Nëse qaj, lotët e mi ngrijnë… s’ka kush t’i fshijë…

Foto ilustrim

Shqetësime sentimentale

Nga Teresa Wilms Montt (Kili, 1893 – Paris, 1921)

XIII

Ndërsa valët e detit, kur fryn era, shtohen dhe rriten, pak nga pak, ato shtojnë edhe dhimbjet e mia, duke më lënduar shumë; atëherë, unë, me kokën në duar, futem në kujtime.
I kam zili ato qenie që nuk kanë të hanë, por që kanë atë pasuri të madhe, që gjithë bota mua nuk m’i jep dot.

Ata dikush i do; dikush i dëgjon me dhembshuri ankesat e tyre për jetën, dhe, mrekullisht, ndan me ta çaste të rralla lumturie.
Në vetminë e dhomës sime të gjumit nuk e gjej kurrë prova që ekzistenca ime të jetë e këndshme për dikë tjetër; nuk ka asgjë që më thotë: «Ji e qetë, se je duke jetuar në një zemër tjetër».

Nëse qaj, lotët e mi ngrijnë. Ata tashmë e dinë se askush nuk do të vijë t’i fshijë. Nëse dëshpërohem, me një vullnet tiranik, ngushëlloj vetë-veten.

Dhe kështu jetoj; gjithmonë e shqetësuar, gjithmonë vetëm, duke e gënjyer veten me iluzione që nuk i kam, si fëmijët që luajnë me kalin e tyre lëkundës, duke besuar se është kalë i vërtetë.

Çfarë i intereson botës të shohë një somnambul plot dhimbje? Nuk i preket zemra. Më tepër argëtohet, sepse, duke e parë, shuan kureshtjen.

Vetëm ai që ka shpirt, vuan; vetëm ai mund të kuptojë ngashërimet e dikujt tjetër dhe, me dhembshuri të thellë, shtrin dorën jetime të përkëdheljeve.

Netët janë aq të njëjta sa, e përhumbur, me kokën e përkulur, midis duarve, zhytem në kujtime

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

LETËR DASHURIE: SJELL GJITHMONË NË KUJTESË LOTËT E TU…