Nisin hetimet pas zjarrit në katedralen e “Shën Pjetrit dhe Shën Paulit”

Policia franceze ka marrë në pyetje një person pas flakës që mori katedralja që gjendet në qytetin Nantes. Sipas prokurorit të rastit, kjo është diçka e zakonshme dhe çfarëdo interpretimi që mund të përfshijë këtë person në atë që ka ndodhur është i parakohshëm

Zjarr që nisi në katedralen e qytetit perëndimor të Francës, Nantes, shkaktoi thyerjen e xhamave me zbukurime mozaiku dhe shkatërroi instrumentin organo të ndërtesës së shekullit XV, njofton ‘The Guardian’.

Një prokuror vendas ka thënë se tre zjarre kishin filluar në katedralen e “Shën Pjetrit dhe Shën Paulit” dhe autoritetet janë duke e trajtuar incidentin si një akt kriminal. Një hetim është hapur.

Zjarrfikësit vunë zjarrin nën kontroll pas disa orëve, por tymi vazhdoi të dilte nga struktura gotike deri vonë në mëngjesin e së shtunës. Zjarri erdhi një vit pasi që një zjarr masiv në katedralen “Notre Dame” në Paris shkatërroi kulmin dhe pirgun e saj, transmeton ‘koha.net’.

“Pas ‘Notre Dame’, katedralja e “Shën Pjetrit dhe Shën Paulit” është në flakë. Mbështetje zjarrfikësve të cilët janë duke i ndërmarrë të gjitha rreziqet për të shpëtuar xhevahirin gotik”, ka shkruar presidenti francez në “Twitter”, nga Brukseli ku ishte duke ndjekur një samit evropian.