
E kërrusur nga pesha e viteve,
e zbehur nga nejçtë e plagës,
e lodhur nga dhimbja e shpirtit,
para pasqyrës shfaqet e rrudhat numëron:
kjo është e Sokolit kur trupin me lot ia lava;
kjo është e Xhaferit kur gjakun me buzë ia thava;
te kjo këtu Valdeti hise ka, se zemrën në një mijë copë ma ka nda;
e kjo afër syrit Adrianit i takon, se për të malli peshë po më çon.
Dy rrudha mbi vetulla Albani m’i fali, dhimbja për më të voglin e gjyshes zemrën flakë ma kalli.
Shikon fytyrën e vet plandosur, teksa lotët çurg nëpër rrudha i lodrojnë,
Të pajtohet zemra me humbjen e të bijve tash sa vjet s’pranon.
Ngreh kokën lartë dhe nënën Hekuba me dëshpërim e pyet:
-Si munde moj fatzezë sërish symbyllur të pushosh,
pamjen rrëqethëse nga mendja, si arrite ta largosh?
A s’ më thua gjumë të rëndë moj e mjerë, sërish si munde me bë
kur Akil mizori Hektorin, zvarrë tërheq para hundës ta ka?
–Po ti moj Ajkunë, që luftën aq shumë mallkove
e nga malli i Omerit prej syve u verbove.
Pse lejove sërish zemra e nënës në njëqind copë m’ u thy’,
A s’munde Zotit t’i dëshmosh se lufta s’është e ndershme, kur për të duhet të flijohen fëmijë?
Lotët fshin ngadalë e më dhembjen bën ujdi,
që ta bëj të fortë para dy nënave fatkeqe që ka në shtëpi.
Të bëhet nënë qëndresa i duhet me pahir,
ta ndaj dhimbjen në copëza bashkë nënat e tjera kërkon,
me nënë Sanien, e me nënën Halë që bijtë në dhé groposen,
Me nënë Ferdonien, që tryezën çdo vit e shtron e pret djemtë që s’i vijnë,
E me nënë Pashkën, që veten dogji për të gjallë, se jeta e rëndë iu duk ta jetoj
kur bijtë për herë të dytë në dhé i gropoj.
“Qoftë dhimbja jonë e fundit mbi këtë dhé që rëndon”
Lutej nënë Halimja çdo natë e të bardhave mëngjese,
kur gjumi më s’ arriti sytë e saj t’i mashtrojë,
se asnjë çast të vetëm zemra nga dhimbja kurrë më s’i pushojë.
*Në përkujtim të sakrificës së familjes Kastrati nga Peja, për nder të 26-vjetorit të rënies heroike të pesë familjarëve të saj.
ObserverKult
Lexo edhe:






