Nga cila grua “frikësohej” Napolon Bonaparti?

 “Tri fuqi të mëdha po e luftojnë Napolon Bonaparti, për shpirtin e Evropës… Anglia, Rusia dhe Znj. de Staël”.

Duke bashkuar impulset e zemrës dhe domosdoshmëritë e arsyes, duke krijuar një urë midis iluminizmit, me të cilin ushqehet dhe romantizmit që paralajmëron lindjen, Madame de Staël shkruan me elan dhe inteligjencë një krijimtari të çmuar dhe të përkushtuar.

Kush nuk ka dëgjuar për Germain de Staël në kuadrin e Revolucionit Francez? Gjëja më e vështirë është kategorizimi i saj: a është historiane? Politologe? Filozofe? Apo shkrimtare? Femër sallonesh? Ambasadore? Amiguiteti i atribuimit të një prej këtyre emërtimeve është fakti se, ajo i mbante të gjitha.

Anne Louise Germaine ishte një nga intelektualet më të rëndësishme të kohës së revolucionit francez. Një grua që shpërfilli traditat femërore dhe që fare mirë mund të kishte qeverisur.

E njohur si Madame de Staël, konsiderohet si një figurë kryesore në Evropën moderne. Një pioniere e studimeve letrare krahasuese dhe një grua e përparuar për epokën kur jetoi. Pra, kemi të bëjmë me një figurë të shquar letrare me ndikim të jashtëzakonshëm shoqëror. Lindur Anne-Louise Germaine Necker në 1766, në Paris dhe vdiq në 1817. Madame de Staël ishte shkrimtare e njohur asokohe.

Gjithsesi, si për shumë të tjerë. Krijimtaria e saj ra në harresë për njëfarë kohe, për t’u rishfaqur në studimet bashkohore. Shpeshherë, emri i kësaj zonje të madhe shkon paralel me të atin, Jacques Necker. Një figurë e rëndësishme gjatë revolucionit francez: ai ishte ministër i Financave nën sundimin e Luigjit XVI.

Madame de Staël do të përjetojë të gjitha përmbysjet në vendlindje. Le të kujtojmë se në Francë disa regjime politike ndoqën njëra-tjetrën: monarkia absolute (para 1789-ës), monarkia kushtetuese (1789–1792), Republika (1792–1799), Konsullata (1799–1804), Perandoria e Parë (1804-1814) dhe restaurimi i monarkisë kushtetuese më 1814-15.

Në këtë domino politike, Madame de Staël u kritikua për pozicionin kontradiktor: sjellim në kujtesë, për shembull, se më 1792 ajo do të punojë, me Louis de Narbonne, një plan arratisjeje nga familja mbretërore. Vetëm 20-vjeç, Germaine u martua me Baron de Staël Holstein. Edhe ai protestant dhe ambasador i i Mbretit të Suedisë në oborrin e Francës. Pavarësisht faktit, që kjo martesë nuk ishte martesë dashurie. Ai e lejoi të hynte në mjedisin shumë të mbyllur të aristokracisë.

Në kohën kur doli në skenë Napoloni, Anne Louise Germaine ishte një figurë me shumë ndikim në politikën dhe shoqërinë franceze. Tek ajo, Bonaparti shihte një instrument për propagandën e tij, duke aspiruar ta bënte këshilltaren e tij.

Pas disa bisedash, opinioni i Anne Louise për Bonapartin qe shumë negativ. Ajo e shihte si një njeri të zhveshur nga cilësitë intelektuale dhe të pajisur me një personalitet dhe vizion absolutist të lidershipit të vendit të tij. Larg shpirtit revolucionar që ajo donte.

Kur u kthye në Francë, pas internimit të parë, ajo shkroi një nga veprat e saj më të rëndësishme. Ku denoncon mjerimin e gjendjes së grave dhe deklarohet kundër mizogjinisë. Veprën e publikoi në mbrojtje të shoqes së saj, mbretëreshës Mari Antuaneta, kur kjo e fundit u dënua me vdekje.

Në të njëjtën kohë, kishte për të dashur Benjamin Constant. Një nga kundërshtarët kryesorë të regjimit napolonian. Këto dy fakte e çuan drejt internimit të dytë. Më pas, ajo u transferua në Coppet, në pronën e familjes. Ku botoi, pavarësisht revolucionit. Dy libra për çështje politiko-sociale dhe mbi diskriminimin e grave.

Anne Louise Germaine jetoi në një periudhë delikate dhe të paqëndrueshme, kishte një personalitet të fortë dhe ishte e apasionuar pas çdo aspekti të jetës. Thuhet se ishte gruaja që Napoloni i “frikësohej” më shumë, ishte revolucionare dhe idealiste, përpos zhgënjimeve të shumta.

Vlen të theksohet se ajo diti të qëndronte mbi korrupsionin politik dhe shoqëror të një Evrope me transformime të dhunshme.

Ndikimi i saj ishte i pastër, ajo luftonte pa u ndotur dhe dilte nga balta pa u bërë pis, si lulet e lotusit.

Ishte një nga zërat më të rëndësishëm të iluminizmit e jo vetëm në letërsi. Shkroi dhe dha opinionin e saj përmes mendimeve të prera, të qarta dhe kategorike mbi panoramën politike dhe shoqërore të një kohe tejet të trazuar.

Napolon Bonaparti donte ta kishte përkrah dhe ta përdorte si të donte, por Zonja de Staël përfundoi duke u shndërruar në një nga armiqtë e tij kryesorë.

Frymëzuar nga ndryshimet vendimtare që Franca përjetoi gjatë Revolucionit, ajo zhvilloi dhe mbrojti idetë e saj mbi politikën dhe jetën shoqërore. Ishte e gjithanshme, e pavarur dhe e fortë. Shkroi drama, romane, ese, kujtime udhëtimi dhe teori politike. 

Idetë e saj hodhën themelet e romantizmit dhe emancipimit të femrës. Veprat e saj ishin të rëndësishme dhe pista reflektimi, madje edhe sot mund të përdoren për të analizuar shoqërinë.

ObserverKult

Lexo edhe:

NGA BONAPARTI TEK NIÇE, GËTE E ROBESPIERRI: ‘FYTYRAT’ MË TË FAMSHME QË U RUAJTËN PAS VDEKJES