Dua të shkruaj ca fjalë për ty
që nuk iu ngjajnë fjalëve
të shpik një gjuhë për ty vetëm
duke e përshtatur sipas përmasave të trupit tënd
dhe hapësirës së dashurisë sime.
Dua të udhëtoj larg fletëve të fjalorit
si dhe të kërkoj pushim prej gojës sime
ngase jam lodhur nga forma e gojës sime
Dua një gojë tjetër.
në ka mundësi të shndërrohet kur të dojë
në një pemë qershie
apo në një kuti shkrepëseje.
Dua një gojë tjetër prej së cilës fjalët dalin,
ashtu siç dalin nimfat nga shkuma e detit
apo siç dalin pëllumbat e bardhë nga kapel’ e
magjistarit.
Merri tutje të gjithë librat që lexova në fëmijëri
Merri të gjitha tekstet shkollore
Merri shkumësat, lapsat dhe dërrasat e zeza
dhe mësoma një fjali të re
Një fjali, që ta var si gjerdan në qafën e së dashurës
sime.
Dëshiroj gishtërinj të tjerë
që të shkruaj në një tjetër mënyrë
ngase i urrej gishtërinjtë, që as nuk zgjaten e as
shkurtohen,
siç i urrej pemët që as nuk vdesin…. e as rriten.
Dua gishtërinj të rinj,
të lartë si flotat e anijes
dhe të gjatë si qafat e gjirafave
që të mund të qep për dashurinë time një këmishë
poezie.
Dua të shpik për ty një alfabet
të ndryshëm nga të gjithë alfabetet e tjera
në të cilin ka diç nga rënia e shiut
dhe diç nga pluhuri i hënës
nga trishtimi i reve gri
dhe diç nga sëmbimi i fletëve të shelgut
nën qerret e shtatorit.
*Titulli i origjinalit: “Unë dua me këtë rast”
Përktheu: Agron Islami
ObserverKult
Lexoni edhe:
NIZAR QABBANI: TË DUA TY, EDHE KUR DASHUROJ TJETËRKËND…
Poezi nga Nizar Qabbani
Të dua ty, edhe kur dashuroj tjetërkënd,
Pi për shëndetin tënd, kur jam me tjetër grua për darkë,
më rrëshqet gjuha…
dhe thërras emrin tënd kur i thërras asaj.
E kap veten gjatë darkës
duke qëmtuar ngjashmëritë mes vijave të duarve të tua
dhe vijave të duarve të saj.
Ndjej se po kthehem në klloun
kur i mbaj sytë tek shalli i mëndafshtë mbi supet e saj.
Ndjej se po tradhëtoj të vërtetën
kur krahasoj mallin për ty me mallin për të.
Çfarë e quan ti këtë?
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult