Nisi nga Durrësi, mbrëmjen e kaluar, rrugëtimi i festivalit “Varg” që do të vijojë përgjatë të gjithë sezonit turistik për të bërë bashkë poezinë, lexuesin dhe trashëgiminë tonë kulturore.
I organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Ministria e Kulturës e Shqipërisë nata e parë e festivalit iu kushtua poetëve nga Kosova.
“Varg Festival nisi me Kosovën, një mënyrë simbolike për të bashkuar kulturat tona, për të folur për letërsinë shqipe si një të tërë por edhe për të parë një qasje ndryshe”– tha Alda Bardhyli.
E restauruar së fundmi, Torra Veneciane u shndërrua sërish në një skenë të poezisë ku ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.
Të ftuar në këtë natë të parë të festivalit ishin poetët Sibel Halimi, Ag Apolloni dhe Arbër Selmani të cilët diskutuan mbi poezinë bashkëkohore në Kosovë dhe qasjet ndaj saj.
“Unë u gëzova shumë që erdha në natën e parë të festivalit. Unë vazhdoj të mendoj që poezia e mirë vjen tek ti dhe nuk lidhesh me epokën e poezisë kur të pëlqen.”
“Kosova dhe Shqipëria pavarësisht se po përballen me një dinamikë të re sociale…shkrimtarët e tyre nuk e kanë zënë ende hapin e kohës dhe mbeten peng e së kaluarës.”- tha Sibel Halimi.
Përtej hapësirave dhe ndasive, poezia e shkruar shqip vjen si një e tërë duke dhuruar larmi emocioni dhe mendimi. Javën tjetër festivali i poezisë do të udhëtojë drejt Sarandës për të vijuar më pas në Pogradec e Shkodër. Ai synon të kthehet në një traditë gjatë stinës së verës si një ftesë e vazhdueshme për leximin dhe kulturën që e pasurojnë më tej mendimin dhe shoqërinë./topchannel
Lexo edhe: