Nga sot e deri të premten, në Gjakovë, mbahet “Mitingu i Poezisë”

Me mbështetje nga Komuna e Gjakovës dhe organizim të Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” nga data 4 deri më 8 nëntor 2024, në Gjakovë mbahet festivali më i madh dhe më i vjetri poetik shqiptar – Mitingu i 60-të i Poezisë.

Kjo traditë ka nisur në qytetin e Gjakovës, më datën 10 nëntor të vitit 1964, për të udhëtuar deri tani, në këtë nëntor të këtij viti jubilar, të 60-tin me rradhë. Me promovimin e letërsisë së mirëfilltë dhe me vlera të larta estetike me pjesëmarrjen deri tani të poetëve të njohur të huaj dhe atyre shqiptar, si manifestim elitar që ka lënë dhe po lë gjurmë të pashlyera në letërsinë shqipe, këtu e 60 vite rradhazi.

Mitingu i Poezisë, i 60-të, do të shënohet me Akademi Solemne, për t’i kujtuar gjithë ata që kontribuuan ndër vite.

Kryesia e klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” fton të marrin pjesë gjithë dashamirët e poezisë anembanë hapësirës shqiptare, në aktivitetet e shumta letrare përgjatë Javës së Mitingut duke filluar nga sot (e hënë) – më 4 nëntor deri më 8 nëntor (e premte).

Në programin e pasur gjatë gjithë javës do të ketë promovime librash dhe autorësh, ndërsa ditën kulmore të Mitingut (të premten) më 8 nëntor, përveç Akademisë Solemne dhe Orës Letrare, do të nderohen autoritete të larta të letërsisë shqipe dhe kontribuesit në rritjen e dinjitetit të këtij aktiviteti mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar në dekada.

Krahas shumë poetëve dhe artistëve, të pranishëm do të jenë personalitete të letërsisë në përgjithësi, e në veçanti të poezisë./Blerim Valla

ObserverKult


Lexo edhe:

NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES  “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”