Alba Çakalli emërohet producente e DokuFestit

DokuFesti ka njoftuar zyrtarisht se ka emëruar Alba Çakallin producentë të festivalit.

Karrierën e saj në DokuFest, Alba Çakalli e filloi pothuajse një dekadë më parë si koordinatore e vullnetarëve.

Që nga atëherë ajo ka punuar nëpër sektorë të ndryshëm dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në rritjen e organizatës, thuhet në një njoftim të DokuFestit.

Më herët, ajo ka punuar si Asistente e Programit dhe Koordinatore e Sistemit të pranim-dorëzimit të filmave si dhe ka menaxhuar suksesshëm projektet si ‘Filmi dhe Mediat Faktike’ dhe ‘Klubet e Medias Dixhitale’.

Ajo gjithashtu ka kontribuar drejt krijimit të infrastrukturës dhe strategjive për zhvillimin e departamentit të edukimit ‘DokuLab’.

Si producente e festivalit, Alba Çakalli do ta drejtojë ekipin në përgatitjen dhe ekzekutimin e aspekteve të shumta të Festivalit dhe në të njëjtën kohë do të ndjekë dhe do të mbikëqyrë iniciativat dhe partneritetet e reja.

“Së bashku me ekipin bazë të organizatës, ajo do ta vazhdojë fuqizimin e rolit të DokuFestit si ngjarje kulturore e rëndësishme në Kosovë dhe si platformë që u jep zë çështjeve bashkëkohore në të gjitha nivelet – nga ato lokale dhe rajonale tek ato kombëtare dhe ndërkombëtare. Emërimi i Alba Çakalli vijon gjurmët e udhëheqjes jashtëzakonisht të suksesshme të Nita Dedës— e cila u largua nga organizata në fillim të këtij viti për të bashkë-themeluar kolektivin muzikor Andrrat Moderne”, thuhet tutje në njoftim.