Nis kujtoj të hidhurit lotë…

Nga: Jorgo Bllaci

Në tetor, kur prarohen korijet,
Nëpër trup një rrëqethje më shkon;
Shkrifem krejt e i ngjaj një fëmije,
Që m’i vogli ngacmim e trishton.

Nis kujtoj e të hidhurit lotë
Nuk gjej forca në shpirt t’i përmbaj…
Si s’e kam një të afërm në botë,
Që me të gjithë dertet t’i ndaj?

Kujt t’i flas? Kush për mua kujtohet?
Shokët? Mikja, që n’epshe pa mend,
Tek në gjoks të një tjetri shtrëngohet
Emrin tim në kllapi veç përmend?

Oh, sa dridhem! Padashur gjithë jeta
Më fanitet, plot dallgë e stuhi…
Dhe çuditem me veten, si mbeta
Kaq i brishtë në shpirt, kaq fëmi!