Në fjalën “Të dua” ka gjithmonë dashuri, por jo në çdo dashuri ka gjithmonë “Të dua”!

fabio volo:

Në vazhdim ObserverKult ju sjellë një fragment nga libri  ”Kam një jetë që të pres” të Fabio Volos:

“Me ty do të jem ndryshe. T’i them këto fjalë në periudhën më të mirë të jetës sime, në periudhën kur jam mirë dhe kam kuptuar kaq shumë gjëra. Në periudhën kur më në fund po e njoh lumturinë me sytë e vërtetë të saj.

Në këtë kohë, jeta ime është e plotë, kam kaq shumë gjëra që më pëlqejnë rreth vetes, që më tërheqin. Jam shumë mirë pa ty dhe jeta ime si një person i vetmuar është e mrekullueshme.

E di që duke e thënë kështu, tingëllon keq. Unë të kërkoj të rrish me mua jo sepse pa ty ndihem jo i lumtur. Do të isha egoist, nevojtar dhe shumë i interesuar për lumturinë time dhe ti do të ishe shpëtimi im.

Unë të kërkoj të jesh më mua, sepse në këtë moment jeta ime është e mrekullueshme, por me ty do të jetë akoma më shumë. Nëse unë do të isha duke jetuar një jetë boshe, të pavlerë dhe të mjerueshme, a do të të pëlqente që të ishe ti alternativë kundër asgjësë, boshllëkut dhe trishtimit?

Sa më mirë të ndihesh i vetëm, aq më shumë vlerë ka personi që kërkon të kesh pranë. Shpresoj që ta kuptosh drejt këtë që po të them. Unë jam mirë i vetëm, por që kur të kam njohur ty, më duket sikur në çdo fjalë që them, ekziston një shkronjë nga emri yt, sepse në fund të çdo diskutimi më shfaqesh gjithmonë ti në mendje.

Kam mësuar ta dua veten time. Por e di që ti “do të më detyrosh” të jem akoma më i vëmendshëm me gjërat që bëj; të jem i denjë për dashurinë që ndiej për ty. Nga tani, unë dua ta zhvesh veten nga çdo mbrojtje. Nga çdo armaturë, nga cdo krenari, sepse jo vetëm që jam i dashuruar me ty, por unë të dua. Për këtë jam i sigurtë.

Në fjalën “Të dua” ka gjithmonë dashuri, por jo në çdo dashuri ka gjithmonë “Të dua”. Unë të dua, ashtu siç nuk kam dashur asnjë tjetër më parë”.

fabio Volo

Fabio Bonetti (në art Fabio Volo) ka lindur në Kalçinate të Bergamos, Itali, më 23 qershor 1972. Është shkrimtar dhe drejtues emisionesh radiofonike dhe televizive.

Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë. Në shqip, janë botuar romanet ”Përtej kufijve”, “Edhe një ditë më shumë”, “Një vend në botë”, “Regëtimat e dritës së mëngjesit”, “Kam një jetë që të pres”, “Koha që do të doja”, “E gjitha jetë”…

E përgatiti: K.B.- ObserverKult


Lexo edhe:

FABIO VOLO: NËSE TI NUK E DO VETEN, PËRSE DUHET TË TË DUA UNË?