tërësisht relaksues, asgjë përtej saj. Nuk e bëjë për kamerë të fshehur ose për të afishuar projektime të caktuara në kokat e njerëzve. E shikoj si të nevojshme një fjalë të mirë, andaj e bëjë, ndikon vetvetiu në psikologjinë e tyre, në fakt edhe mua më bënë mirë. Pra, kujdesin në marrëdhënie me shoqërinë e gjerë e shikoj si refleksion pozitiv si ilaq kundër depresionit, duke ditur që ka mjaftueshëm gjëra që na mërzisin në përditshmërinë tonë. Megjithëse, vetëdija së bashku me kërkesat që ka shoqëria jonë janë rritur. Nuk është e mjaftueshme vetëm një fjalë mirë gjersa treni teknologjik ka vërshuar botën, ndërkohë, në Prishtinë standardet e trafikut urban nuk di nëse do të funksionalizohen ndonjëherë, flas në kontekstin fizik por edhe ideofilozofik. Letërsia, drama, teatri, si rrjedhojë globale janë standard që kërkojnë vëmendje të shtuar.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Burri që ia ndërron pelenën fëmiut të tij në parkun e qytetit, që e bënë jo për reklamacion, por për nevoja higjienike të ‘bythës’ së fëmiut të tij, këtë detaj do ta veçoja, të tjerat pastaj janë pjesë e një shablloni të caktuar socio-kulturor. Mashkulli i perëndimit fëmijët e gruas së tij, që ajo mund t’i ketë bërë me një shqiptar, arab apo amerikan, në procesin e një marrëdhënie të ndërsjellë, ata i konsiderojnë si pjesë organike të familjes, gjithnjë për hatër të dashurisë dhe vetëdijes së lartë qytetare. Ndër ne, ka burra në shumës, që vazhdojnë ende të mendojnë për një grua; ”ishte grua burrnore – gjynah me i thënë asaj grua”.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Për të ikur nga eleganca, nga patetizmi, apo nga klishetë, njëherësh duke dashur qëllimisht që të dramatizoj paksa me pyetjen, unë e vlerësoj një femër që i thotë burrit në sy të miqëve të saj, apo të tij – ”mos u shit francuz”!? Kjo do të thoshte pjekuri, mbase do të ndryshonte situata në një marrëdhënie të ndërsjellë përrreth asaj tavoline. Pra, ka nevojë për pjekuri ky vend, për të qenë më të vërtetë, më vetvetja, më origjinal, më real, më të guximshëm, për tu zhveshur nga ai frajeri i rrejshëm, nga maskat, nga dyftyrësia dhe gjëra si këto, që janë prezente kudo, madje edhe në teatër. Nuk e di nëse e teprova. Uroj që të mos ndikoj në krijimin e konflikteve ndërgjinore, përkundrazi, mesazhet janë tërësisht paqësore në thelb!?

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Filozofia më merr ndonjëherë, ndërsa Niçe më duket se është ’’budallai’’ im i preferuar. Me të mbase do të mund të notoja në det paralel me dallgët e forta që godasin furishëm në shkëmbinjët e Alkatrazit.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Prindërit e mi nuk jetojnë. Kjo nënkupton që kam dikë që më ka krijuar mua, për ta me raste, ndjej mall. Kjo ndërlidhet me gjenezën më tepër asesi për t’iu nënshtruar faktit kanunor apo mendimit farefisnor. Prindërit janë heronj për fëmijë, dua të them se, dua që t’i ruaj emrat e tyre në dollapet e fëmijëve të mi. Tani, jam duke e sendërtuar një jetë tjetër nga ajo që kanë bërë prindërit e mi. Unë me bashkëshorten time Arin, kemi bërë dy fëmijë – Lundrën dhe Fanarin. Vajza ka filluar që ta germëzoj rrjedhshëm fjalën ‘mam’, ‘bab’. Ëmbëlsia që rrjedhë nga gojë e saj mbase i kapërcen kufijtë e personales, pra, në kontekstin e pyetjes, mund të them se; fëmijët janë univers i heronjve të mi.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Nuk do të dëshiroja që të identifikohesha me diçka që nuk përkon me mua – që nuk ka fytyrën time, mendimin dhe meditimet e mia, skuqjen time, ndjeshmëritë e karakterit tim. Emocioni ka një damar të vetëm i cili valvulon gjak 24 orë për të ushqyer mendje. Kam përgjigje të tjetra që janë më intriguese se e para – pra, nëse do të veproja kundër trashëgimisë shpirtërore, streha ime do të pikonte shi, do të bëhej e mërzitshme, e në rast se do të depërtonte dielli, do të merrte ngjyrë të kameleonit, megjithëse, mua më pëlqen ora e xhepit, më duket gjë e rrallë për kohën…Ndryshe, nuk kam një definicion përfundimtar nëse talenti i bënë njerëzit e suksesshëm. Unë besoj në talent – është paksa retorike, por ka element real që të qojnë në mullirin e fjalëve popullore!

Si do të dëshironit të vdisnit?
Jemi lodhur nga frymëzimet e caktuara në relacion me llojin e pyetjes. Interneti disi e ka topitur mendimin e lirë. Shoqëri të caktuara komunitare duke kërkuar pavdekësinë disi janë varfëruar. Kopijimet janë bërë jastëk pagjumësie, fjalët e mëdha janë bërë katran për fytin. Nuk e kam një përgjigje origjinale për fundin. Fundi nënkupton të kthehem me kokë pas, për të shikuar nëse jam i vetëm duke e bartur arkivolin në krah. Në një komunikim që e kisha me njërën nga personazhet e dramave të mia – më tha; Kërkoj një fund të arsyeshëm. Më vendos të lutem në shkallët e një shtëpie të braktisur, aty, duke i zbathur këpucët, do të rrëzohem, do të bie me kokë në njërën nga vazot e luleve të thara të një gruaje që e kam ëndërruar tërë jetën, ndërkohë, në sfond më orkestro një muzikë nga Pink Floyd, fytyrën mbuloma me një ndriçim intim teatror, ndërsa në vend të çarçafit të bardhë më vendos në fytyrë kopertinat e Khajamit. Ishte kërkesë paksa e orkestruar, mirëpo, goxha interesante sidomos për shtypin ditor. Ky nuk është fundi, është pjellë e imagjinatës, ka mbetur që të mendoj edhe më tej për fundin!

Cila është motoja juaj?
Të bërit gjumë të rehatshëm pa frikën se do të më troket dikush në derë për të më kërkuar borxhin që kam ndaj nënës (Xhevahir Spahiu), ndaj familjes, ndaj miqëve, kolegëve, ndaj vendit, ndërkohë, vazhdoj që të shkruaj, të lexoj, të shikoj trendin e filmit dhe dramës këtu e në botë, ndonjëherë, vet-lavdrohem, sidomos, kur shkruaj ndonjë dialog për të cilin i them vetes; gjeniale – të nesërmen e fshij, meqë, më vjen në mend diçka tjetër. Vazhdoj të vetmashtrohem duke i thënë vetes se kam bërë diçka për skenën. I kushtoj rëndësi imixhit, me rrënjët e malit i ushqej flokët, fatëkeqësisht, ende nuk më jam zbardhur që të dukem intelektual…Jetoj për një fjalë goje, ndaj ditën me një numër të caktuar të miqve të mi, me të cilët debatojmë për kulturë, për pikturën, për filmin, për letërsinë, dëgjojmë muzikë të vjetër qytetare, kemi kapak vesh muzikor, bëjmë gazetari, sendërtojmë përralla për një ditë tjetër. Ka ndonjëri që nuk jeton mes nesh – Irfan Blakqorin (U lodha nga kjo jetë) dhe artist të tjerë i kujtojmë në mënyrën tonë. Me shpresë se do të kemi akoma për të thënë herën tjetër, do të falenderoja për këtë komunikim intelegjent, që më preku në damarët e ekzistencës sime. Kapak jam përtall me vetveten, mirëpo, në fundament, u ndjeva i dobishëm!/ ObserverKult