Nga kartolina te mesazhi i kopjuar: transformimi kulturor i urimit në epokën digjitale

Nga Alma Dema

Urimi për Vitin e Ri ka qenë tradicionalisht një akt komunikimi me ngarkesë të lartë simbolike dhe emocionale. Ai përfaqësonte jo vetëm një shenjë mirësjelljeje, por një rit social përmes të cilit riafirmoheshin marrëdhëniet njerëzore, kujtesa kolektive dhe ndjeshmëria individuale.

Në dekadat e fundit, ky rit ka pësuar një transformim rrënjësor si pasojë e zhvillimeve teknologjike dhe ndryshimeve në strukturën e komunikimit shoqëror. Kalimi nga kartolina e shkruar me dorë te mesazhi digjital i shpërndarë masivisht shënon jo vetëm një ndryshim mjeti, por një zhvendosje të thellë kulturore në mënyrën se si kuptohet dhe praktikohet urimi.

Gati tre dekada më parë, kur unë akoma isha fëmijë, kartolina për Vitin e Ri si objekt kulturor dhe emocional, ishte një objekt ndërmjetësues më vete. Ajo mbante një estetikë të zgjedhur me kujdes, lule, peizazhe, simbole festive, dhe një tekst të shkruar me dorë, shpesh të thjeshtë, por të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë. Procesi i përzgjedhjes, shkrimit dhe dërgimit të kartolinës kërkonte kohë, vëmendje dhe përkushtim, duke e shndërruar urimin në një akt të vetëdijshëm komunikimi. Urimet nuk vinin me zhurmë, as me shpërndarje masive, por trokisnin lehtë në derë përmes kartolinave. Ato mbërrinin pas ditësh udhëtimi, shpesh të zverdhura nga rruga, por të mbushura me ndjenjë. Çdo kartolinë mbante gjurmën e dorës së atij që e kishte zgjedhur, shkruar dhe dërguar. Ishte një akt i vogël, por i madh në domethënie.

Gëzimi që sillte një kartolinë ishte i vërtetë dhe i thellë. Ne fëmijët e prisnin me një emocion të veçantë, kartolinën mes njeri – tjetrit apo mes kushërinjve nga qyteti,  duke i ruajtur si kujtime shumë të veçanta, ndërsa të rriturit, më dukej se ndiheshin për një çast fëmijë, të përfshirë në një marrëdhënie njerëzore që nuk kërkonte shpejtësi, por përkushtim. Kartolina nuk ishte vetëm urim; ishte dëshmi kujtese, vëmendjeje dhe dashamirësie.

Marrja e një kartoline krijonte një përvojë emocionale të veçantë. Ajo nuk ishte thjesht informacion, por një dëshmi e kujtesës dhe e lidhjes njerëzore. Ruajtja e kartolinave për vite me radhë, siç ndodh ende në bibliotekën time personale, tregon se ato funksiononin si arkiva të ndjenjës, objekte që ruanin jo vetëm fjalë, por edhe kohën, marrëdhënien dhe kontekstin shoqëror të një epoke më të ngadaltë, por më reflektive.

Po sot? A do të kënaqeshin shokët e shoqet e fëmijëve të mi nëse do të merrnin një kartolinë urimi? A do ta quanin atë një formë ndërmjet të cilit vjen/mund të vijë urimi?

E di, që në kurrikulën e planifikuar të AMU, ka orë mësimi të përcaktuara për shkrimin dhe domethënien e një kartoline, por asnjë fund viti nuk i shoh a nuk i dëgjoj fëmijët e mi të më kërkoj t’u blej kartolina për urime për shokët dhe shoqet e klasës a të grupeve të kurseve të ndjekin, por as kam parë të kenë marrë kartolina nga ta.  A thua do të quhem donkishoteske nëse do të doja që ky veprim sa estetik aq edhe semantik të mund të edukohej te fëmijët e moshës për të cilën po flas? 

Në të vërtetë nuk po di në po kërkoj të theksoj më shumë dobinë e dërgimit të urimit ndërmjet kartolinës apo vetë domethënies së rëndësishme që ka artikulimi personal i dedikuar i urimit!

Në realitetin bashkëkohor, urimi është zhvendosur, pothuajse tërësisht, në hapësirën digjitale, duke humbur individualitetin.

Platforma si WhatsApp, Facebook apo rrjetet e tjera sociale kanë mundësuar shpërndarjen e menjëhershme të mesazheve, duke e bërë komunikimin më të shpejtë dhe më të aksesueshëm. Megjithatë, kjo lehtësi ka sjellë edhe pasoja kulturore të dukshme.

Urimet dërgohen shpesh në grupe të mëdha, me përmbajtje të njëjtë, të kopjuar dhe të ripërdorur pa diferencim. I njëjti tekst u drejtohet individëve me marrëdhënie, histori dhe afërsi të ndryshme, duke e zhveshur urimin nga dimensioni i tij personal. Një mesazh i vetëm, i kopjuar, shpërndahet në dhjetëra apo qindra grupe, pa dallim moshe, marrëdhënieje apo ndjenje. I njëjti tekst u shkon prindërve, miqve, kolegëve dhe njerëzve me të cilët nuk është folur prej vitesh.

