“Një e tretë dashuria”, Preç Zogaj vjen me një libër, përmes vargjesh na kujton ata që na mungojnë

Poeti Preç Zogaj ka promovuar librin e tij të fundit me poezi, “Një e tretë dashuria” ku përmes vargjeve, rrëfen muzat dhe kujton ata që na mungojnë.

Preç Zogaj tha se “një veçori që ka poezia është se autori se duhet të mbetet vetvetja pa e përsëritur veten. Për librin ‘Kalimi’, Ndoc Gjetja më thoshte se nuk mund të shkruash një libër më të mirë se ky”.

Për poeten Natasho Lako, libri i fundit i Zogajt është festë e Gjuhës.

“Është si ai trëndafili që hapet. Hapet vetë fjala dhe zë një vend të çuditshëm që nuk e ke në asnjë poet tjetër. Është një marrëdhënie që e riuzbulon vetëm Preçi dhe kjo është një nga gjërat më të bukura që tregon pjekuri të madhe artistike”.

Poeti laureat dhe drejtoresha e qendrës së Librit, ofruan dy këndvështrime të tjera, që rrokin sa të shkuarën po aq edhe nevojën, duke nisur nga titulli.

Rudolf Marku, tha se “është një titull që na kthen te koncepti i Lasgush Poradecit që ka poezinë e famshme që nuk dashuronim as unë as ti, por dashuronte dashuria. Pra ka nevojë gjithnjë për një të tretë.”

Ndërsa për Alda Bardhylin, “erosi në historinë e letërsisë shqipe nuk është më i drunjtë po është një gjuhë që pasurohet. Eksplorimi i dashurisë kërkon gjuhën vet dhe Preçi e bën në mënyrë të jashtëzakonshme”.

Poezi kushtuar miqve, dhe një gruaje që mund të njihet prej poetit por edhe krijesë e poetit u lexuan nga aktorët për të pranishmit.

——————————————-

LEXO EDHE: PREÇ ZOGAJ: SOT GJITHË DITËN ZEMRA IME NUK ISHTE MIRË…

Sot gjithë ditën zemra ime e vogël.
zemra ime e fshehur nuk ishte mirë!
Asgjë, pra, asgjë nuk ndodhi.
Rrija në shtëpi. Ditë higjene
Dalim, më thosh im bir, dalim!
Të shkojmë në punë, në mbledhje, në këshill,
në treg, në spital, në Manati…

Dhe zemra ime kërcente djathtas!

Asgjë, pra, asgjë nuk ndodhi
sot gjithë ditën!
Në orën dhjetë dëgjova këshilla praktike
me temë: Arti i gatimit dhe kultura e ngrënies.
Kujtova me turp se shpesh ha në këmbë
si duke ikur.

Dhe zemra ime kërcente majtas!
Asgjë, pra, asgjë nuk ndodhi.
Telat u mbushën me tesha të lagura,
u duk se ballkonet pikonin lot,
e diela u la e u tha dhe uli qepallat,
në barkun e mbrëmjes java fërgëlloi si zog.

Dhe zemra ime kërcente djathtas!

Shokët e mi kishin ikur në jug, në veri,
e hëna vononte-sa shumë! pas yjesh të mitur
po më tremte zemra ime e lajthitur,
atëherë shkriva urgjent këtë vjershë
dhe demek u shërova.

*Titulli i origjinalit: “Sot e diel