Një dekadë pa Bekim Fehmiun, Ministria e Kulturës vonon ndarjen e çmimit që mban emrin e tij

Aktori Bekim Fehmiu tash një dekadë nuk jeton më, por trashëgimia e tij vazhdon të mbetet frymëzim.

Ministria e Kulturës, të hënën, nuk e organizoi asnjë aktivitet për ta kujtuar aktorin në dekadën e parë të vdekjes dhe as nuk e ka ndarë çmimin vjetor që mban emrin e tij.

Sipas rregullores, ndarja e çmimit “Bekim Fehmiut” përcaktohet për 1 qershor, në ditëlindjen e aktorit.

Viteve të fundit me çmimin “Bekim Fehmiu” janë nderuar regjisorë dhe aktorë, të cilët me veprat e tyre kanë lënë gjurmë në kinematografi. Në fund të korrikut të vitit që lamë pas, ky çmim iu nda regjisores Burbuqe Berisha.

Ministrja Vlora Dumoshi ka deklaruar për KTV-në se sivjet do të vendoset një standard i ri për dhënien e çmimit.

Mosshënimin e përvjetorit të Fehmiut, ministrja Dumoshi e ka arsyetuar me situatën e krijuar nga pandemia.

Në Prishtinë, një rrugë e lagjes “Lakërishte”, që lidhet me atë të “Dardanisë”, mban emrin e Bekim Fehmiut.

Emrin e artistit shqiptar e mban edhe Teatri i qytetit të Prizrenit.

Për nder të Bekim Fehmiut ishte dizajnuar edhe një pullë postare që u promovua në fund të vitit 2013.

Dekada e parë e vdekjes së Fehmiut do të shënohet në Prizren.

“10 vjet pa Bekimin!”, është e vetmja ngjarje që synon të rikthejë në kujtesë aktorin me famë botërore, ku do të shfaqet filmi “Mbledhësit e puplave”./koha