Nexhat Pustina: Letër motrës

Foto ilustrim

Si më je e dashur, hënë e perënduar
Mesditë e thatë për një pikë shi
Loçka ime, ti mal i rënduar
Për shëndetin tënd lutem dhe gotën e pi
Hë! Si më je zemër, pyet për ne, për shtëpinë
Për manin e kumbullën në oborrin e gjatë
Të dy drunjtë moti u thanë në mallëzim
Muri u rrëzua, u arnua me baltë
Pyet për gjërat e dashur, matanë bregut matanë detit
Ka ikur gjithçka vetëm kujtimet kanë mbetur
Në pyet për nënën, pleqërinë e shëndetin
Mbahu kur të vijë lajmi për bukurinë e tretur
Po mos u mërzit për dokrra e thëna
Siç ke qenë mbaju ashtu krenare
Bilbili s’dëgjohet kur shpërthen piskama
E qenve që lehin nëpër pazare.

LEXO EDHE: NEXHAT PUSTINA: KU DO TË JESH TI