Në zemrën tënde desha të rri..

Foto ilustrim

Në zemrën tënde desha të rri… poezi nga Georg Fon Der Fring

Kjo koka ime plot marrëzi
Njëherë pat mend ajo,
Në zemrën tënde desha të rri,
Por aq sa duhej, jo.

Të ëmblat buzë, të kthjelltit sy,
Gjithçka ishin ato.
Krejt u ndryshova veç; për ty,
Por aq sa duhej, jo.

U bëre nënë ti mes nesh,
Fëmijët mbaje kudo,
Ne rrinim tok, të shihja shpesh,
Por aq sa duhej, jo.

Kur vdekja solli fatkeqësi
Dhe të rrëmbeu ajo,
Për ty vajtova, mbajta zi,
Por aq sa duhej, jo.

Si të falënderoj? Jeta na shkoi
Kaq tepër shpejt ajo.
Gjithë ç’krijoj ty ta kushtoj,
Por jo sa duhet, jo!

Përktheu: Petraq Kolevica

————————————————————————————-

LEXO EDHE: Petraq Kolevica: Ajo- e heshtur dhe e zbehtë, ai- i zhytur në trishtim…

Do shkojnë vitet me të shpejtë
Po do më shfaqet ky vegim:
Ajo – e heshtur dhe e zbehtë,
Ai- i zhytur në trishtim.

Dhe rrinin, rrinin të harruar,
Sikur nga bota ishin ndarë.
Ajo – me flokë të lëshuar,
Ai- me pamjen aq të vrarë.

Po njëri-tjetrit asaj ore
I ndiznin zjarrin e pasosur,
Ajo – me pamjen engjëllore,
Ai – me zemrën e vrerosur.

Do shkojnë vitet me të shpejtë
Po do më shfaqet ky vegim:
Ajo – e heshtur dhe e zbehtë.
Ai – i mbytur në trishtim.

*Titulli i origjinalit: “Vegimi”

——————————————————————————

LEXO EDHE: Petraq Kolevica: Zemra e di, s’e pret asnjeri

Po varet shelgu gjer përdhe,            
Atje ku lumi ngjan se fle
E s’shkumëzon,
E s’gurgullon,
Por pasqyron një qiell pa re.
I vetëm ndejta
Dhe heshta, dhe heshta …
S’të duket se vjeshta
Tani po mbaron;
Të ngjan se pranvera afron
E maji fillon të çelë.
E diel,
E diel e trishtuar …
Mendohem,
Kërkoj të kujtohem
Ku kam për të shkuar,
Po zemra e di:
S’e pret asnjeri!
U ngrys.
U rrokullis dhe kjo e diel,
Si gjithë të tjerat kanë shkuar
Dhe ja, sërish,
Agimi nesër do të çelë;
Por do të desha fort të ish
E diel e fundme e trishtuar …

*Titulli i origjinalit: “E diel e trishtuar