Nënë Tereza: Pa dashuri nuk do të ketë kurrë paqe

Nënë Tereza

Si sot, më 10 dhjetor 1979, Nënë Tereza mori çmimin “Nobel për Paqe”. Ato ditë në Oslo të Norvegjisë, Don Lush Gjergji e zhvillon një intervistë me të dhe e boton në revistën “Drita”. Po e risjellim për të kujtuar atë ditë të madhe dhe si Nënë Tereza e ka përjetuar këtë shpërblim prestigjioz botëror.

Çfarë do të thotë për ju dhe për motrat tuaja, Çmimi Nobel për Paqe?


Nënë Tereza: Për motrat e mia asgjë, sepse asgjë nuk ndryshon në Kongregatën tonë. Ky Çmim, si dhe të tjerë që kam marrë gjatë këtyre viteve, është vetëm për të varfëritë tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit, ndihmë e madhe që të mund të bëjmë diçka vitin e ardhshëm për familjet tona.

Prandaj, jemi lutur shumë për këtë qëllim, nga që, siç e dini dhe ju vetë, viti i ardhshëm (1980) është viti kushtuar familjes. Sot, njerëzit vuajnë shumë dhe nëse ne mund të bëjmë diçka për të bashkuar familjet, për t’i ofruar secilit shtëpi, kjo do të ishte një punë e madhe. Ky çmim arrin në çastin e duhur. Ky çmim tregon se bota po i njeh të varfëritë, prandaj edhe e ka për detyrë t’u ndihmojë. Ky është kontribut i madh për paqe, ngaqë bota më në fund ka kuptuar se puna e dashurisë është e rëndësishme për paqen.

Si e shihni Ju, si personalitet religjioz, problemin e paqes në botë dhe çfarë mendoni se duhet të bëhet për ta forcuar paqen?
Nënë Tereza: Para së gjithash, ne duhet t’i kthehemi të luturit në familje, sepse pa lutje besimi ynë është i dobët. Nëse me të vërtetë besojmë dhe lutemi, ne do të bëjmë jetën tonë të konsekruar, do të japim kontributin tonë për paqen. PA DASHURI NUK DO TË KETË KURRË PAQE!

Cili është rreziku më i madh për paqen?
Nëna Tereze: Rreziku më i madh për paqen është aborti, ngaqë nëse ne mund të shkatërrojmë jetën, që na e ka dhënë Zoti, dhe nëse nëna mund të bëhet ekzekutuese e fëmijëve të vet, atëherë çfarë do të mund të thuhej vallë për vrasjet dhe luftërat e botës? Sot, njerëzit nuk e duan më njëri-tjetrin dhe këtu qëndron fillimi i rrezikut për paqe në botë. Aborti është filli i të gjitha të ligave të botës.

Si e pranuan të varfëritë këtë Çmim?
Nënë Tereza: Tani bota po i njeh të varfëritë dhe unë mendoj se do të mendojë më seriozisht për këtë problem. Të varfëritë tanë janë të lumtur me pak, me një buzëqeshje, një dorështrëngim, me pak oriz… Ata janë protagonistët e vërtetë të “Çmimit Nobel për Paqe.

Cili është mesazhi i paqes për botën në ditën e Çmimit Nobel për Paqe, tani kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?”
Nënë Tereza: Duajeni njëri-tjetrin siç u do Zoti. Ne do të qëndrojmë të bashkuar nëse lutemi, nga që të luturit ushqen besimin dhe besimi ushqen dashurinë. Nëse ne besojmë dhe dashurojmë, atëherë do të mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për të tjerët.

“Çmimi Nobel për Paqe” është shpërblimi më i lartë në mbarë botën. Nga ana tjetër, në Shqipëri, vëllezërit tanë nuk kanë kurrfarë lirie fetare. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Nënë Tereza: Nuk di se çfarë të them, nga që nuk di se çfarë në të vërtetë po ndodhë atje. Nganjëherë marr ndonjë letër nga nëna dhe motra ime, nga Tirana. Ato shkruajnë vetëm disa fjalë, ato kanë aq dëshirë të madhe për t’u takuar edhe një herë me mua dhe me vëllain tim, Lazrin…

Atë që do të mund të thosha është se unë lutem shumë për Shqipërinë, që Zoti Ynë t’i ndriçojë që të mund të kuptojnë këtë: nëse duan të jetojnë në paqe duhet ta duan njëri-tjetrin…

Mendoj se Kisha jonë shqiptare ende nuk e ka kaluar të Premten e Shenjtë, por feja jonë na mëson se jeta e Jezusit nuk mbaron aty, por vazhdon në kryq dhe bëhet e plotë me ringjalljen. Populli ynë nuk duhet dhe nuk mund ta harrojë kurrë këtë. Këtu qëndron fshehtësia e suksesit të krishterë. Krishti dha jetën e vet që të bëhet jeta jonë, e pranishme tek çdo njeri, çdo familje… Ai sigurisht nuk do të na harrojë kurrë…

Si e përjetuat udhëtimin e Papës në Turqi, si një dëshirë dhe përpjekje ekumenike. Si e vlerësoni takimin ekumenik dhe lutjen e mbrëmjes së djeshme në Katedralen e Oslos? Cili është mendimi juaj i përgjithshëm sa i përket dukurisë ekumenike?
Nënë Tereza: Puna jonë është ekumenike, sepse ne punojmë me secilin pa dallim, për të ndihmuar njerëzit të afrohen me njëri-tjetrin, për t’i bërë që ta njohin Zotin si dashuri. Ne nuk punojmë vetëm me të krishterë, por edhe me myslimanë, budistë, hindus, me të gjithë. Kur të mbretërojë dashuria, atëherë do të kemi unitetin e Kishës në botë.

Këtu jemi të gjithë, myslimanë, katolikë, komunistë, ateistë, të gjithë shqiptarët, që të thërrasin me shumë dashuri dhe mirënjohje: NËNA JONË TEREZE. Po, pas vdekjes suaj?
Nënë Tereza: Kurrë nuk kam menduar për këtë. Sot, unë jam në Norvegji, dhe unë jam norvegjeze, nesër diku tjetër. Nuk ka rëndësi se ku do të përfundojë trupi im. Ajo që është me rëndësi është se unë e gjej veten duke jetuar në amshim me Zotin.

Po t’u kërkohej të bëni një definicion për vetveten: kush jeni Ju?
Nënë Tereza: Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, grua fetare. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht zemrës së Jezusit.

Sot, në ditën e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe, duke iu kthyer të gjitha shpërblimeve, mirënjohjeve që keni marrë, cili çmim është më i shtrenjti, më i afërti për Ju?
Nënë Tereza: Shpërblimi im më i madh është dashuria ndaj Jezusit. Ai është çdo gjë për mua. Gjëja më e madhe për mua do të ishte të bëj që dashuria universale të mbretërojë, sidomos për ata që vuajnë!./(konica.al)