Ky veprim nuk është më urim, por një shenjë formale pranie, një mënyrë për të mos u ndjerë fajtor që “nuk e bëra”. Shpeshherë, mesazhi nuk lexohet as vetë nga ai që e dërgon; rëndësi ka vetëm dërgimi. Madje, përtohet edhe shkrimi i dy rreshtave personalë, sikur mendimi i sinqertë të kërkonte një lodhje të panevojshme.

Në këtë kontekst, urimi nuk është më një akt i drejtuar, por një veprim formal, i kryer për të përmbushur një pritshmëri sociale. Ky fenomen mund të interpretohet si një formë e standardizimit të ndjenjës, ku shprehja emocionale zëvendësohet nga formula të gatshme. Urimi humbet funksionin e tij komunikues dhe shndërrohet në një shenjë të zbrazët pranie, një klik që garanton përfshirjen simbolike, por jo domosdoshmërisht lidhjen emocionale.

Nga një këndvështrim kritik, problemi nuk qëndron thjesht te teknologjia, por te mënyra se si shoqëria moderne i nënshtrohet logjikës së shpejtësisë dhe eficiencës. Në këtë logjikë, koha për reflektim dhe individualizim shihet si luks i panevojshëm. Për pasojë, edhe aktet simbolike, si urimi, pësojnë një varfërim semantik.

Ndryshe nga kartolina e dikurshme, e cila ruhej dhe rilexohej, mesazhi digjital është i destinuar për konsum të shpejtë dhe harresë po aq të shpejtë. Ky ndryshim reflekton një transformim më të gjerë kulturor, ku marrëdhëniet njerëzore rrezikojnë të reduktohen në ndërveprime sipërfaqësore dhe të standardizuara. Transformimi i urimit nga kartolina te mesazhi digjital përfaqëson një pasqyrë të qartë të ndryshimeve kulturore në shoqërinë bashkëkohore. Ndërsa mjetet e komunikimit kanë evoluar, rreziku qëndron në humbjen e thelbit njerëzor të komunikimit. Rikthimi i sinqeritetit nuk kërkon domosdoshmërisht kthimin pas në kohë, por një vetëdije kritike për mënyrën se si përdorim teknologjinë.

Fakti që teknologjia e ka bërë komunikimin më të lehtë nuk do të thotë se e ka bërë më njerëzor. Përkundrazi, lehtësia ka krijuar një distancë emocionale. Sot marrim dhjetëra urime, por pak prej tyre na prekin. I lexojmë shpejt, shpesh pa i përfunduar, dhe i harrojmë po aq shpejt. Ndërsa një kartolinë e vetme e dikurshme ruhej me vite, sepse kishte peshë emocionale. Kjo tregon një ndryshim të thellë në mënyrën se si ndërtojmë marrëdhëniet tona. Shoqëria moderne vuan nga mungesa e kohës, por edhe nga mungesa e dëshirës për t’u ndalur te tjetri. Urimi nuk shihet më si një akt ndjenje, por si një detyrë sociale, një klik që duhet kryer për të mos u ndjerë jashtë normës.

Megjithatë, problemi nuk qëndron vetëm te platformat digjitale, por te zgjedhja jonë për t’i përdorur ato pa shpirt. Edhe një mesazh elektronik mund të jetë i ngrohtë, nëse shkruhet me mendim dhe ndjenjë. Ajo që mungon sot nuk është mjeti, por vëmendja dhe sinqeriteti. Nga një këndvështrim kritik, problemi nuk qëndron thjesht te teknologjia, por te mënyra se si shoqëria moderne i nënshtrohet logjikës së shpejtësisë dhe eficiencës. Në këtë logjikë, koha për reflektim dhe individualizim shihet si luks i panevojshëm. Për pasojë, edhe aktet simbolike, si urimi, pësojnë një varfërim semantik.

Transformimi i urimit nga kartolina te mesazhi digjital përfaqëson një pasqyrë të qartë të ndryshimeve kulturore në shoqërinë bashkëkohore. Ndërsa mjetet e komunikimit kanë evoluar, rreziku qëndron në humbjen e thelbit njerëzor të komunikimit. Rikthimi i sinqeritetit nuk kërkon domosdoshmërisht kthimin pas në kohë, por një vetëdije kritike për mënyrën se si përdorim teknologjinë dhe aq më shumë sesi ia mësojmë atë fëmijëve. Sa më vonë përdorimi i saj për të zëvendësuar marrëdhëniet njerëzore aq më shumë komunikimi do të ruajë tipare njerëzore.

Në një botë ku gjithçka është e shpejtë dhe e kopjuar, ndoshta akti më revolucionar është të shkruash disa fjalë nga zemra, sepse vlera e një urimi nuk matet nga shpejtësia e dërgimit apo numri i marrësve, por nga aftësia e tij për të krijuar kuptim dhe lidhje njerëzore.

Në një epokë të mesazheve të kopjuara, ndoshta akti më domethënës, mbetet ende shkrimi i disa fjalëve të menduara posaçërisht për tjetrin.

ObserverKult


Lexo edhe:

AUTORITETI, FRIKA DHE BULLIZMI NË SHKOLLAT TONA: DËSHTIM EDUKATIV ME PASOJA SHOQËRORE