“Nëse një libër është i mërzitshëm për ju…”/ Amaneti që Jorge Luis Borges u la lexuesve

Jorge Luis Borges

Jorge Luis Borges ka qenë një shkrimtar tregimesh të shkurtra, eseist, poet, përkthyes dhe figurë kyçe e letërsisë së gjuhës spanjolle.

Librat e tij më të njohur me tregime, “Ficciones” dhe “El Aleph”, të botuara në vitet 1940, janë përmbledhje me tregime të shkurtra të ndërlidhura nga temat e përbashkëta, duke përfshirë ëndrrat, labirintet, bibliotekat, pasqyrat, shkrimtarët e sajuar, filozofitë dhe fetë. Në 1923 publikoi librin e tij të parë me poezi, “Fervor de Buenos Aires”, dhe pas dy vjetësh librin e dytë “Luna de Enfrente”. Ngjarjet më të rëndësishme mbi biografinë e tij janë te lidhura ngushtë me disa nga paraardhësit e tij. Duke qenë se rrjedh nga një familje studiuesish dhe ushtarakësh Borges zgjodhi letërsinë megjithëse e pati një peng të madh për shumë kohë faktin që nuk zgjodhi ushtrinë.

Nga 1914 deri 1921 jetoi bashkë me familjen nëpër Evropë. Kreu studimet fillimisht në Gjenevë e më pas në Spanjë, ku njohu më mirë letërsinë dhe shkroi disa nga poezitë e tij të para. Në 1925 Borges njohu Viktoria Okampo, muza e tij për shumë vite me të cilën u martua 40 vjet më pas. Me të Borges pati një mirëkuptim intelektual i destinuar për të hyrë në mitologjinë e letërsisë argjentinase. Aktiviteti publicistik i Borges ishte shumë i gjerë. Vargjet e “Kauderno San Martìn” u publikuan vetëm në 1929, ndërsa një vit më pas doli “Evaristo Karriego”, një vepër që entuziazmoi kritikën argjentinase. Një fatkeqësi tjetër në jetën e shkrimtarit: verbohet. Borges, i cili kishte pasur gjithnjë probleme me sytë, e humbi përfundimisht shikimin në fund të viteve 50’ pasi kishte kryer 9 operacione.

Por këtë sëmundje ai e përdori për të krijuar akoma më shumë. Kulmin e këtij procesi “sublimimi” ai e pati në vitet 1933 e 1934. Të gjitha tregimet e publikuara prej tij në revistën “Kritika”: dolën në një përmbledhje të vetme me titullin “Historia universal de la infamia” (Historia universale e poshtërsisë), që u pasua disa vite më vonë nga “Historia de la eternidad” (Historia e përjetësisë), një vepër ndërthuret historia dhe dituria. “Annus horribilis” (nga latinishtja vit i tmerrshëm): Viti 1938. Nisi me vdekjen e babait të Borges, më pas vetë shkrimtari pësoi një aksident që detyroi të mos lëvizte për një kohë të gjatë, e me pas një atak seticemie (sëmundje gjaku) që i rrezikoi seriozisht jetën. Kjo situatë dramatike provokoi te Borges frikën se mund të humbte përgjithnjë aftësitë e tij krijuese. Frikë e pabazuar: gjatë viteve kur ishte i sëmurë ai krijoi disa nga kryeveprat e tij, të cilat u publikuan në 1944 nën titullin “Shtirjet”.

KRIJIMTARIA

Pas 5 vjetësh dolën disa nga tregimet e tij në librin e titulluar “Alef”. Gjatë kësaj periudhe Borges cilësohej si një nga shkrimtarët më të mirë argjentinas të të gjitha kohërave. Si për të pohuar dhe një herë aftësitë e tij, Borges publikoi një tjetër kryevepër që mban titullin “Inkuizicionet e tjera” (1952). Në 1955 Borges u emërua drejtor në Bibliotekën Kombëtare, një nga ëndrrat e tij të hershme. Në fjalimin e rastit ai u shpreh se: “Është një ironi sublime dhe hyjnore që më jepen 800 mijë libra kur unë jam në terr të plotë prej vitesh”. Pas 31 vjetësh drejtor ai u nda nga jeta më 14 qershor 1986. Pranë varrit të tij prehen eshtrat e gruas së dytë të Borges-it, Marìa Kodama. Shumë regjisorë janë bazuar në jetën e tij për të realizuar filma, dhe sa për shembull mund të përmendim një mbi të gjithë “Estela Kanto, Un Amor de Borges”, nga regjisori Havier Torre (1999), ku protagonistë është bukuroshja Ines Sastre.

Por cili ishte amaneti i tij për lexuesit? “Mendoj se fraza “leximi i detyrueshëm” është një marrëzi; leximi nuk duhet të jetë i detyrueshëm. Është njësoj si të thuash kënaqësi e detyrueshme. Por a ka kënaqësi të detyrueshme? Kënaqësia është diçka që kërkohet. Apo lumturi e detyrueshme! Ne lumturinë gjithashtu e kërkojmë. Unë kam qenë profesor i letërsisë angleze për njëzet vjet në Fakultetin Filozofik dhe të Letrave të Universitetit të Buenos Aires dhe gjithmonë i kam këshilluar studentët e mi: nëse një libër ju mërzit, lëreni; një libër mos e lexoni nga që është i famshëm, nga që është modern, apo nga që është i vjetër.

Nëse një libër është i mërzitshëm për ju, lëreni së lexuari; qoftë ai libër Parajsa e Humbur – për mua nuk është i mërzitshëm – ose Don Kishoti – për mua gjithashtu nuk është i mërzitshëm. Por nëse ka një libër të mërzitshëm për ju, mos e lexoni; ai libër nuk është shkruar për ju. Leximi duhet të jetë një nga format e lumturisë, prandaj dua t’ua lë lexuesve si një amanet të mundshëm – amanet që nuk kam ndërmend ta shkruaj: lexoni shumë, pa u trembur nga reputacioni i autorëve, vazhdoni të kërkoni një lumturi personale, një kënaqësi personale. Është e vetmja mënyrë për të lexuar”, është shprehur Borges.

ObserverKult


Lexo edhe:

BORGES E URRENTE FUTBOLLIN DUKE E KONSIDERUAR “ESTETIKISHT TË SHËMTUAR”!