Preç Zogaj: Sot gjithë ditën zemra ime nuk ishte mirë…

Po përgatitem për preç zogaj


Sot gjithë ditën zemra ime e vogël.
zemra ime e fshehur nuk ishte mirë!
Asgjë, pra, asgjë nuk ndodhi.
Rrija në shtëpi. Ditë higjene
Dalim, më thosh im bir, dalim!
Të shkojmë në punë, në mbledhje, në këshill,
në treg, në spital, në Manati…

Dhe zemra ime kërcente djathtas!

Asgjë, pra, asgjë nuk ndodhi
sot gjithë ditën!
Në orën dhjetë dëgjova këshilla praktike
me temë: Arti i gatimit dhe kultura e ngrënies.
Kujtova me turp se shpesh ha në këmbë
si duke ikur.

Dhe zemra ime kërcente majtas!
Asgjë, pra, asgjë nuk ndodhi.
Telat u mbushën me tesha të lagura,
u duk se ballkonet pikonin lot,
e diela u la e u tha dhe uli qepallat,
në barkun e mbrëmjes java fërgëlloi si zog.

Dhe zemra ime kërcente djathtas!

Shokët e mi kishin ikur në jug, në veri,
e hëna vononte-sa shumë! pas yjesh të mitur
po më tremte zemra ime e lajthitur,
atëherë shkriva urgjent këtë vjershë
dhe demek u shërova.

*Titulli i origjinalit: “Sot e diel

ObserverKult

————————————————-

LEXO EDHE:

PREÇ ZOGAJ: S’MË RRIHET PA TË PARË…

Këtu ku jam s’më rrihet pa të parë,
atje ku je s’vij dot se më sheh ti.
Dhe sosen netët, sosen sa ngadalë.
Dhe fluturojnë mëngjeset si veri.

Më dhe dikur shpirt e shpirt të dhashë,
dhe qysh atëherë s’po ngryset ajo ditë,
padita dhe padite, the dhe thashë,
fitova sytë e tu, humba të mitë.

Dhe duart më braktisën. “S’jemi të tuat”!
“Asaj i përkasim!” thirrën duart.
“Asaj i bindemi!” thirrën mendtë.
Mbeta kalli, krejt i yti, krejt.

Ne bëmë dhe braktisëm një çudi.
Tani në fusha bares zemërvrarë.
Atje ku je s’vij dot se më sheh ti,
këtu ku jam s’më rrihet pa të parë.


LEXO EDHE:

PREÇ ZOGAJ: SI DO T’JA BËJMË NE ME DASHURINË TONË?

Ajri mblidhet lëmsh në zemrën time…
Edhe pak kohë do të jetë i jetueshëm
Ky vend ku flaka s’ka e s’ka të sosur
Në vijën e vetme për ne ish Histori…

POEZINË E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU